NJË OBJEKT ME DY SHKOLLA E REALITETE TË NDRYSHME
Në të njëjtin objekt shkollor, nxënësit shqiptar mësojnë me planprogramin e Kosovës, etnitë tjera mësojnë me planprogram të Serbisë. Po ashtu gjuha në të cilën mësojnë etnitë e ndryshme dallon. Rrjedhimisht, edhe arsimtarët që ligjërojnë janë të ndryshëm për etnitë e ndryshme. Komuniteti shqiptar është i vendosur në kate të ndryshme nga komunitetet e tjera të cilët janë të vendosur në katin e tretë. Diçka tjetër e çuditshme është se edhe emri i shkollës ndryshon , madje ka dy drejtor të ndryshëm që udhëheqin shkollën. “At Shtjefën Gjeçovit” njihet shkolla për nxënësit dhe personelin shqiptar, kurse për kroatët, romët, ashkalitë dhe egjiptianët quhet “Vladimir Nazor”.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Janjeva njihet si një qytezë historike dhe me diveristet kulturorë, pikërisht për shkak të bashkëjetesës së shumë komuniteteve. Në objektin 4 katësh ku gjendet shkolla fillore e mesme-ulët “Shtjefën Gjeçovi” ndjekin mësimin rreth 311 nxënës, të tre komuniteteve të ndryshme. Prej tyre 250 janë shqiptarë, 35 janë rom dhe 15 janë kroat.
Pavarësisht që grupe të ndryshme etnike të nxënëseve kalojnë nëpër objektin e njëjtë, ata/o përjetojnë realitete të ndryshme. Pra, edukohen me plan programe të ndryshme, janë të vendosur në klasa ose kate të ndryshme, madje edhe arsimtarët, drejtoria dhe shkolla janë të ndryshme. Përderisa, nxënësit shqiptar mësojnë me planprogramin e Kosovës, etnitë tjera mësojnë me planprogram të Serbisë. Po ashtu gjuha në të cilën mësojnë etnitë e ndryshme dallon. Rrjedhimisht, edhe arsimtarët që ligjërojnë janë të ndryshëm për etnitë e ndryshme. Komuniteti shqiptar është i vendosur në kate të ndryshme nga komunitetet e tjera të cilët janë të vendosur në katin e tretë. Diçka tjetër e çuditshme është se edhe emri i shkollës ndryshon , madje ka dy drejtor të ndryshëm që udhëheqin shkollën. “At Shtjefën Gjeçovit” njihet shkolla për nxënësit dhe personelin shqiptar, kurse për kroatët, romët, ashkalitë dhe egjiptianët quhet “Vladimir Nazor”.
Sado që objekti i njëjtë shfrytëzohet nga të gjitha komunitetet, rrugëtimi i këtyre nxënësve pas përfundimit të shkollës ndryshon shumë. Në këtë fazë për disa prej komuniteteve fillojnë sfida tjera meqë duhet të shkojnë në shkolla tjera të ndara nga komuniteti shqiptar dhe kanë zgjedhje më të pakta ku mund të vazhdojnë shkollimin. Për disa prej këtyre etnive tjera, njëri prej opsioneve është Graçanica për shkollim të mesëm, dhe tjetri është Mitrovica e Veriut për universitet. Që të dyja këto vende janë në distancë të largët me Janjevën dhe e vështirëson procesin e mësimnxënies për këta nxënës. Kjo gjë është shumë shqetësuese dhe duhet të gjendjet një zgjidhje e përshtatshme për të gjithë nxënësit/et pavarësisht etnisë së tyre e që duan të vazhdojnë shkollimin.
Sigurisht se ky diversitet, mirëpo edhe ndasitë që ndodhin brenda shkollës shihet ndryshe nga secili/a që vijon mësimet në këtë objekt.
Arta Gashi është një vajzë 14 vjeçe, shqiptare, nga Janjeva e cila vijon mësimet në shkollën At Shtjefën Gjeçovi. Ajo beson se shkolla si institucion i përket të gjithë nxënësve pa dallim. Edhe pse në vendin ku ajo jeton thotë se nuk respektohen të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe se këto paragjykime ndodhin shpesh.
“Pothuajse askush nuk i respekton, gjysma i kanë vetëm fjalë. Ka edhe prej atyre që i respektojnë por shumë pak”, thotë Arta, teksa tregon se ka qenë prezente dhe është dëshmitare kur paragjykimet kanë ndodhur. Por nuk është se as ajo nuk ka paragjykuar ndonjëherë, ani pse tani është bindur se ka gabuar.
“Për mua nuk ka problem se të gjithë jemi njerëz, tek e fundit nuk jemi duke shkuar në shkollë për ndonjë gjë tjetër, por për të mësuar. Për këtë arsye edhe komunitetet e tjera duhet të ndihen të lirë së bashku”, shton ajo.
Arta tregon se përkrah shumë komunitetet e sidomos në raste kur është prezente, kur ndodh ndonjë diskriminim ose paragjykim. Pohon se edhe aktivitetet që mbahen në shkollë, ndihmojnë shumë në afrimin dhe rregullimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe etnive tjera.
“Kryesisht aktivitetet që mbajmë janë sportive, por kemi edhe aktivitete të artit, gjë që më shtyn të mendoj se ndihmon shumë tek rregullimi i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe komuniteteve”, thotë Arta, e cila fton të gjithë ata/ato që paragjykojnë të vendosin veten në vendin e të paragjykuarit/es, vetëm një herë dhe të shohin se si ndihen.
Ndryshe nga Arta, Laura Jozić, 13 vjeçare, e cila i përket komunitetit kroat dhe vijon mësimet në shkollën “Vladimir Nazor, thotë se ka miqësi me të gjitha komunitetet dhe se ndihet rehat ne secilin mes.
“Ndoshta pasi që jam e shoqëruar me shumicën e nxënësve askush deri më tani nuk më ka diskriminuar ose paragjykuar”, thotë Laura. “Do të ishte mirë sikur edhe shkollat e tjera të përmbanin një diversitet të gjerë kulturor”, shton ajo.
Mbi autoren: Blertina Gashi, 15 vjeçare nga Janjeva, është nxënëse në shkollë fillore.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).