MUNGESA E HAPËSIRAVE ALTERNATIVE NË VITI
Ilustrimi: Studio Permanent
Komuna e Vitisë gjendet në juglindje të Kosovës dhe mbulon një sipërfaqe prej afërsisht 276 km². Kjo komunë përfshinë qytetin e Vitisë dhe 38 fshatra. Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, popullsia e përgjithshme e Komunës së Vitisë në vitin 2021 ishte rreth 48 mijë. Kjo komunë numëron 17 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta me 7438 nxënës dhe 524 mësimdhënës, tri (3) shkolla të mesme me 2.464 nxënës dhe 796 mësues dhe një (1) kopsht me 80 fëmijë dhe tetë (8) mësimdhënës.
Në bazë të një hulumtimi nga Instituti GAP, me temën Letërnjoftimi i Komunave për vitin 2021, në Komunën e Vitisë, mësimin e ndjekin 8,037 nxënës në të gjitha nivelet e arsimit para universitar. Përkundër faktit që kjo komunë ka regjistruar rritje të numrit të popullsisë për 1% nga regjistrimi i fundit i popullatës, për shkak të emigrimit, numri i nxënësve në shkollat e Vitisë ka rënë dukshëm, ku në vitin shkollor 2019/2020 ka 39% më pak nxënës se sa në vitin shkollor 2008/09.
Pavarësisht që të rinj dhe të rejat janë një aset shumë i rëndësishëm për shoqërinë dhe vendin, në Komunën e Vitisë nuk po bëhet mjaftueshëm për të ofruar mundësi për rininë.
Megjithatë Komuna e Vitisë aktualisht hapësirë e cila ofron program për të rinjtë dhe të rejat. Qyteti ku unë jetoj, në Viti, nuk ka shumë hapësira ku unë si një e re dhe bashkëmoshatarët e mi mund të shprehin idetë, kreativitetin apo edhe talentin e tyre. Një vend ku mund të ndjehemi të socializohemi, ku mund të angazhohemi e të kontribuojmë edhe në zhvillim të komunitetit dhe qytetit. Mungesa e angazhimit të qytetarëve e në veçanti mos angazhimi i të rinjve ndikon që ata të kenë performancë më të dobët në shkollë, punë dhe në përditshmëri. Prioriteti i ulët për krijimin e kushteve për të rinjtë dhe të rejat në viti, vërehet edhe nga alokimi i ulët i buxhetit për këto fusha. Kjo situatë në të cilën gjendemi momentalisht ne të rinjtë e Vitisë është tejet shqetësuese dhe e bën të zymtë jetën në vend.
Prandaj do të duhej që të punohet drejtë krijimit të infrastrukturës dhe programe për zhvillim dhe fuqizim të rinisë . Nevojat për investim në këto drejtime konfirmohen edhe nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Vitisë V.S. i cili shprehet se ” Nevojat e të rinjve janë të shumta por më të rëndësishmet janë ofrimi i trajnimeve të ndryshme dhe orientimi në karrierë, ofrimi i punës praktike dhe njohja e punës vullnetare si përvojë pune, krijimi i hapësirave digjitale dhe hapësirave të tjera që u dedikohen atyre”. Megjithatë që e gjithë kjo të jetë e mundur sipas drejtorit të departamentit të rinisë është shumë e nevojshme edhe ndarja e buxhetit nga institucionet relevante për hapësira në Komunën e Vitisë e të cilat të rinjtë dhe të rejat do të mund t’i shfrytëzonin, duke mos e lënë anash edhe menaxhimin dhe ruajtjen e hapësirave ekzistuese që shumë shpesh nuk përdoren për qëllimin që e kanë, që të jenë në qendër të rinisë.
Do të doja që në qytetin e Vitisë të kishte më shumë salla sportive, për arsye se aktivitetet fizike kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin fizik por edhe në atë social, mendoj se do të ishte shumë mirë edhe po të ofroheshin për ne të rinjtë më shumë trajnime të profesioneve të ndryshme, të cilat rrisin aftësitë, njohuritë dhe moralin tonë. Gjithashtu e konsideroj si të domosdoshëm faktin që teatri i qytetit të punonte më shumë, ku besoj unë së bashku me shoqërinë time dhe bashkëmoshatarët e tjerë do të kënaqeshim pa fund duke parë shfaqjet apo edhe pse jo duke marrë pjesë në ato shfaqje. Pra të rinjtë dhe të rejat kanë nevojë që në kohën e tyre të lirë të marrin pjesë neper aktivitete jashtëshkollore, të cilat në programin e tyre duhet të kenë prioritet mirëqenien e rinisë.
Të rinjtë/rejat duhet të kenë mundësi të përdorin hapësirat publike po aq sa kushdo tjetër, nëse jo më shumë, të përfshihen në procesin e krijimit të të këtyre hapësirave duke u bazuar në nevojat e tyre. Kjo është mëse e rëndësishme për një Komunë si Vitia e cila si pasojë e migrimit po përballët me rënie të numrit të nxënësve/eve. Sipas Project for Public Spaces të rinjtë dhe të rejat duke u angazhuar në mënyrë aktive në hapësira miqësore për të rinjtë, mund të ndihen sikur kanë investuar në komunitetin e tyre dhe mund të zhvillojnë një ndjenjë të fortë pronësie në këto vende. Rrjedhimisht do të duan të kontribuojnë më shumë në këto vende.
Rinia është një aset shumë i rëndësishëm për shoqërinë. Të rinjtë janë ata që e qojnë para zhvillimin e një vendi. Angazhimi i sa më shumë të rinjve nëpër aktivitete i bën ata më të vetëdijshëm për vlerat që këta të rinj i posedojnë dhe gjithashtu qasja nëpër aktivitete kontribuon edhe në mirëqenien e tyre fizike dhe psikologjike.
Të rinjtë dhe të rejat mund të jenë jashtëzakonisht të shkathët. Po ashtu janë ndërtuesit e ardhshëm të komunitetit të qyteteve tona, pronarët e bizneseve, nëpunësit publikë dhe familjet. Prandaj politikëbërësit dhe vendimmarrësit duhet të angazhojmë të gjithë komunitetin dhe të krijojnë hapësira të fokusuara në të rinjtë dhe të rejat duke u krijuar mundësi për tu angazhuar jo vetëm në lagje, komuniteti por edhe në tërë komunën e Vitisë.
Mbi autoren: Fjona Iseni, nga Vitia, studente e vitit të dytë në departamentin e Psikologjise në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.