RËNDËSIA E PUNËS VULLNETARE DHE VLERËSIMI I SAJ NË KOSOVË
“Vullnetar” – një person që kohën e tij/saj kontribuon për të ndihmuar komunitetin në përgjithësi, pa pasur interes për ndonjë pagesë ose ndonjë përfitim tjetër material.
Ilustrimi: Studio Permanent
Cili është ai përfitim që merr një vullnetar? – Përftimi i tij/saj është rritja e vetëbesimit, rritja e tolerancës, simpatia dhe empatia ndaj të tjerëve, socializimi, fitimi i përvojës së punës, pasurimi i diturisë dhe shumë gjëra të tjera.
Unë punën vullnetare e aplikoj që nga shkolla fillore, e deri tani që jam nxënëse e shkollës së mesme dhe ajo më ka ndihmuar në ndërtimin e personalitetit dhe karakterit.
Si një vullnetare në Kosovë dhe si një aktiviste rinore, them se vendi ynë ka nevojë për vullnetarizëm, e për fat të mirë viteve të fundit interesimi për një gjë të tillë është ngritur. Vetëdijesimi që marrim, si të rinj e të reja nga punët vullnetare, na ndihmon në fitimin e njohurive dhe zhvillimin aftësive të ndryshme të cilat më pas mund t’i aplikojmë në ndryshime pozitive për veten dhe për vendin tonë.
Vetë aplikimi i punës vullnetare në një vend, sjellë ndryshim sepse mes njerëzve krijohet solidaritet dhe reciprocitet, gjë që formon zhvillim të qëndrueshëm që ka rol në shoqërinë tonë, sepse vullnetarizmi ka ndikim dhe në ekonominë e vendit, ngase ka përfitime, e sidomos në vendet më të zhvilluara ku njohët puna vullnetare. Sipas një analize të “Learning to give” “ndikimi ekonomik i sektorit të vullnetarizmit (po ashtu e njohur si sektori jofitimprurës apo sektori i tretë) është i madh por gati i pamundur që të llogaritet”.
Derisa puna vullnetare në vendet e zhvilluara vlerësohet lartë, fatkeqësisht nuk mund të themi se e njëjta vlen edhe për vendin tonë. Shoqëria civile luan rol në vlerësim sepse puna e kryer dhe iniciativa e marra nga vullnetarët, nuk vlerësohet dhe aq nga opinion publik, e kjo gjë ka ndikuar në uljen e interesimit tek të vullnetarët në Kosovë, dhe kjo gjë është shqetësuese për një vend i cili karakterizohet me popullatë rinore.
Çka duhet ndërmerret që të rrisim interesimin e të rinjve për punë vullnetare? – Vlerësimit të punës vullnetare në Kosovë i nevojitet një kthesë e madhe ndryshimi, duke filluar nga vetë rinia, pikëpamja se si e shikon rëndësinë e vullnetarizmit, e pastaj ndryshim tek opinioni publik dhe institucionet shtetërore për krijimin e mekanizmave të nevojshme.
Duhet thyer mendimi se “puna vullnetare është thjesht një humbje kohe dhe nuk ka vlerat e saja”, sepse ajo sjellë ndryshim tek ne, dhe është në të mirë të shtetit. Unë si një vullnetare e moshës së re në Kosovë, kam marrë shumë kritika nga njerëzit që nuk më është vlerësuar puna në atë masë që duhet, por asnjëherë nuk kam ndaluar së kontribuari në vendin tim, prandaj bëjë thirrje që çdo i ri të merret me punë vullnetare pa marrë parasysh se si vlerësohet puna juaj, ngase çdo fillim me hapa të vegjël, krijohet zhvillim i dukshëm. Institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e tyre për vlerësim, si p.sh. miratimi i rregulloreve për vullnetarizëm dhe të rinj/reja në disa komuna, krijimi i ID-ve si vullnetar që të njihesh në komunën përkatëse, marrja e mirënjohjeve si vullnetar/e dhe punës së bërë në atë qytet, krijimi i një përqindje për zbritje në çmime dhe regjistrime të universiteteve private etj. Këto iniciativa të vogla janë të konsiderueshme që të hynë në funksion, sepse sadopak do e rrisë nivelin e interesimit tek të rinjtë/rejat për punë vullnetare.
Në Kosovë ekziston një platformë digjitale për vullnetarë “Kosovovolunteers.org”, e cila shërben për regjistrimin e vullnetarëve të Kosovës dhe bënë lidhjen e atyre vullnetarëve me organizata të ndryshme.
“Kjo është një platformë falas ku organizatat jofitimprurëse mund të postojnë mundësitë për vullnetarizëm dhe vendi ku vullnetarët e pasionuar dhe të shkathët mund të gjejnë mundësinë për të huazuar talentin dhe kohën e tyre. Gjithashtu, përpos bashkimit të vullnetarëve dhe rekrutuesve, platforma iu ofron palëve mjete dhe burime për të ndihmuar zhvillimin e programeve për përfshirje të komunitetit”, shkruhet në përshkrimin që i bëhet kësaj platforme në faqen e saj zyrtare në Facebook. Megjithëse, kjo faqe nuk duket të jetë edhe shumë aktive. Për vitin 2022 e ka vetëm një publikim për punë vullnetare derisa ueb –faqja është jashtë funksionit.
Megjithatë, kjo është një iniciativë e marrë për rini dhe ka rritur sadopak interesat e rinisë, e sikur të merren dhe iniciativat e lartpërmendura dhe iniciativa të tjera, atëherë ndikimi i tyre në interesim do rritej dukshëm dhe do sillte ndryshim të madh në shtetin tonë, do zvogëloheshin problemet rinore që ne hasim dhe do krijonim një brez të ri i cili do kishte nevojat e plotësuara dhe do ishte I njoftuar me frymën evropiane.
Unë, vullnetare 17 vjeçare e Republikës së Kosovës, iu bëjë thirrje të gjithë të rinjve që të mos dorëzohen dhe që të mos ndalojnë së aplikuari punën vullnetare në shtetin tonë, rrisni interesimin tuaj në këto punë dhe interesimin në arsimimin tuaj, sepse nëse ne dëshirojmë një ndryshim në vendin tonë, atëherë ai ndryshim fillon nga ne, ne jemi ata që mund të ndryshojmë çdo problem që hasim, të marrim atë që ne dëshirojmë, mjafton që të veprojmë së bashku për të mirën e vendit tonë, që dukuritë negative të zhduken njëherë e përgjithmonë.
Mbi autoren: Shyret Hoxhaj, 17 vjeçe nga Prizreni në ShMLP “Ymer Prizreni”
Ky grant mbështetet nga Austrian Development Agency