SIGURIA E GRAVE NË PARQET PUBLIKE TË PRISHTINËS
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në bisedat e rastësishme me vajza, një temë e përsëritur shpesh është arsyeja pse ne nuk i kalojmë mbrëmjet në parqet publike. Këto diskutime shpejt marrin një kthesë të zymtë ndërsa rrëfejmë përjetime të ndryshme të hidhura, të tilla si ndjekje nga të huajt, komente të papërshtatshme e shqetësime tjera, që prishin ambientin e qetë të një parku publik.
Këto biseda shpalosin sfidat e shumanshme me të cilat përballen gratë dhe vajzat, duke i bërë ato të hezitojnë të ecin vetëm nëpër parqe publike, edhe gjatë orëve të ditës.
Kjo nuk ka të bëjë thjesht me zgjedhje personale për të mos frekuentuar një hapësirë të caktuar, por me një çështje më të gjerë, sistematike që ndikon në mënyrën se si gratë dhe vajzat i përjetojnë parqet në veçanti dhe hapësirën publike në përgjithësi. Bëhet fjalë për mënyrën se si këto shqetësime janë ngulitur thellë në jetën e grave, duke e bërë sfiduese për to që të përqafojnë plotësisht idenë e shijimit të lirë të këtyre parqeve, veçanërisht gjatë natës.
Përvojat tona që lidhen me frikën dhe pasiguritë nuk janë të izoluara, por janë simptomë e mënyrës së organizimit të shoqërisë. Frika e vajzave dhe grave ushqehet vazhdimisht nga përhapja e ngacmimeve dhe dhunës me bazë gjinore kudo, e sidomos në hapësira publike.
Një rast i vitit të kaluar, që vazhdon të jehojë ndër ne, ishte një sinjal i qartë se hapësirat publike nuk janë të sigurta. Në gusht të vitit 2022, pesë djem e burra e përdhunuan një vajzë 11-vjeçare për shtatë orë të tëra në një park publik. Informatat që u shpalosën më pas, treguan se vajza ishte përdhunuar edhe më parë dhe institucionet e dinin këtë.
Ky rast dhe përvojat e vazhdueshme të grave e vajzave kanë bërë që frika nga ngacmimi të jetë sinonim me shkuarjen në park, me ecjen në rrugë.
Kjo frikë është një realitet që i kapërcen bisedat dhe depërton në rutinat e përditshme të grave.
Duhet theksuar që pasiguria është e ndërthurur edhe me faktorë të tjerë duke përfshirë ndriçimin e pamjaftueshëm dhe mungesën e masave adekuate të sigurisë në këto parqe. Trajtimi i kësaj çështjeje kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Nismat që synojnë përmirësimin e ndriçimit, rritjen e mbikëqyrjes dhe zbatimin e masave efektive të sigurisë mund të rrisin ndjeshëm sigurinë në këto hapësira publike. Këto nisma duhet të përfshijnë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve lokale, grupeve të komunitetit dhe banorëve.
Kjo pasiguri është e kahershme dhe redukton mirëqenien e grave. Sipas UN Women, organizatë e Kombeve të Bashkuara që përqendrohet në barazi gjinore, ky realitet “redukton lirinë e lëvizjes së grave dhe vajzave. Redukton mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në shkollë, punë dhe jetë publike. Kufizon qasjen e tyre në shërbime themelore dhe shijimin e aktiviteteve kulturore e rekreative”.
Ka disa studime të realizuara ndër vite, që tregojnë se si këto realitete i dëmtojnë përvojat e grave me hapësirat e gjelbërta. Një prej tyre është studimi “Natyra e gjinorizuar e hapësirave të hapura: Gratë që negociojnë frikën nga dhuna” realizuar nga Jennifer K. Wesely dhe Emily Gaarder. Qëllimi i studimit është të shihet se si zgjedhjet e grave për rekreacion në park urban në Arizona të Amerikës ndikohen nga frika e vazhdueshme ndaj objektifikimit, sulmit e përdhunimit. Hulumtimi tregon që gratë vazhdimisht raportojnë se monitorojnë mjedisin rreth tyre për shenja të rrezikut, hezitojnë të dalin vetë jashtë apo edhe në shoqërinë e grave të tjera.
Këto strategji janë bërë pjesë e jetës së përditshme të grave. Këto masa paraprake, të tilla si vlerësimi i sigurisë së rrugëve, zgjedhja e orareve specifike për të dalë jashtë dhe qëndrimi ndaj individëve të panjohur, fatkeqësisht janë ngulitur në rutinën e përditshme të shumë grave
Po ashtu, në Kosovë, rezultatet e studimit “Matja e Sigurisë në Hapësira Publike Platforma SafoMeter: Zona Urbane e Prishtinës” realizuar nga Gresa Neziri dhe Donika Çapriqi tregojnë edhe më tej, që hapësirat publike u janë marrë grave. I publikuar në vitin 2022, qëllimi i këtij studimi është matja e sigurisë në hapësira publike të Prishtinës. Hulumtimi është dizajnuar dhe realizuar me Safometer – platformë digjitale për të vlerësuar sigurinë në hapësirat publike. Gjetjet theksojnë se hapësirat publike që janë vlerësuar si më pak të sigurta janë Parku i Gërmisë, Parku i Qytetit dhe Parku i Arbërisë. Përveç parqeve që po vlerësohen me një indeks të ulët sigurie, shumë zona qendrore brenda qytetit të Prishtinës vlerësohen si pika të pasigurta. Kjo kërkon mobilizim të menjëhershëm institucional për t’u siguruar që secila grua të ketë mundësi që, pa frikë dhe pa rrezik, të shfrytëzojë hapësirën publike që i takon.
Mungesa e qasjes në këto hapësira të gjelbërta përbën privim në disa dimensione. Jo vetëm që kufizon mundësinë e grave për rekreacion dhe aktivitet fizik, por edhe u mohon atyre përfitimet në shëndetin mendor që vijnë nga të qenit në kontakt me natyrën. Kjo minon drejtpërsëdrejti cilësinë e jetës së tyre. Gjithashtu, thellon pabarazinë gjinore në mjediset urbane.
Parqet publike, emblematike të mjediseve urbane të përbashkëta, duhet të jenë hapësira ku të gjithë mund të marrin pjesë pa kufizime. Njohja e kësaj të drejte është parësore, pasi ajo prek thelbin e lirisë personale dhe barazisë shoqërore.
Kur grave dhe vajzave u mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm pa u shqetësuar, atyre u mohohet një e drejtë themelore.
Autore: Era Kadriu