TË RRETHUAR NGA NJË BOTË SIPËRFAQËSORE
“Nxënësit që marrin pjesë aktivisht në aktivitete jashtë shkollore marrin shumë përfitime duke përfshirë notat më të larta dhe rezultatet e testeve, arritjet më të larta arsimore, më shumë rregullsi në frekuentimin e klasës dhe vetëbesim më të lartë. Ndërsa aktivitetet jashtë shkollës rrisin aftësitë drejtuese dhe të punës në grup tek nxënësit. Këto aktivitete gjithashtu zvogëlojnë përdorimin e drogës, alkoolit dhe problemeve të sjelljes dhe disiplinës në lidhje me përdorimin e tyre’’.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Mundësi maksimale, por motiv minimal. Dëshira jonë si adoleshent/e është të jemi sa më të përfshirë e të jemi sa më të angazhuar në punën drejt suksesit tonë jashtëshkollor. Këtë dëshirë dita e ditës po e shuajnë profesorët/arsimtarët tanë të cilët/at këtë rrugëtim po na bëjnë ta shohim bardh e zi. Për më shumë, tash gati dy vite po përballemi me një situatë pandemike e cila procesin arsimor e ka vendosur në një nivel shumë të ulët, ku ne si adoleshent/e kemi një qasje shumë të vogël në mësim. Jemi bërë shumë të mbyllur, e kemi shumë pak dëshirë të jemi pjesë e mësimit online, e madje edhe atij fizik.
Prandaj edhe lind kureshtja për tu angazhuar në aktivitete jashtë shkollës, që një ditë e jona të mos jetë kaq e zbrazët. Për këtë edhe unë e zgjodha këtë rrugëtim, edhe pse nga pjesa më e madhe e profesorëve/eve me gjithë ftohtësinë e tyre disa herë na kanë thënë, se aktivitetet jashtë kurrikulare janë thjesht një humbje kohe të cilat na lënë mbrapa në procesin mësimor. Për shumicën e mësimdhënësve pjesëmarrja në aktivitete jashtë shkollës është vetëm sipërfaqësore, duke mos arritur që të kuptojnë thelbin e ndikimit që mund të kenë në rritjen tonë. Çdo herë që mundohem të marr leje, duhet të mendohem disa herë para se të marr guximin se e di shumë mirë cila është përgjigja: “Po të jepi leje tash po herën tjetër mos provo me kërku se nuk të lejoj”. E këto fjalëve demotivuese që kujdestarët e klasave po na thonë, se pjesëmarrja në aktivitete jashtë shkollës “nuk ia vlen”, nuk duhet me qenë demotivuese dhe me na ndalu nga e drejta jonë për të kërkuar dhe mësuar më shumë.
Gjatë fillimit të karantinës isha shumë pasive dhe isha në kërkim të ndonjë aktiviteti që do të më ndihmonte të mësoja diçka më shumë dhe njëkohësisht të kaloja kohën sa ishim të izoluar. Krejt rastësisht hasa në organizatën Toka cila ofronte programe edukative inovative pёr tё rinj/reja. Fillimisht u bashkova në kampet dimërore që kjo organizatë mbante, edhe pse ishim online ishte një kohë e paharrueshme. Mësuam më shumë mbi punën vullnetare, e njëkohësisht bënim implementimin e projektit online. Pastaj u bashkova në njërin nga Klubet e organizatës në të cilat takimet mbaheshin një herë në javë, e pastaj disa mbaheshin në mënyrë virtuale, disa në mënyrë fizike, ku mësuam çdo ditë rreth reflektimit të drejtë mbi vetën dhe të tjerët/at. Isha pjesë e kampeve verore ku nga e gjithë kjo eksperiencë mund të them që secili/a duhet me e provu e shiju. E gjithë kjo eksperiencë më shtyu që të kërkoj edhe mundësi të tjera, dhe u bëra pjesë e trajnimeve të cilat më ndihmonin në orientimin në karrierë dhe pjesë e organizatave të ndryshme ku unë mund të reflektoja krejt ndryshe për veten dhe për botën që na rrethon. Mësime këto të cilat asnjëherë nuk i kam marrë në shkollë. Një eksperiencë krejt ndryshe e të mësuarit dhe kuptuarit rreth gjërave të rëndësishme që besoj se do të më hyjnë shumë në punë në të ardhmen.
Fatkeqësisht janë pikërisht këto lloj aktivitete kaq domethënëse që profesorët e arsimtarët nuk i shohin të dobishme, pavarësisht se përfitimet janë shumë të mëdha. Një gjë e tillë është dëshmuar edhe në një hulumtim i cili është bërë në vitin 2018. Hulumtimi me titullin “Efektet e aktiviteteve jashtë kurrikulare tek studentët”, i publikuar në platformën “Research Gate” numëron disa prej përfitimeve pozitive.
“Nxënësit që marrin pjesë aktivisht në aktivitete jashtë shkollore marrin shumë përfitime duke përfshirë notat më të larta dhe rezultatet e testeve, arritjet më të larta arsimore, më shumë rregullsi në frekuentimin e klasës dhe vetëbesim më të lartë. Ndërsa aktivitetet jashtë shkollës rrisin aftësitë drejtuese dhe të punës në grup tek nxënësit. Këto aktivitete gjithashtu zvogëlojnë përdorimin e drogës, alkoolit dhe problemeve të sjelljes dhe disiplinës në lidhje me përdorimin e tyre’’, thuhet ndër të tjera në raport.
Unë si një adoleshente dua dhe kërkoj nga institucionet arsimore që të kemi përkrahje, të na ofrojnë mundësi dhe njohuri të reja për vullnetarizmin, që ne të jemi ata të cilët/cilat do t’i bëjmë ndryshimet në komunitet e profesorët/et të jenë krenar për ato që ne kemi arritur, e jo të ironizojnë çdo herë që ne kërkojmë leje.
Mbi autoren: Riga Raci, 16 vjeçare nga Prishtina, vijon mësimin në shkollë të mesme.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States