TRAJTIMI I QENVE ENDACAKË NË KOSOVË
Që projektet shtetërore të funksionojnë plotësisht duhet të ketë projekte të vazhdueshme duke u ndarë fondet adekuate. Të zbatohen projektet e kastrimit dhe sterelizimit në baza vjetore duke kontraktuar veterinerë profesional, dhe duke ofruar një zgjidhje të përhershme për strehim dhe trajtim adekuat të qenve endacakë. Prandaj është e rëndësishme të plotësohet legjislacioni në fuqi dhe në të njëjtën kohë të organizohen fushave vetëdijësuese për këtë çështje.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Secili/a prej nesh kemi rastisur t’i shohim përgjatë rrugëve të qytetit duke kërkuar ushqim apo një vend për tu strehuar. Është fjala për qentë endacakë, për të cilët nuk po gjendet ndonjë zgjidhje tash e sa vite. Nuk dihet saktë se sa qenë endacakë gjenden në tërë Kosovën. Në mungesë të hapësirës, bredhin rrugëve dhe gjatë stinës së dimrit në mungesë të ushqimit shpesh dinë të bëhen agresivë. Lajmet për sulmet nga qentë endacakë nuk janë të pakta.
Në vitin 2017 Qeveria e Kosovës duke parë se gjendja është alarmante, kishte ndarë 1.3 milion euro për trajtimin e qenve endacakë duke ia dhënë përgjegjësinë e implementimit të projektit Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Megjithëse në vitin 2018 projekti për menaxhimin dhe trajtimin e qenve endacakë u zhvillua dhe nga ky projekt janë trajtuar rreth 14 mijë qen, çështja nuk ishte menaxhuar mirë. Në kohën kur janë trajtuar qentë, ishin vetëm disa komuna që filluan parcialisht trajtimin si Suhareka, Prizreni, Fushë Kosova dhe Prishtina. Megjithatë qentë endacakë nuk i njohin territoret e komunave. Prandaj çështja e qenve endacakë nuk mund të zgjidhet duke trajtuar qentë në disa komuna e disa jo. Trajtim konsiderohet kur ofrohen trajtim në tërë territorin dhe ofrohen po ashtu të gjitha shërbimet veterinare ku përfshihen vaksinimet, trajtimet mjekësore për qentë që kanë nevojë, duke përfshirë kastrimi dhe sterelizimi.
Përtej qasjes së limituar gjeografike për trajtimin e qenëve endacak, kjo nismë është kritkuar nga Fondacioni i të Drejtave të Kafshëve edhe për përzgjedhjen e veterinarëve/eve pa kualifikime të duhura për t’i kastruar dhe sterelizuar qentë. Sipas tyre veterinarët që kontraktohen prej AUV-se është dashur t’i kenë disa qendra për trajtim të përkohshëm ku hospitalizohen qentë pas trajtimit. Qentë duhet të mbahen aty nga 5 deri në 7 ditë për shërim të plageve para se të lirohen përsëri në rrugë. Sipas Fondacionit për të Drejta të Kafshëve në qendra që i kanë vizituar kanë parë se dorëza sterile nuk kishte në të gjitha vende dhe veterinarët nuk kanë ditur penjtë kirurgjikë me i zgjedhë. Për më shumë nuk ka pasur asnjë kontrolle shtetërore ndaj këtyre punëve që janë kryer.
Këtë situatë e bën edhe më të rënd perceptimi negativ që shoqëria jonë ka për qentë endacakë. Shpesh qentë përdoren për t’i frikësuar fëmijët duke ju thënë: ‘Ik se po të ha qeni’, rrjedhimisht duke i bërë ata/o të i shohin qentë si krijesa të rrezikshme. Qentë endacakë bëhen agresiv, pjesërisht, për shkak të mënyrës se si trajtohen në raste të caktuara edhe nga vet pronarët e tyre kur i vendosin në situata të rrezikshme duke i bërë pjesë të betejave vdekjeprurëse mes qensh. Po ashtu këtu hyjnë edhe vrasjet mizore, helmimet, keqtrajtimet që lënë trauma tek qentë, e që kjo më pas mund të manifestohet me agresivitet.
Qentë nuk janë të rrezikshëm përderisa trajtohen mirë, kurse qentë që sulmojnë në rrugë mund të jenë të traumatizuar apo frikësuar, e ndonjëherë edhe ata që janë të shtëpijakëzuar por menaxhohen nga qytetarë të pandërgjegjshëm.
Këtë cikël vicioz e mirëmban fakti që Kosova ende nuk ka ndonjë plan kombëtarë për trajtimin e qenve endacakë, thuhet në një raport të Institucionit të Avokatit të Popullit të publikuar në vitin 2020 ku theksohet dështimi në menaxhimt të suksesshëm të situatës së qenve endacakë nga institucionet lokale dhe qendrore. Në bazë të këtij raporti shumica e komunave në vend ende nuk kanë qendër për trajtimin e përkohshëm të kafshëve dhe po ashtu nuk kanë siguruar një vend të veçantë për hedhjen e sigurt të kafshëve të ngordhura.
Që projektet shtetërore të funksionojnë plotësisht duhet të ketë projekte të vazhdueshme duke u ndarë fondet adekuate. Të zbatohen projektet e kastrimit dhe sterelizimit në baza vjetore duke kontraktuar veterinerë profesional, dhe duke ofruar një zgjidhje të përhershme për strehim dhe trajtim adekuat të qenve endacakë. Prandaj është e rëndësishme të plotësohet legjislacioni në fuqi dhe në të njëjtën kohë të organizohen fushave vetëdijësuese për këtë çështje.
Mbi autoren: Vlera Thaqi, 21 vjeçare nga Gjakova, vijon studimet për juridik në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States