VIOLINA NË JETËN TIME
Ilustrimi: Studio Permanent
Nuk e mbaj mend si filloi, më duket se një nga anëtarët e familjes sime më pyeti nëse doja të luaja në violinë. Si fëmijë që isha, mendoja se pianoja ishte shumë më interesante dhe këtë do të doja të bëja, por familja ime më bëri të ndryshoja mendje dhe nuk mendova shumë për të – dua të them, isha fëmijë dhe nuk doja të dilja kundër vullnetit të familjes sime. Ata do t’a paguanin një profesor që të më mësonte para se unë të nisja shkollën e muzikës.
Ishte dimër, mesi i klasës së parë. Profesori im ishte mjaft i kujdesshëm me mua, dhe violina më pëlqente. Nisa edhe shkollën e muzikës pak kohë më pas (pra, isha në klasën e dytë, por isha në klasën e parë të shkollës së muzikës). Por fatkeqësisht me kalimin e viteve, shoqëria më thoshte se nuk kisha nevojë për violinën, se duhej të fokusohesha në shkollë. As në shkollë të muzikës nuk kisha ndonjë shtytje që më bënte ta doja violinën. Shihja se si gjithmonë ata që dilnin në koncerte ishin nxënës të instrumenteve tjera, rrallë ndonjëherë shihja një violinist apo violiniste.
U tregova mendjelehtë që dëgjova fjalët e shoqërisë dhe violina më doli nga qejfi. Nuk e doja fare. Dilja nga mësimi në shkollë të muzikës duke qarë. Më dukej si barrë. Pavarësisht sa herë kam qarë para familjes duke i lutur që të mos shkoj në shkollë të muzikës, ata nuk më lejonin. “Ishte dëshira e gjyshit tënd të ndjerë”, thoshin ata. Gjyshin tim e donin dhe e rrespektonin të gjithë, ishte njeri i butë dhe i dashur që kujdesej shumë për mua. Ai i binte shumë instrumenteve, por jo violinës, prandaj donte që unë t’i bia. Dhe sigurisht askush nuk e kundërshtonte atë; kush nuk do të donte që fëmija i tyre të merret me një instrument?
Unë mendoj se këtu mund të shohim qartë ndikimin që të tjerët mund të kenë në interesat dhe hobit e një fëmije, madje edhe në karrierën e tij të ardhshme. Familja mund të dëshirojë më të mirën për ju, ose mund t’i projektojnë tek ju ëndrrat e tyre të paplotësuara të fëmijërisë. Miqtë tuaj mund të jenë xhelozë për atë që po bëni dhe do të përpiqen ta largojnë nga ju. Megjithëse kisha një shoqe shumë të mirë, një shoqe klase, e cila gjithashtu luante violinë dhe shkonte me mua në shkollën e muzikës, edhe ajo ishte në të njëjtin pozicion si unë dhe nuk mund t’a motivonim njëra-tjetrën.
Meqë nuk kisha zgjidhje tjetër, nga zemërimi dhe inati vazhdova të luaja në violinë. Mungesa e motivimit ishte e vështirë për t’u menaxhuar, por e dija që nuk duhej të vazhdoja të luaja në violinë pasi të mbaroja shkollën fillore dhe kjo ishte mjaftueshëm për mua që të vazhdoja. Do ta mbaroja këtë gjë dhe më në fund do të isha e lirë. Do të thosha se dy vitet e fundit të shkollës së muzikës ishin më të lehta se të tjerat, madje luajta me violinë një pjesë në një koncert të mbajtur në shkollë, e shoqëruar nga njëra nga profesoreshat e mia të preferuara të pianos.
Pasi e përfundova shkollën fillore të muzikës, u ndjeva e lumtur, por edhe shumë boshe; nuk kisha më diçka që e bëja pas shkolle. Gjatë kësaj kohe e kuptova vërtet vlerën e saj. Ishte dhe ende është kënaqësi t’u them të tjerëve se i bie violinës, se e kam hobi. Është kënaqësi t’ia urosh ditëlindjen dikujt me violinë. Është kënaqësi të bësh muzikë, t’i luash këngët e tua të preferuara në një instrument. Është kënaqësi kur merr pjesë në një event dhe ti je ajo që i bie violinës për argëtimin e të tjerëve. E gjithë kjo vlerësohet shumë nga të gjithë. Shumë nga ata kanë pasur dëshirë t’i bien një instrumenti, prandaj ju vjen qejfi kur të dëgjojnë ty. Vërtet më sjell lumturi.
Por do të doja të thosha se është dashur t’i shijoj më shumë ato vite që kam shpenzuar duke urryer violinën. Dekurajimet që merrja nuk ndikonin aspak mirë në vetbesimin tim, madje as nuk doja t’u tregoja të tjerëve se isha violiniste. Mbase do të ishte më mirë sikur ta kisha vazhduar edhe shkollën e mesme të muzikës e te bëhesha profesioniste në të ardhmen, por tani është shumë vonë. Prandaj do ta inkurajoja çdokë që kurrë të mos i lejojë të tjerët t’i manipulojnë mendimet dhe dëshirat e tua. Gjithmonë duhet të bësh atë që do, pa i dëgjuar e pa u ndikuar nga të tjerët. Unë e kam bërë këtë gabim dhe ndoshta kam humbur një të ardhme shumë të bukur, por shpresoj që lexuesit e këtij blogu të mos e bëjnë gabimin që bëra unë.
Sot bëhen më shumë se 10 vite prej kur kam filluar t’i bie violinës. Sikur të kisha ushtruar më shumë gjatë kohës që isha në shkollë të muzikës, tani do të isha më e mirë. Pavarësisht, unë ende vazhdoj t’i bie, ndoshta edhe më me dëshirë. Meqenëse askush nuk më bën presion apo nuk pret që të luaj violinë çdo ditë, atëherë kjo e bën më argëtuese për mua dhe mund ta bëj sa herë që dua, gjë që përfundimisht më bën ta bëj shpesh. Në fakt mund të them që tani jam më shumë e dhënë pas muzikës klasike gjithashtu! E dua ndjenjën që më jep dhe madje kam filluar të njoh kompozitorët kur dëgjoj muzikën e tyre. Kompozitori im i preferuar është padyshim Çajkovski, megjithëse veprat e tij janë disi të vështira për t’u luajtur. Për momentin po fokusohem më shumë në të mësuarit e këngëve të vjetra qytetare. Kur t’i mësoj mjaft prej tyre, dua të dal në shesh dhe të luaj për bashkëqytetarët e mi, madje edhe turistët. Thjesht dua të argëtohem me violinë; të bëj çfarëdo profesioni që më pëlqen dhe ende luaj violinë si formë relaksi. Ndoshta kjo nuk do të ishte aq keq në fund të fundit, por unë jam ende e trishtuar për faktin që nuk do të jem kurrë një violiniste profesioniste. Ju mund të humbisni shumë mundësi si këto për shkak të asaj që mendojnë të tjerët, prandaj i inkurajoj të gjithë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos dekurajohen nga ato që thonë të tjerët.
Mbi autoren: Erona Hulaj, 16 vjeçe nga Prizreni, nxënëse në Gjimnazin Gjon Buzuku
Ky grant mbështetet nga Austrian Development Agency