UNË SI ÇIKË…
Çikat/Gratë dhe të drejtat e trashëgimisë në pronën e paluajtshme në Kosovë
lustrimi: Argjira Kukaj
Ndër vit të tëra njihemi me favorizim të njërës gjini më shumë se tjetrës. Njihemi me patriarkatin si një fenomen universal në Kosovë që po lenë viktima të mentalitetit shumë çika e gra që vuajnë pamundësinë e qasjes në trashëgimi nga familja, përkatësisht prindërit e tyre. Kur vie tema e hises çika nuk merret parasysh ani pse është fëmijë i atyre prindërve sikur edhe djali. Ajo konsiderohet si person jo i denjë për të menaxhuar një pasuri, si person që nuk posedon të drejta në hise pasi që përballë saj qëndron një ndarje në një familje tjetër, njihet e paaftë kundrejt djalit që shihet si superior dhe shumë arsye që vien si pasojë e traditës. Por a janë të vërteta? Absolutisht jo.
*Lorena është nji vajzë 18 vjeçare nga Istogu, ajo është një nga shumë çika që kanë hasë këtë problem. Ajo thotë se tema për hisen hapet shpesh në familjen e saj. Por sa herë që mundet me thonë diçka, e me ngrit zanin për të drejtat e saj, hasë në pengesa.
“Më thojnë ti mos fol se je e fundit që duhet mu merr me këtë punë, ty nuk t’takon, ti je çikë, ka kush fol këtu edhe thojnë që çika që merr hise ajo nuk ka ven n’shpi mo. E ja nisin me marr shembuj për do çika që kanë marr hise e i përkeshin edhe pse e dinë për ligjin e për barazinë gjinore edhe për hise qe duhet me pas njejtë si unë si vëllau. Po prapë bojnë dallime dhe unë mendoj që ky send nuk o n’rregull edhe ndihna e diskriminume edhe ndihna shumë keq”, thotë ajo.
Për favorizimin e djemve e burrave kundrejt vajzave dhe grave në trashëgimi të pronës të paluajtshme, “European Union Rule of Law Mission Kosovo” ka nxjerr një raport që paraqet problematika duke identifikuar çështje të caktuara legjislative dhe duke ofruar rekomandime për institucionet përkatëse.
“Rekomandime mund të ndihmojnë noteritë, gjykatat, zyrat komunale të regjistrimit civil dhe autoritete të tjera që të sqarojnë më mirë mangësitë ligjore që cenojnë gratë dhe si rezultat mund të forcojnë rolin e tyre si garanci për barazi gjinore”, shkruhet në raport. Aty vihet në pah edhe përqindja e pronave të paluajtshme të regjistruara në emër të grave nga dokumenti “Projekti për Pronën e Paluajtshme dhe Kadastër – RECAP, Anketa vjetore e përmbushjes së shërbimeve ndaj konsumatorëve – Faza e Dytë” në prill të vitit 2014. Ky dokument tregon se Kosova ka përqindjen më të ultë të pronave të paluajtshme të regjistruara në emër të grave në rajonin e Ballkanit, prej 16%.
“Për më tepër, gratë shpesh dekurajohen për të pohuar apo kërkuar të drejtat e tyre trashëgimore dhe shumica prej tyre mund të jenë të painformuara në lidhje me të drejtat ligjore”, ceket në raport.
E për t’drejtat e hises/trashëgimisë si çikë flet edhe *Almedina nji vajzë 17 vjeçare nga Prishtina, e cila shprehet se rrjedhë prej nji familjeje ku hala logjika i mbështetet kanunit e traditës, sidomos kur vjen puna te hisja.
“Edhe unë shpesh tentoj me fol për kit temë, po menjiher m’thonë ti s’ki cka përzihesh ne punë të burrave, edhe ka ndodh që kom qajtë per këtë gjë se kur nuk ke të drejta të praktikume që të dokumentohen me ligj atëherë s’ki cka pret tjetër. Babi e din që unë kam të drejtë në hise me ligj, por thot që une s’veti ligj, ti martohesh e shkon të burri atje folë këtu jo. Ai shpesh shprehet që s’ka qef burri me ndërhy në pasuninë tonë e për atë arsye nuk dëshiron me na trashëgu pronë, edhe pse unë ia ceki që ajo pasuni është e drejt e imja”, thotë Almedina, tek tregon se si çikë ndihet shumë keq kur e padrejta haset edhe në pika elementare jetësore. Por kjo nuk e bën që ajo të ndalet.
“Unë s’ndalna kurrë, ka me luftu deri n’fund për krejt çikat e gratë që kanë ra pre e ktyne problemeve tradicionale”, shtoi ajo.
Si problem madhor cenimin e të drejtës së çikave në hise e sheh edhe Fitimi, nji djal 22 vjeç sipas të cilit problem kryesor qëndron tek mentaliteti sipas të cilit çika llogaritet e fisit t’huaj edhe ky gabim arsyetohet me faktin se hisja e saj është tek burri.
“Pa marrë parasysh a martohet ose jo, vajzës i takon e drejta e nji hiseje n’familjen ku osht lindë e rritë (qoftë ajo tokë, t’holla, a veç edhe nji shtrat me bo gjumin). Hisja te familja e babës osht siguria e saj për t’ardhmen. Nëse ajo martohet edhe ajo martesë nuk shkon, t’paktën e ka nji vend ose nji pronë n’emnin e saj që mundet me e shfrytëzu. Po edhe nëse hiç nuk martohet prapë e ka nji pronë që mundet me e shfrytëzu për mirëqenien e saj. Shkurt me thanë: i takon për vete faktin që osht gjak i familjes edhe kontributit ditor qe ajo jep baraz me djalin e asaj shpije”, theksoi ai.
*Emrat Lorena dhe Almedina janë përdorur me qëllim të ruajtjes së anonimitetit.
Mbi autoren: Arlindë Kuqi është një vajzë 17 vjeçare nga Prishtina, nxënëse në shkollë të mesme dhe aktiviste për të drejtat e njeriut me fokus në barazi gjinore.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.