“PIKËPAMJA”, PLATFORMA KU DËGJOHET ZËRI I RINISË
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Të rinjtë dhe të rejat përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë në Kosovë. Ata/ato duan ta shohin vendin e tyre të zhvilluar që ofron mundësi të mjaftueshme për secilin/ën prej tyre. Përkundër këtij fakti, zëri i tyre dëgjohet shumë pak në proceset vendimmarrëse dhe nevojat e tyre nuk përfillen. Mënyra e reagimit, që zëri i tyre të dëgjohet, ka mbetur më shumë në baza individuale varësisht prej kërkesës, por edhe ndonjëherë në grupe të vogla. Megjithatë kërkimi i të drejtave të tyre nuk do të duhej të ishte diçka e vështirë, e as nuk do të duhej të shkonte gjithmonë në shenjë proteste.
Duke e parë gjendjen që mbizotëron dhe pas një pune të gjatë me të rinj dhe të reja, lindi ideja që të krijohet një platformë e cila do të shërbente pikërisht për këtë çështje. “Pikëpamja” ka për qëllim të ofroj praktika që inkurajojnë dhe fuqizojnë vajzat dhe djemtë e rinj të përfshihen në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre. Kjo është menduar të arrihet duke ofruar një platformë përmes së cilës trajtohen çështje që lidhen me nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke u dhënë prioritet të rinjve dhe të rejave e grupeve të margjinalizuara në shoqërinë tonë. E gjithë është arritur nëpërmjet shkrimeve që pjesëmarrësit kanë shkruar duke trajtuar tema të ndryshme të cilat i prekin ata dhe vendin në të cilën jetojnë.
Në këtë formë po investohet në kapacitetet e të rinjve dhe të rejave që të tërheqin vëmendjen karshi çështjeve që i preokupojnë dhe të promovohet përfshirja e tyre në sferën publike. Si dhe të rritet vetëdija e publikut mbi pikëpamjet e rinisë.
Përgjatë punëtorive që janë mbajtur në vitin 2019, në kuadër të Pikëpamjes, punës nga afër me rreth 60 të rinj e të reja, është vërejtur se sa shumë është e nevojshme që të krijohet një mundësi që ata/ato të ngrisin zërin për çështjet që i preokupojnë. Dëshira për të mësuar më shumë rreth trajtimit të temave të ndryshme, nuk ka munguar. Përmes ushtrimeve, detyrave dhe pjesëmarrjes në diskutime, kanë zhvilluar mendimin kritik.
E gjithë kjo përvojë edhe për ne ka shërbyer si tregues i mirë për të parë nga afër se si këta të rinj e të reja po marrin formë. Në anën tjetër edhe ka vënë në pah gjendjen reale që mbizotëron dhe është bërë e qartë se cilat janë me të vërtetë pikëpamjet e tyre.
Tri prej temave kryesore, apo shqetësimeve, që kanë dalë nga aplikimet e shuma për Pikëpamjen, ishin: papunësia, korrupsioni dhe nepotizmi. Këto të tria ishin vetëm si pikënisje e shpalosjes së gjithë problemeve të tjera që vijnë si rezultat i tyre. Por, kjo nuk është e tëra. Guximi i rinisë për të trajtuar tema të ndjeshme dhe shumë serioze është një prej faktorëve kryesor që tregon se sa të vetëdijshëm janë rinia, e në anën tjetër edhe sa kanë shumë potencial për tu zhvilluar, nëse edhe kanë hapësirë për ta bërë një gjë të tillë.
Temat që janë trajtuar brenda këtij viti në Pikëpamje, janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mbrojtja e ambientit; bullizmi; mungesa e edukatës seksuale në shkolla; literatura shkollore dhe dezinformimi; barazia gjinore është trajtuar prej këndeve të ndryshme, duke filluar nga roli i burrave në luftën kundër diskriminimit gjinor, më pas pozitën e vajzës/gruas në familje dhe ndarjes së hises. Po ashtu edhe objektivizimi që i bëhet grave në portale, për mbidozën patriarkale, përfshirjen e grave në këshilla lokal, për martesën si zgjidhje e jo obligim. Një temë tjetër e trajtuar shumë është edhe ikja ose dëshira për të ikur nga vendi i të rinjve dhe të rejave.
Ky fakt është një tregues i mirë për gjendjen që mbretëron tash e sa vite në Kosovë, dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë e tillë. Nga kjo i bie se vendi nuk po arrin të rimëkëmbet e as të krijoj kushtet e nevojshme për punësim, gjë që po e bënë rininë ta shohin të ardhmen e tyre jashtë shtetit. Politikat e deri tanishme nuk ia kanë dalë që të krijojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillim e punësim, ose edhe inkurajim të rinisë për të projektuar të ardhmen e tyre në vendin ku janë lindur dhe jetojnë.
Përkundër gjithë faktorëve negativ që mund të jenë në vendin tonë, një gjë është e qartë: Kosova ka një rini të shëndoshë, të hapur dhe të etur për ndryshim. E nëse secili/a prej tyre nisin e bëjnë ndryshime të paktën në një prej gjërave për të cilat kanë shkruar atëherë kjo do të thotë se e ardhmja është e ndritur. Fundja edhe ky është qëllimi i Pikëpamjes, që të arrij të paraqes zërat e rinisë, dhe më pas ato shkrime të shpërndahen e të marrin rolin e një treguesi të qartë për ndryshim, e pse jo edhe inspirim.
Ky shkrim pasqyron përvojën e ekipit të fondacionit Shtatëmbëdhjetë gjatë punës me të rinj dhe të reja në projektin Pikëpamje.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.