MUNGESA E BIBLIOTEKAVE NË SHKOLLA
Ilustrimi: Studio Permanant
Leximi i librave, qofshin romane, novela, poezi apo të tjera, është mënyra e vetme për të udhëtuar në botën e imagjinatës, e po ashtu për të fituar njohuri të reja. Por çfarë nëse dëshira për të lexuar librat që ne kemi dëshirë të jetë e kufizuar?
Unë si pasionante e leximit të librave – të cilat më mundësojnë ta gjej versionin më të mirë të vetes dhe më bëjnë që për aq kohë që unë lexoj të harroj të gjitha brengat e jetës reale – has në vështirësi të gjetjes së titujve të ri në vendin ku jetoj. Jam e bindur që ka edhe shumë dashamirës të leximit tjerë njëjtë si unë që hasin në vështirësi që t’i gjejnë librat që ata kanë dëshirë apo obligim t’i lexojnë. Kjo çështje është sidomos serioze në qytetin tim Prizren, edhe pse e kemi bibliotekën e qytetit, përsëri mungesa e literaturës është e madhe.
Në një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 në matjet e statistikave për kulturën, janë prezantuar edhe rezultatet për bibliotekat e qyteteve. Prizreni në vitin 2020 kishte vetëm 4 biblioteka të qytetit dhe afër 400 tituj të ri të librave të hyrë gjatë vitit.
Kësaj çështje i kontribuon mungesa e bibliotekave në shkolla në përgjithësi, dhe ato që kanë biblioteka nuk janë të furnizuara mirë.
“Shumë biblioteka në Kosovë mirëmbahen keq dhe u mungon furnizimi i mjaftueshëm me libra, kurse të tjerat janë mbyllur për shkak të buxhetit të ulët”, shkruan Dafina Halili, në një artikull me titull “Çdo fëmijë në Kosovë meriton qasje në libra”, të botuar vitin e kaluar në Kosovo 2.0. Dafina trajton nevojën e furnizimit të shkollave me libra e po ashtu edhe nismën The Library Project Kosova (TLPK), për themelimin e bibliotekave brenda institucioneve arsimore.
Megjithatë, duke u nisur përvoja personale, në shkollën time ku nxënësit e kanë obligim që të lexojnë çdo muaj nga një libër, gjetja e tyre në disa raste është e pamundur ose ka pakicë të librave dhe shumica e tyre janë të dëmtuar dhe nuk janë në gjendje të lexohen.
Librat të cilat i kam pasur për obligim t’i lexoj kanë qenë libra tepër të vjetër ose libra me përkthim nga autor nga vende të ndryshme të botës të cilat nuk gjenden në bibliotekën e qytetit ose janë të dëmtuara ose nuk i kanë kthyer fare ata që i kanë marrë dhe menaxhmenti i bibliotekës nuk bën asgjë për librat e dëmtuar ose ata të pakthyer. Nëse vendosim t’i blejmë çmimet e tyre nuk janë të përshtatshme për buxhetin e të gjithëve. Nëse flas për bibliotekën e shkollës pasi që jam në shkollë private, ne kemi bibliotekë por jo të gjithë shkollat në Prizren kanë, ose përballen me mungesë të madhe të librave. Biblioteka e shkollës time është e madhe, por librat aty janë kryesisht në gjuhen gjermane ose angleze dhe shumicën e tyre nuk e kemi obligim që t’i lexojmë.
Kjo vjen me një zgjidhje të blerjes së librave por jo të gjithë kanë mundësi që çdo muaj të blejnë një libër ose ne rastin tim që brenda një muaji lexoj 3 e më shumë libra. Një prej formave më të mira që do të kishte kontribuar në përmirësimin e gjendjes, e po ashtu do të motivonte të rinjtë dhe të rejat që të lexojnë më shumë do të ishte sikur bibliotekat e shkollave do të ishin më atraktive. Pra, do të duhej që bibliotekat shkollore të furnizoheshin me tituj duke u bazuar në kërkesat dhe pëlqimet e nxënësve/eve. Derisa konsideroj se një sfidë tjetër që kontribuon në pengesa që nxënësit të lexojnë janë përkthimi i librave në gjuhën shqipe. Jo të gjithë dimë gjuhë të tjera dhe jo të gjithë kemi qasjen e njëjtë në materiale të tjera që na duhen për rritje personale
Ky është një problem shumë i madh për rininë e Kosovës sepse ne jemi e ardhmja e Kosovës, ne jemi ata/ato që duhet të kemi një mendje të ndritur dhe të mençur prandaj the siç na thotë gjithmonë profesori im i latinishtes: “Leximi është çelësi i diturisë”.
Mbi autoren: Ariona Makica, 15 vjeçe nga Prizreni, vijon mësimet në shkollë të mesme.
Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit