TERMOKISS: QENDRA SOCIO-KULTURORE E DREJTUAR NGA KOMUNITETI
Na, si komunitet i Termokiss, refuzojmë mu pajtu me numrin e vogël të mundësive që e tashmja osht tu na i ofru, edhe po bojmë diçka që me e nisë ndryshimin. Gjithmonë kemi me zgjedhë me qenë ‘naivë’ (nëse e kundërta osht apatia) e me shpresu që ajo që e bojmë ka me ndihmu për nji të ardhme të hapun, bashkëpunuese e frytdhanëse për njerëzit.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Kur të dalim prej kafazit të së tashmes, çfarë kange kena me knu krejt bashkë? Çfarë historie kena me ia thurrë vetes?
Komuniteti Termokiss është i kompozum prej njerëzve nga krejt rrugët e jetës, që janë taku rastësisht për me e gjetë një qëllim të përbashkët në bashkim. Komuniteti jonë është i hapur për të gjithë njerëzit që e nijnë nevojën për me e rritë veten dhe ambientin rreth tyre. Ambientin tonë të përbashkët e trajtojmë si shtëpi dhe shkollë. Ne vijmë në Termokiss për me u lidhë me njoni- tjetrin dhe me shkëmby storie nga vetja. Vijmë për me gjetë mbështetje, me ju përballë frikave që i kemi dhe me mësu aftësi të reja e për më qenë qenie ma e mirë dhe produktive. Ky proces pasurohet prej punëtorive, koncerteve, shfaqjeve të filmave, ligjëratave, diskutimeve, lojërave dhe aktiviteteve tjera që ndodhin në hapësirë në bazë ditore. Një eksperiencë edhe ma e pasur ofrohet prej klubeve, të cilët janë projekte afatgjate që organizojnë evente dhe krijojnë prodhime të bazuara në interesa të përbashkëta, siç janë: Klubi i Mahallës, Çlirim Poetik, Punëtoria Muzikore, klubi i filmit, shah, lexim, vetë- mbrojtje, stand-up comedy e shumë sene të tjera.
Anëtarët e komunitetit Termokiss takohen çdo të mërkurë për më i diskutu temat e javës dhe për me marrë vendime bashkë. Shumica e anëtarëve janë vullnetarë dhe ka anëtarë të stafit me orar të plotë të cilët na bëjnë bashkë çdo ditë për me marrë përgjegjësi në lidhje me komunitetin, hapësirën dhe administratën. Ka shumë mënyra për me u bo anëtar. Nuk ki nevojë me e pasë një ide se çka po don para se me ju bashkangjitë komunitetit. Nëse je këmbëngulës për me e gjetë vetën, po të premtojmë që idea ka me ardh me kohë. Mundesh me përfundu tu e nisë një klub apo duke ju bashku një klubi që veçse ekziston. Mundesh me marrë përgjegjësi për mirëmbajtjen e hapësirës apo organizim të komunitetit. Kishim dashtë shumë me të taku e me u njoftu me potencialin tënd, kështu që mos hezito kurrë për me na kontaktu.
Përveç që hapësira përdoret për aktivitete nga iniciativa të tjera, komuniteti Termokiss prodhon në vazhdimësi aktivitete të veta. Një ndër aktivitetet e para ka qenë koncerti ‘Krejt Ka Pak’ (tetor 2016), për ngritje të fondeve e prezentim të Qendrës, i cili i ka sjellë disa prej artistëve më të mëdhenj të muzikës alternative në Prishtinë, tu i përfshi përmbi 750 pjesëmarrës. Pas disa muajve, e kemi bashkë-organizuar ‘Ka Ardhë Koha,’ një program dy javor me 9 aktivitete që për qëllim kanë pasë trajtimin e çështjeve të përditshme në Kosovë dhe e kanë theksu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet iniciativave të ndryshme.
Vitin tjetër ‘Krejt Ka Pak’ u kthy si një program 4 ditor, me 16 aktivitete të tjera që kanë qenë një paraqitje e shkurtë e asaj se çka kishim mujtë me pasë çdo ditë në Termokiss: një ligjëratë në mëngjes, diskutim në mesditë, ma vonë një ekspozitë, tu vazhdu me një punëtori e në mbramje një koncert. Sot mujmë me thonë me krenari që i jemi afru asaj andrre, tu e pa lulëzimin e klubeve. Në vitin 2018 së bashku me Dokufest dhe Anibar kemi organizu shfaqje filmash dhe diskutimesh për çdo javë në kuadër të ‘Hacking Urban Space’, projekt që prezantonte zgjidhje alternative dhe të qëndrueshme për problemet urbane të qyteteve tona.
Një andërr tjetër e jona po vjen në jetë. Përmes Termokiss, tash i kemi zgjeru horizontet duke udhëtu dhe ndihmu në ndërtimin e qendrave sociale nëpër botë. Në vitin 2017, Termokiss është ftu në një projekt për ‘documenta14’, njo prej eventeve ma të mëdha në botë. Përfaqësues të komunitetit kanë qenë në Kassel (Gjermani) për me ndërtu një fshat kolektiv së bashku me Toestand (Belgjikë), Happy Positiv (Zvicër) dhe Soshenko 33 (Ukraine), si pjesë e projektit ‘Title on the Spot’. Në korrik të vitit 2018, anëtarë të komunitetit Termokiss së bashku me Toestand rivitalizuan një ndërtesë të vjetër në Tetovë (Maqedoni), duke i dhuru komunitetit atje edhe një skate park. Tirana (Shqipëri) është projekti ynë i fundit ndërkombëtar ku në verën e këtij viti së bashku me komunitetin e Qendrës Sociale në Tetovë, e kemi revitalizuar Uzinën e Autotraktorëve në Tiranë, hapësirë kjo që tani njihet si Uzina.space. E vitin tjetër një tjetër lokacion i Ballkanit do të jetë destinacioni ynë së bashku me komunitetin e Tetovës, Tiranës e Belgjikës për me kriju edhe një Qendër për nevojat e komunitetit atje.
Na, si komunitet i Termokiss, refuzojmë mu pajtu me numrin e vogël të mundësive që e tashmja osht tu na i ofru, edhe po bojmë diçka që me e nisë ndryshimin. Gjithmonë kemi me zgjedhë me qenë ‘naivë’ (nëse e kundërta osht apatia) e me shpresu që ajo që e bojmë ka me ndihmu për nji të ardhme të hapun, bashkëpunuese e frytdhanëse për njerëzit.
Termokiss është qendër e drejtuar nga komuniteti në Prishtinë me mision këmbimin urban dhe civil, reflektimin dhe ndryshimin.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.