Reading Time: 2 minutes
Punëtoria Pikëpamja
moduli bazik
Pikëpamja, përmes punëtorive të modulit bazik ka për qëllim të ofroj praktika që inkurajojnë dhe fuqizojnë vajzat dhe djemtë e rinj të përfshihen në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre. Punëtoria e modulit bazik është dizajnuar për nxënës/e prej moshës 15-18 vjeçare dhe ndër të tjera ofron mundësi për zhvillimin e njohurive për katër agjentët kryesor të socializimit, zhvillimin e njohurive për të shkrimin argumentativ dhe zhvillimin e njohurive për storytelling, e të tjera. Përgjatë tre ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit/et po ashtu fuqizohen që të adresojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke i shtyrë ata/ato që të bëhen agjent për ndryshime pozitive në vendin dhe hapësirën ku jetojnë. Në këtë formë të investohet në kapacitetet e të rinjve dhe të rejave që të tërheqin vëmendjen karshi çështjeve që i preokupojnë dhe të promovohet përfshirja e rinisë në sferën publike. Si dhe të rritet vetëdija e publikut mbi pikëvështrimet e rinisë.
Shkolla për Shkrim dhe Mendim Kritik – Pikëpamja
Moduli i avancuar
Shkolla për Mendim dhe Shkrim Kritik – Pikëpamja, vjen si nevojë për ofrim të një programi të avancuar për të rinjtë dhe të rejat që duan të përfitojnë aftësi më të thella të trajtimit të çështjeve të ndryshme përmes shkrimit. Shkolla në kuadër të Pikëpamjes është e dizajnuar për student/e prej moshës 19-24 vjeçare dhe ndër të tjera ofron mundësi për zhvillim të njohurive për analizimin e të dhënave të mbledhura për projektin hulumtues, identifikim të problemit hulumtues, teknika dhe strategji të intervistimit, zhvillim të njohurive për citim dhe përpilim të listës së referencave, zhvillim të njohurive për argumentimin dhe kundërargumentimin, etj. Përgjatë pesë ditëve të shkollës pjesëmarrësit/et do të pajisen po ashtu me përmbajtje të avancuar mbi qytetarinë aktive, zhvillimin rinor dhe fuqizimin dhe çështjet sociale.
Andaj edhe qëllimi i kësaj shkolle është t’i ofroj të rinjve dhe të rejave mundësi për të marrë aftësi të avancuara me fokus të veçantë në shkrimin dhe mendimin kritik si mjete për tu bërë faktorë ndryshimi në shoqëri e për të adresuar çështje sociale dhe të komunitetit siç janë nevojat, prioritet dhe interesat e rinisë, barazia gjinore, të drejtat e njeriut, jo diskriminimit, ambientit, etj.