SEKSUALITETI DHE SHOQËRIA KOSOVARE
Pra preferenca jote mbi veshjen, numrin apo llojin e partnerëve (përderisa është konsensuale dhe nën korniza legale) apo çfarëdo forme tjetër e shprehjes së motivaticionit tënd seksual nuk është morale por as nuk është imorale.Pra, është plotësisht neutrale në sensin moral, për më tepër është liri individuale që i përket privatësisë dhe shijes së individit.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Seksualiteti në shoqërinë kosovare është frut i ndaluar, koncepti mbi të cilin është e vështirë të diskutohet pasi vet termi si i tillë, definimi pezhorativ i tij, nënkupton diçka tabu dhe është personifikimi konkret i “marres” dhe “gjykimeve”. Realisht është konstrukti më i pastër, që haptazi zhvesh cinizmin dhe qasjen tonë shpesh primitive si shoqëri.
Qasja paragjykuese dhe ultra e rezervuar mbi seksualitetin është çuditërisht, për fatin tonë të keq, ndër problemet minimaliste të këtij diskutimi. Fenomen më shqetësues është hipokrizia që ne vazhdimisht demonstrojmë. Në njërën anë çdo sjellje të ndonjë forme ose tjetër që është ekspozim jo tradicional i ndonjë virtyti të perceptuar si “seksual” shihet si epifonia apo manifestimi i deficiences morale, i të pa pranueshmes. Në anën tjetër pikërisht këto forma të kritikuara të ekspozimit: artistik, komercial, në veshje apo zgjedhje të ndryshme të stilit të jetesës duket të jenë fshehurazi por qartazi ato që masa i konsumon, si vërehet nga kërkesat enorme.
Pra, përgjithësisht kur jemi nëpër ambiente të mbyllura, vetëm dhe pa observim, raporti ynë me seksualitetin në kontekstin social është shumë më pozitiv e pranues. Mirëpo ekziston njëfarë këmbëngulje se kemi një “obligim” moral të brendashkruar në kulturën dhe nënvetëdijen tonë shoqërore për t’i rezistuar këtij fenomeni, për të ruajtur “nderin”, të paktën publikisht. Për më tepër se një përpjekje jo e sinqertë, kjo këmbëngulje është dhe filozofikisht jo e qëndrueshme.
Duke i “shtypur” dhe injoruar problematikat lidhur me seksualitetin po prodhojmë efekte diametralisht të kundërta, pasi seksualiteti është pjesë integrale e çdo individi dhe “injorimi” i transformimeve të tij është jo efektiv për të mirën kolektive. Nëse qasja ndaj ndryshimeve të tilla shoqërore është rezistuese dhe e ashpër atëherë kjo përkthehet në shtypje ndaj grave si grup i margjinalizur dhe mund të prodhoj edhe reaksione të kalibrit të njëjtë si vetëmbrojtje nga ata që përkrahin çlirimin seksual. Pra për të kultivuar një raport më të shëndetshëm një qasje më jo gjykuese e liberale është e nevojshme.
Insistimi për konservim të nderit, për pastërti, një kërkesë për sakrifikim të nevojave dhe preferencave personale seksuale për hirë të imazhit e perceptimit publik është një ngarkesë shtesë dhe indinjuese që operon si barrierë tjetër kulturore shtypëse, në të shumtën e rasteve me target, gruan. Zgjidhje alternative për këtë problem nuk është alternimi i sjelljes në atë mënyrë që të garanton epitetin “grua e pastër”, një përshtatje kjo ndaj vet standardeve patriarkale. Këmbëngulja në të vërtetë duhet të fokusohet në një ndryshim fundamental të vet këtyre standardeve.
Replika e shkurtë mbi pyetjen “A është e moralshme një femër* që vishet “shkurt” ?“ (mos të harrojmë tendencën për selektivitet gjinor në kësi lloj gjykimesh të përditshme) është – nuk ka të bëj me moral. Replika më e detajuar është se moraliteti është plotësisht i parëndësishëm në këtë diskutim. Njëjtë sikurse diskutimi mbi moralitetin e ngritjes së dorës tënde lart, vendimi që ti të shkosh në tualet në ora 3 pasdite apo fakti që ti mund të dëgjosh muzikë Hip-Hop në mbrëmje. Janë akte që nuk hyn në kornizën e evaluimit normativ moral sepse nuk kanë asnjë efekt tek mirëqenia e individëve të tjerë, kriter mbi të cilin ndërtohet vet moraliteti.
Pra preferenca jote mbi veshjen, numrin apo llojin e partnerëve (përderisa është konsensuale dhe nën korniza legale) apo çfarëdo forme tjetër e shprehjes së motivaticionit tënd seksual nuk është morale por as nuk është imorale. Është plotësisht neutrale në sensin moral, për më tepër është liri individuale që i përket privatësisë dhe shijes së individit. Në konkluzion, është legjitim krijimi i një ambienti pranues për shprehjen e seksualitetit, ku ideja e këtyre etiketimeve të shëmtuara, shpesh seksiste, çrrënjoset.
Mbi autorin/en: Anonim
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC