Shiu
Sot m’u kujtove,
Më erdhe fluturim u përplase në gjoksin tim,
I shkëpute duke i shpartalluar me tërbim pengesat.
Në qiellin tim ra shi me pendesa.
Një goditje m’i tkurri supet me ngarkesa.
U zhyta në pellgun e shiut ku u grumbulluan harresat. Të pamatshme.
Relikt i një epoke të përmbysur me re të zeza.
Një copëz e historisë që më la mbresa, kur ishim nën mbulesën vigane të netëve të heshtura.
Në mes ne, anëve dritat e ndezura
Me lisa, kryqëzime të dendura.
Unë e ti dikur pishtarë në fushat e errëta.
U stepa.
Ndërmjet skajeve nostalgjike që u rrëmbeva.
Ftohje, acar, furtunë me rrufe të shpejta
Për ty seç ndjeva,
Vranësirat nuk vijnë vet po me ngatërresa
Mallëngjim, përgjërim, kujtesa.
Furishëm shfaqen me shiun
Sajojnë ndjesitë e strukura, të fshehura
Nën silueta…
Autore: Aurorë Zymberi