(PA)BARAZIA GJINORE NË SEKTORIN E ENERGJISË
Gratë me pjesëmarrje prej 22.1% kanë kryesisht pozita administrative, komunikuese dhe jo me ndikim në vendim-marrje. Shpjegime të mundshme për dallimet gjinore në sektorin e energjisë janë: mungesa e aftësive si pasojë e dallimeve gjinore në institucionet arsimore (relevante me energjinë), përceptimi se sektori energjetik nuk është fushë për gra për shkak të stereotipave ekzistuese, mundësitë e pakta për ngritje në karrierë si dhe mungesa e programeve këshilluese për gra.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në sektorin e energjisë ekzistojnë dallime dhe pabarazi gjinore. Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) është themeluar për t’i mbledhur, analizuar dhe shpërndarë të dhënat mbi dallimet dhe (pa)barazinë gjinore në Evropë. Indeksi 100 nga EIGE do të thotë se ka barazi të plotë gjinore. Nga një studim të vitit 2019 nga ky institut indeksi mbi dallimin gjinor në BE ka dalur të jetë 67.4. Ky studim ka përfshirë edhe sektorin e energjisë, përkatësisht dallimet gjinore në trajnimet, edukimin dhe tregun e punës në sektorin e energjisë.
Qasja në energji ka pësuar vazhdimisht rritje. Sipas indikatorëve të Bankës Botërore qasja në energji për BE është 100% (World Bank, Sustainable Energy for All (SE4ALL)). Nga aspekti teknik mund të duket se të gjithë banorët e BE kanë qasje të njëjtë në energji dhe se ka barazi të plotë gjinore sa i përket qasjes në energji. Mirëpo, sistemi i energjisë për nga natyra është sistem socioteknik. Kjo do të thotë që jo të gjithë e kanë përjetimin e njëjtë në këtë sektor. Dallimet vërehen kur bëhet krahasimi në mes të qasjes në energji dhe faktit se sa është e përballueshme ekonomikisht qasja në energji. EIGE ka të dhëna mbi shtëpitë me një person (single person household) dhe sipas analizave del se gratë përbëjnë përqindje më të madhe në këtë kategori.
Ekzistojnë dëshmi se ka dallime gjinore në paga. Kur përmes spektrit gjinor analizohet raporti mes çmimit të energjisë elektrike dhe të hyrave për shtëpitë me një person vihen në pah vështirësitë që gratë hasin në përballueshmërinë ekonomike të qasjes në energji (Clancy et al. 2017). Përkundër asaj se në mundësi të zgjedhjes gratë kanë tendencë të zgjedhin opsione “më të gjelbra” dhe të qëndrueshme (EIGE), problemi qëndron te fakti se sa janë të përballueshme ekonomikisht këto preferenca. Mënyra se si të hyrat dhe dallimet në paga e kufizojnë përfshirjen e grave në tranzicionin energjetik është duke pamundësuar investimet në energji efeciente dhe zgjidhjeve të tjera që do të ndikonin drejtpërdrejtë në zvogëlimin e konsumit të tyre të përgjithshëm të energjisë dhe rrjedhimisht të kenë fatura më të përballueshme.
Njëherit kjo e bën të pabarabartë pozitën e gruas në tranzicionin energjetik. Tranzicioni energjetik ka krijuar një trend të rritjes së vendeve të punës. Megjithatë edhe në sektorin e energjisë së ripërtrishme vërehen dallimet gjinore në numrin e të punësuarve si dhe në pozitat e punëve që kanë këta të punësuar (Sustainlabour, 2013) dhe (EIGE, 2012). Në sektorin e energjisë mbizotërojnë burrat me 77.9% me pozita të punës nga më të ndryshmet.
Gratë me pjesëmarrje prej 22.1% kanë kryesisht pozita administrative, komunikuese dhe jo me ndikim në vendim-marrje. Shpjegime të mundshme për dallimet gjinore në sektorin e energjisë janë: mungesa e aftësive si pasojë e dallimeve gjinore në institucionet arsimore (relevante me energjinë), përceptimi se sektori energjetik nuk është fushë për gra për shkak të stereotipave ekzistuese, mundësitë e pakta për ngritje në karrierë si dhe mungesa e programeve këshilluese për gra.
Përmes një studimi ndërkombëtar mbi pjesëmarrjen e grave në pozita vendim-marrëse në ministritë përgjegjëse për krijimin e rregulloreve dhe programeve për energji ka zbuluar se pjesëmarrja e tyre në këto pozita është 6%. Në Mars 2019, vetëm 4 shtete të BE kanë pasur gra si Ministre të Energjisë. Projekti evropian, “Climate for Change – Gender Equality and Climate Policy” ishte hartuar për të promovuar pjesëmarrjen e grave në pozita vendim-marrëse lidhur me ndryshimet klimatike. Sipas këtij studimi shumica e vendeve të Evropës kanë pasur pjesëmarrje të ulët të grave në këto pozita me dallime të vogla të shteteve anëtare të BE-së.
Situata qëndron njëjtë si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. EIGE ka analizuar 295 kompani për energji dhe ka rezultuar se vetëm 36% e këtyre kompanive kanë gra në bordet e tyre drejtuese apo menaxhuese. Sipas të njëjtit studim vetëm 17.3% e grave në sektorin publik të energjisë janë të punësuara në pozita të larta me ndikim në vendim-marrje.
Ky shkrim bashkë me studimet e përmendura nuk e kanë për qëllim të ofrojnë dëshmi se nëse gratë në pozita vendim-marrëse i përfaqësojnë interesat e shoqërisë më mirë se sa burrat. Ky shkrim bashkë me studimet e përmendura dhe të dhënat e analizuara përmes filtrave gjinorë kanë karakter informativ mbi gjendjen momentale të (pa)barazisë gjinore në shoqëritë tona me fokus të veçantë në sektorin e energjisë. Madje, arritjen në përfundime të tilla e konsideroj të rrezikshme për arsye se përmes qasjes së tillë e tërë barra bie në individin e caktuar, në këtë rast gruan, që gjendet në atë pozitë dhe e largon përgjegjësinë nga grupet tjera gjinore.
Duke u përqendruar në arritjet e individëve rrezikojmë të largojmë vëmendjen nga barrierat gjinore ekzistuese brenda institucioneve publike apo private e vëmendja nuk bën të largohet prej këtyre çështjeve. Të paktën jo deri sa të arrihet një nivel i vetëdijes dhe mirëqenies ashtu që secili individ, pavarësisht gjinisë, të jetë i vetëdijshëm se ka alternativa dhe mund të bëjë çfarë është i prirë të bëjë.
Mbi autoren: Ana Nimani është një vajzë 21 vjeçare e cila ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.