Një jetë punë e pa paguar
Unë isha fëmija i parë. Më duket e kam të gjallë atë kohë të fëmijërisë në kujtesën time dhe shpesh e sjell në mendje. Gjithmonë kemi punuar tokën me familje, kemi ruajtur bagëtinë e babës e t’mixhës, tanë verën e lume. M’livdojshin shumë qysh punojsha, se punën e bojsha punë, jo veç sa me e kry, shkel e shko. Ndonjëherë e di që mund të jem konsideru numër, argate, një vijë e punuar më shumë me misër e fasule.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Jam e 69-tës. E lindur në një fshat të largët malor. Bukuria e fshatit tim nuk ka të bëjë aspak me cilësinë e jetës që e zhvillojnë njerëzit aty, por ja që e përmenda këtë detaj të jashtëm, sa për të hyrë në temë. Kur kam lindur unë, nuk ka pasur vetura, e aq më pak autobusa. As sot nuk del autobusi deri në fshatin tim. Duket se e ka të vështirë t’i bëj bashkë aq njerëz sa i nevojiten, në një orë të caktuar të ditës. Ndoshta se fshati im i vogël është i fshehur në mes të maleve, atje thellë diku.
Unë isha fëmija i parë. Më duket e kam të gjallë atë kohë të fëmijërisë në kujtesën time dhe shpesh e sjell në mendje. Gjithmonë kemi punuar tokën me familje, kemi ruajtur bagëtinë e babës e t’mixhës, tanë verën e lume. M’livdojshin shumë qysh punojsha, se punën e bojsha punë, jo veç sa me e kry, shkel e shko. Ndonjëherë e di që mund të jem konsideru numër, argate, një vijë e punuar më shumë me misër e fasule.
Aq shumë punë kemi pas saqë, ka ndodhë në shkollë kemi shku me opinga t’përlyeme, sakaq nga ahuri. Unë shkollën e pata ndërpre në klasë të 8-të edhe pse mësojsha mirë edhe m’pëlqejke shumë me lexu libra. Qashtu e patën ndëpre edhe 15 qika tjera që i kom pas në klasë. Me ato që jam në kontakt edhe sot, e di që asnjëra nuk e ka vazhdu ma kurrë shkollimin e as nuk punon punë tjera, përpos qatyne të shpisë. Ndoshta ndonjë që është martu në Gjermani dhe diku gjetkë edhe punon, nuk e di për të gjitha. Po sqarona shkurt pse nuk e kam vazhdu shkollën ndoshta dikujt i intereson. Shkollë të mesme në fshat nuk ka pas, e për me shku në qytet, u dashke me ecë në këmbë shumë kilometra. Qikat si kanë lanë me ecë vetëm atëherë.
Kur i kalova të 20-tat, ja nisën me m’lyp me mbles. Njëhere nuk dojsha, baba jashtë shtetit, e nana në shpi me vllazën edhe një motër ma të vogël. Baba deri vonë jashtë vendit ka qenë, t’u punu, t’u u mundu për me fitu diçka, po baba nuk ka ditë kurrë me na gëzu me paret që i ka fitu. Kur u bonën disa vjet, dëgjova që vetëm unë edhe një qikë tjetër çka e kam pas në klasë, kena mbetë pa u martu në fshatin tonë. Llafe të këtilla dëgjojsha shpesh, të dukej sikur martesa ishte qëllimi kryesor prej momentit që lind një çikë n’këtë tokë. Dikur… pak t’u m’fol nana, e pak edhe unë vetë, ja nisa me konsideru punën e martesës. Pajë pata bo boll, çdo herë kur shkojsha te dajt në qytet, blejsha lëmsha për m’i punu qëndismat si peshqirat, jastëkat e çka jo. Ngjyra ngjyra i kam punu shumicën prej tyne.
Ani pse të shpia e kena ngrënë bukën më së shumti me tamël edhe kos, une pajën u dashtë me bo, se jom kon çikë në prag t’martesës, e nuk ka bo me shku te burri duar thatë. Shumicën e pajës teme sot e kam diku në tavan, të palosun si është më së miri, me një valixhe të vjetër, të cilën e pat ble burri për vete, moti. Paja m’ka mbetë me një vend qe sa vjet, e më është mbulu me pluhun, qashtu qysh kom mbetë edhe unë, e ngujuar në një moçal pa rrjedhë. Shumë pak gjana dija për jetën kur jam martu. Veç e dija që te nana nuk bon me nejt edhe shumë, qeshtu të gjithë m’thojshin.
Në shpi të burrit, gjithë ditën punojsha punë të shpisë, po kurrë nuk jam revoltue e me qu krye. Rrallë e përmallë kam bo fjalë, veç kur m’ka plas fort zemra, e s’kom mujt pa e qit t’keqtin që m’u mblidhke n’zemër. T’kisha folë pak ma shumë, t’kisha luftue pa u ndalë për të drejtat e mija, ndoshta sot isha edhe unë dikush. Te burri kam fshi e kam la, tani m’u bonën edhe fmija. Burri punojke gjithë ditën, në shpi vike në mbramje. Unë tanë ditën me qata fmijë, me qat vjehërr e edhe te burri gjeta bagëti që kishin nevojë për përkujdesjen tem. Ndonjëhere dojsha veç me dal edhe unë si burri, mos me pas as një punë të shpisë me bo. As një bukë me pjek, as një enë me la, as një pelenë me ndërrue. Kam derdhë lot sa kam mujtë e kom duru shumë. Thojsha të shkoj te shoh ku po punon ai, ndoshta ka vend edhe për mue me punu aty.
Dojsha edhe unë me pa sa çliruese është me pas jetën tonde në dorë, një herë në jetë me ba diçka që t’pëlqen vetë, pa marrë leje e pa lyp t’holla nga askush. E di që gjithçka kishte me qenë ma ndryshe nëse e kisha pas këtë mundësi, se mua m’duket që busullën e jetës tem nuk e kam mbajt kurrë vetë. Te burri i kam bo disa shoqe në mahallë, moshatare të mia shumica, nuk e mbaj mend që kanë punu diçka tjetër pos punëve të shpisë as ato. Çikat tona mos e paçin fatin tonë. Çikën tem e kam motivu për m’u bo e pavarun, e me qenë e zonja e vetes, sa kam mund e sa kam pas mundësi i kam dhan zor. Edhe ja, për shkak të saj, kjo storie përfundon pak ma butësisht sot. Çika jeme t’u e ditë që une tanë jetën kam punue punë dore, u shkollu e punon për vete, po u kujtu edhe për mu. Tash unë po thurr shalla e kapela për dimër, e qika po m’i shet te ata njerëz që po interesohen m’i ble produktet e durve t’mija. Së paku tash, në pleqni, po e mësoj çka osht me pas shpirtin e lirë, e me pas paren tande. Tash tu e pa qikën teme edhe mu më është zgjatë jeta. Unë shoqe, u çkapa nga vallja. Dola nga fluska e hekurt që kisha pas ndejtë për sa e sa vite t’rinisë teme. Ndërsa çikën tem e mësova mos më jetu në fluskë hiç. E mësova me qenë ARGATE E VETVETES.
Shënim: Artikulli është rrëfim personal që shtjellon temën e papunësisë së një gruaje në viset rurale, dhe është i prezantuar si tillë për të ruajtur origjanilitetin e rrëfimit të saj.
Mbi autoren: Florida Kastrati është duke kryer studimet master në drejtimin Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States