SFIDAT E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË KOMUNËN E VUSHTRRISË
Pengesat kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në jetën e tyre janë mungesa e mbrojtjes sociale, mos inkuadrimi i tyre në shkolla me fëmijët e tjerë. Në vend të saj, ata/ato ndjekin mësimet të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë, apo edhe ndahen në klasa të veçanta. Një tjetër pengesë për ta janë edhe mundësitë e vogla për punësim. Personat me aftësi të kufizuara diskriminohen dhe nuk u ofrohen mundësi të barabarta për të gjetur një vend pune.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në komunën e Vushtrrisë numri i përgjithshëm i personave me aftësi të kufizuara është 750 ndërsa 100 nga ta janë përdorues të karrocave. Në këtë numër të përdoruesve të karrocave hyjnë edhe personat e moshuar ose me ndonjë sëmundje të ndryshme si për shembull ata/ato me kancer. Mosha e tyre është nga 5 vjeç deri 90, dhe ka më shumë vajza e gra sesa djem e burra.
Pengesat kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në jetën e tyre janë mungesa e mbrojtjes sociale, mos inkuadrimi i tyre në shkolla me fëmijët e tjerë. Në vend të saj, ata/ato ndjekin mësimet të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë, apo edhe ndahen në klasa të veçanta. Një tjetër pengesë për ta janë edhe mundësitë e vogla për punësim. Personat me aftësi të kufizuara diskriminohen dhe nuk u ofrohen mundësi të barabarta për të gjetur një vend pune.
Janë këto fusha që formojnë piramidën e jetës shoqërore – që i bie se pa arsim cilësor nuk ka punë të dinjitetshme.
Isak Hyseni, kryetar i qendrës së Handikosit në Vushtrri, thotë se situata nuk është e kënaqshme, duke filluar prej arsimimit e deri tek punësimi ose jetesa e pavarur( pavarësia ekonomike). Sipas tij, një tjetër problem në Komunën e Vushtrrisë, por edhe komunat tjera, është mungesa e infrastrukturës.
‘’Sa i përket aspektit të problemeve tjera edhe komuna e Vushtrrisë nuk ka dallim me komunat tjera të Kosovës sa i përket infrastrukturës, sidomos qasja në objektet e vjetra, kurse objektet e reja në përgjithësi në një masë i plotësojnë kushtet në aspektin e infrastrukturës. E sa i përket punësimit si në aspektin publik po ashtu edhe privat kemi ngecje të mëdha”, shtoi ai.
Ndër të tjera ai thotë se komuna po mundohet që të ofroj kushte më të mira për këtë grup të shoqërisë, duke ofruar mjete të ndryshme të cilat i ndihmojnë ata/ato në tejkalimin e sfidave në jetën e tyre të përditshme. “Komuna gjatë këtyre dy viteve ka bërë të mundur sigurimin e donacioneve për personat me nevoja të veçanta. Këto donacione kanë qenë me mjete ortoprotetike ( pajisje, karroca , paterica e të tjera ), të cilat në masë të madhe e kanë lehtësuar jetën e tyre. Po ashtu komuna i ofron shoqatës mbështetje përmes subvencioneve, për kryerjen e veprimtarisë”, ka shtuar Hyseni.
Pavarësisht që udhëheqësit e qytetit të Vushtrrisë thonë se po punojnë në lehtësimin e jetës për persona me aftësi të kufizuara, gjendja reale më pas në rrugë është krejt tjetër. Në qytetin e Vushtrrisë rrugët nuk janë te përshtatshme për kalimtarë. Duke qenë se qyteti është i vogël dhe i mbingarkuar, trotuaret shumicën kohës janë të zaptuara nga veturat dhe ecja në rrugë bëhet e domosdoshme për qytetarët. Kur nuk ka hapësirë për ecje të qytetarëve, nuk ka vend as për biçikleta e lëre më për personat me aftësi të kufizuara. Nuk ka qasje të lehtë për ta në ato rrugë dhe kjo ua pamundëson atyre daljen e lirë e sidomos daljen pa ndonjë përcjelljen e ndonjë personi që do t’u ndihmonte t’i kalojnë rrugët e vështira qe janë. Kjo padyshim ndikon në mos pavarësimin e tyre duke qenë se dalja vet në rrugë mund të bëhet e rrezikshme.
Prandaj orientimi kryesor duhet të jetë në nxitjen dhe përhapjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe mbrojtjen e tyre, arsim cilësor, nxitje për pavarësi – përmes zhvillimit të aftësive ndër-personale, të lehtësojmë procesin e kalimit nga integrimi në gjithë përfshirjen e tyre. Gjithë përfshirja mund të jetë e suksesshme vetëm nëse shihet si një dimension, parim ose vizion.
Më shumë humanizëm dhe përgjegjësi për të gjithë ne që vrapojmë çdo minutë “pa i pritur” ata/ato që nuk mund “të vrapojnë aq shpejtë” sa ne për tu përfshirë bashkërisht në garën e madhe të jetës.
Mbi autoren- Elfate Zeneli është një vajzë 20 vjeçare nga Vushtrria e cila vijon studimet në Fakultetin Filozofik, Dega Punë Sociale.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.