Prioritizimi i shëndetit mendor, nevojë urgjente
Ilustrimi: Studio Permanent
Një ndër çështjet që po diskutohet në botë, e madje po prioritizohet që nga pandemia COVID-19 është edhe shëndeti mendor. Ndonëse, në shumë vende të botës mirëqenia dhe shëndeti mendor ngrihen si çështje shumë me rëndësi, shumë vite më parë edhe para pandemisë COVID-19, në Kosovë ende vazhdon të mos jenë në listën e çështjeve prioritare. Pra, pandemia COVID-19, me ndikimin negativ në të gjithë botën, përtej ndikimit në shëndetin fizik ka përkeqësuar po ashtu gjendjen e shëndetit mendor të personave të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë kosovare. Sipas Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut në Kosovë në Vitin 2020 “masat si ora policore dhe karantinimi i detyrueshëm në muajt e parë të pandemisë, si dhe ndikimi i pandemisë në gjendjen socio-ekonomike dhe pasiguria e përgjithshme në lidhje me të ardhmen e rritën nivelin e problemeve të shëndetit mendor në Kosovë, si ankthi dhe çrregullimet e gjumit”. Ndër faktorët ndikues kanë qenë edhe paragjykimi e frika ndaj vaksinimit. Studimet tregojnë, se prevalenca globale e ankthit dhe depresionit u rrit me 25% gjatë vitit të parë të pandemisë COVID-19.
Kjo situatë, më shumë se kurrë, ka vënë në pah rëndësinë e prioritizimit të shëndetit mendor si një prej çështjeve që duhet adresuar që prej valës së parë të pandemisë. Prandaj, gjatë valës së parë të pandemisë, ka pasur disa përpjekje për të zbutur efektin negativ të pandemisë në shëndetin mendor. Ndër to, Ministria e Shëndetësisë dhe Departamenti i Psikologjisë, së Universitetit të Prishtinës, kanë punuar për të ofruar shërbime të ndihmës së parë psikologjike, “Mbështetu” përmes telefonit dhe chatit. Sipas, planit për veprim gjatë valës së parë të pandemisë thuhet se “mbi 5000 qytetarë kanë kontaktuar me këto shërbime dhe sipas kësaj, studimi i të dhënave relevante gjatë shfrytëzimit të këtyre shërbimeve dëshmoi se: 37.2% e klientëve kanë përjetuar stres, 40.2% ankth, (…) dhe 15.2% simptoma depresive”. Bind Skeja, psikolog dhe themelues i qendrës telefonike për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës”, tregon se edhe gjatë kohës së pandemisë, Linja e Jetës, po ashtu ka ofruar shërbime për qytetarët.
Përveç ndikimit në përkeqësimin e shëndetit mendor, pandemia COVID-19, mund ketë kontribuar edhe në uljen e stigmës për shëndetin mendor. Është vërejtur se pandemia ka ndikuar që njerëzit të ndjejnë më pak peshën e stigmatizimit, kur kanë pasur nevojë të flasin për ndikimet që i kanë vërejtur në shëndetin e tyre mendor. Kjo çështje është trajtuar në media vendore, jo vetëm nga ekspertët e fushës, por edhe nga qytetarët. Gjatë kësaj kohe, është diskutuar më shumë për kujdesin ndaj shëndetit mendor, gjë që paraqet indikator për ndikim në destigmatizimin ndaj problemeve të shëndetit mendor në Kosovë. “Përderisa kemi qenë të mbyllur, ka pasur shumë informata të cilat kanë qarkulluar për shëndetin mendor. Kjo d.m.th ka ndikuar pozitivisht, në destigmatizimin e diskutimit për shëndet mendor, por kjo nuk ka vazhduar. Problemi kryesor është se, njerëzit të cilët merren me investime nuk e kuptojnë sfidën për shëndetin mendor”, thotë Skeja.
Megjithatë, shëndeti mendor, vazhdon të mos jetë ndër prioritetet e politikëbërësve dhe vendimmarrësve. Në një shkrim të Violeta Zefi, psikologe, të publikuar në S’bunker, me titull “Pasojat afatgjata të pandemisë në shëndetin mendor” thuhet se, “”Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025” në vetëm dy raste e përmend fjalën “shëndet mendor”, pa dhënë detaje apo pa paraqitur ndonjë aktivitet konkret dhe të mirë-elaboruar se cili është qëllimi për përmirësimin e këtij aspekti të rëndësishëm të shëndetit në përgjithësi”.
Kjo qasje e cila tregon për mos prioritizimin e shëndetit mendor sigurisht se ndikon në krijimin e mekanizmave të cilat do t’i dilnin në ndihmë personave në nevojë.
“Tani i kemi vetëm 8 qendra të shëndetit mendor, edhe ato janë të përkrahura minimalisht. Linja e Jetës nuk ka fond të ndarë nga qeveria për mbështetje. Aktualisht jemi shteti që më së paku investon në shëndetin mendor. Vetëm 1% e buxhetit të Ministrisë të Shëndetësisë, ndahet për shëndet mendor. Kjo nuk do të duhej të ishte e pranueshme.”, ka theksuar Skeja.
Urgjenca për investim në mirëqenie dhe shëndet mendor nuk ka kaluar, sepse edhe pas përfundimit të pandemisë, do të vërehen pasojat e saj në shëndetin mendor të qytetarëve. Pra, pandemia COVID-19 përveç që ka ndikuar negativisht dhe ka sfiduar shoqërinë tonë, në të njëjtën kohë ka shpalosur një realitet që medoemos duhet të rregullohet. Ka treguar, se të kujdesemi për shëndetin mendor është esenciale. Ka treguar, se duhet të ndalet neglizhenca e sistemeve qeverisëse në raport me shëndetin mendor. Tani më shumë se çdo herë është e nevojshme të prioritizohet përfundimisht çështja e shëndetit mendor duke rregulluar dhe përforcuar strukturat ekzistuese që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor. Po ashtu është e nevojshme të investohet në fuqizimin e organizatave që punojnë në fushën e mirëqenies psiko-sociale në vend, duke u ofruar edhe mbështje financiare për ofrim të programeve që janë të fokusuara në mirëqenie dhe shëndet mendor. E pjesa që do ta cilësoja si ajo drita që gjithmonë del në fund të tunelit, është se brenda kësaj shoqërie ka ende shpresë. Ka persona profesional e vullnetmirë që punojnë çdo ditë në përmirësimin e shëndetit mendor, prandaj duhet të investojmë në krijimin e kushteve dhe të ofrojmë mbështetje në angazhimin e tyre. Mbështetja e kësaj force, është burim qenësor për mirëqenien e shoqërisë sonë.
Mbi autoren: Viola Greiçevci, është 19 vjeçare nga Prishtina, e cila vijon studimet në Departamentin e Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës
Ky grant mbështetet nga Austrian Development Agency