VLERËSIMI FORMATIV/FORMUES
Përveç faktit se memorizimi i mësimeve shpeshherë do të thotë se këto harrohen më shpejtë, shumë nxënës e kanë të vështirë të mësojnë kur kurioziteti i natyrshëm i tyre nuk merret parasysh dhe mësimi bëhet thjesht një mjet për të arritur një notë të caktuar.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Deri më tani, sistemi i vlerësimit në edukim synon të vlerësojë procesin e të mësuarit përmes notave numerike, sistem i cili shpesh mund të jetë reduktiv dhe nuk përfaqëson domosdo dijen e fituar dhe nivelin e të nxënit. Kjo më së miri mund të demonstrohet nga rezultatet e PISA, të cilat janë në kundërshtim me notat që i shohim te shumë nxënës kosovarë. Nxënësit vlerësohen me nota të larta për mësimin e temave të caktuara, shpeshherë të memorizuara, duke mos fituar një njohuri më të thellë të materialit. Përveç faktit se memorizimi i mësimeve shpeshherë do të thotë se këto harrohen më shpejtë, shumë nxënës e kanë të vështirë të mësojnë kur kurioziteti i natyrshëm i tyre nuk merret parasysh dhe mësimi bëhet thjesht një mjet për të arritur një notë të caktuar. Të mësosh diçka dhe ta memorizosh vetëm për të marrë një notë të mirë mund të mos jetë motivimi i duhur për të gjithë. Nëse dikush merr një notë të keqe, shpeshherë besohet se nxënësi thjesht nuk ka interes ose aftësi dhe faji vihet të nxënësi. Barra duhet të vihet te sistemi edukativ, i cili do duhej të motivonte nxënësit të mësojnë për hir të mësuarit dhe të ndërtojë mbi kapacitetet e çdo nxënësi.
Në vend të këtyre metodave, ekziston një alternativë e cila është e drejtuar nga vlerësimi i vazhdueshëm përgjatë orëve mësimore, ku procesi i mësimit bëhet pika e fokusit në vend të notës finale. Kjo bëhet duke vlerësuar forcat dhe aftësitë e çdo nxënësi, gjithmonë duke marrë në konsideratë faktorët e ndryshëm që mund të kontribuojnë në nevoja të ndryshme të të mësuarit. Mësimdhënësi duhet të mësojë të shohë gjërat nga niveli i të mësuarit i nxënësit, në mënyrë që të munden më mirë të plotësojnë nevojat e tyre, dhe njëkohësisht duke marrë informata se ku qëndron nxënësi në arritjen e qëllimeve të nxënit.
Këto qëllime mund të vihen bashkë në klasë dhe vlerësimi i qëllimeve bëhet gjatë orës mësimore. Një shembull i këtij vlerësimi do ishte: Nëse një nxënës bën gabim drejtshkrimor në një ese, mësimdhënësi nuk e nënvizon me të kuqe gabimin dhe noton esenë, mirëpo i tregon nxënësit për atë se çka ka bërë mirë dhe e mëson për përmirësimin e gabimit të tij/saj. Në këtë mënyrë, vlerësohet dhe njëkohësisht formësohet dija e nxënësit, duke e bërë vlerësimin një proces më bashkëpunues dhe transparent, me shpresë se kjo do përforcojë fokusin në procesin mësimor. Kjo mund të jetë më e dobishme për nxënësin, i cili nuk frigohet për të marrë një notë të keqe, mirëpo mezi pret të marrë komentet rreth punës së tij/saj.
Përveç se është mënyrë limituese e të vlerësuarit, notat shpesh mund të bëhen faktorë stresues në jetët e fëmijëve. Presioni i jashtëm dhe kërkesat nga mësimdhënësit dhe prindërit që të arrihet një notë e caktuar mund të sjellë ndjenja të ankthit kur këto kërkesa nuk realizohen. Kjo mund të ndikojë që nxënësit thjesht të dorëzohen dhe të arrijnë në konkluzionin se nuk janë të mirë mjaftueshëm, duke u bazuar thjesht në nota. Shumë prindër dhe mësimdhënës mund të jenë të zhgënjyer me arritjet akademike të nxënësve dhe bëjnë presion të vazhdueshëm për nota më të larta, të cilat shihen si matës absolut të dijes/aftësive apo edhe vlerës së nxënësit. Në këtë formë, shumë mënyra të ndryshme të të mësuarit mund të anashkalohen. Shumë shpesh, mungesa e përpjekjes nga mësimdhënësi që të adaptohet ndaj nevojave të ndryshme të nxënit gjithashtu anashkalohet dhe në vend të kësaj fajësohet nxënësi. Vlerësimi formativ mund të jetë i dobishëm për këtë, për shkak se gjithashtu inkurajon mësimdhënësin që të vetë-reflektojë në atë se si mund të përmirësojë metodat e mësimin për të arritur qëllime të caktuara, si dhe të sigurohet që çdo nxënës po përmbush potencialin e tij/saj.
Edhe pse vlerësimi numerik nuk bëhet deri në klasën e tretë, prapë ka një vlerësim diferencial dhe është thuajse i njëjtë me sistemin tradicional të vlerësimin, duke krijuar prapë qëllime afat-shkurta (fitimi i vlerësimit pozitiv) dhe jo ndërtimit të mirëqenë të dijes dhe kuriozitetit. Ka shumë prova dhe studime që tregojnë për efektin pozitiv të vlerësimit formativ në ndërtimin e kapaciteteve të nxënësit. Sipas një raporti hulumtues të Departamentit të Edukitimit të Mbretërisë së Bashkuar, adaptimi i metodave të vlerësimit formativ tregoi se nxënësit mund të mësojnë dhe kuptojnë materialin mësimor më thellësisht. Është edhe një studim tjetër, i cili tregon se nxënësit që iu nënshtruan vlerësimit formativ kishin rezultate më të mira në teste finale se sa nxënësit që nuk ishin vlerësuar në këtë mënyrë.
Heqja e sistemit të notave nuk do të thotë se prindërit s’do jenë të informuar për progresin e fëmijëve të tyre. Përmes komunikimit me mësimdhënësin dhe fëmijën, ata mund të mësojnë më mirë për forcat dhe mangësitë e fëmijëve të tyre në shkollë, duke përfshirë prindin në formimin e dijes së nxënësit. Nxënësit gjithashtu do të jenë më të përfshirë në vendosjen e qëllimeve të tyre mësimore dhe vlerësimin e vetes së tyre. Duke përforcuar këtë proces, nxënësi do të jetë në gjendje të shijojë tejkalimin e sfidave mësimore. Përmes bashkëpunimit me institucione dhe organizata jo-qeveritare, shumë trajnime mund të ofrohen për të marrë njohuri rreth metodave të ndryshme të vlerësimit, të cilat mësimdhënësit mund ti reflektojnë në ambient shkollor.
Mbi autorin: Albanoi Retkoceri, nga Prishtina është student në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Punës Sociale.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States