MITROVICË ÇFARË PO BËN PËR RININË?
Zgjohem me tërë dëshirën dhe vullnetin për të bërë diçka të mirë ose për të qenë pjesë e ndonjë aktiviteti shoqëror a kulturor, ndalem dhe mendoj nga të filloj por nuk gjej ndonjë alternativë, nuk gjej të paktën as dhe një organizim që i kushtohet rinisë pjesës më të ndjeshme të qytetit më të ndjeshëm të Kosovës: Mitrovicës. Qytet ky të cilit iu shuan krejt ëndrrat!
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Më kujtohet shkolla e mesme ku krejt i thurnim ëndrrat në këtë qytet, vendlindjes tonë, afër familjarëve e disa mendonim se do shiheshim gati çdo ditë sepse ndoshta do na bashkonin aktivitetet rinore ku të gjithë ishim aq entuziast që të merrnim pjesë. Thoshim se qyteti ynë ka jetë të pasur artistike, mendonim të merremi me zhvillimin e talentit dhe realizimin e ëndrrave. Do të doja të rrëfeja ende për ëndrrat e mija dhe shumë të rinjve të këtij qyteti por po e shoh që ëndrrat nuk janë asgjë tjetër përveç ca minuta largimi nga kjo gjendje e zymtë depresive dhe e pa shpresë që e ka kapluar tërë qenien time.
Zgjohem me tërë dëshirën dhe vullnetin për të bërë diçka të mirë ose për të qenë pjesë e ndonjë aktiviteti shoqëror a kulturor, ndalem dhe mendoj nga të filloj por nuk gjej ndonjë alternativë, nuk gjej të paktën as dhe një organizim që i kushtohet rinisë pjesës më të ndjeshme të qytetit më të ndjeshëm të Kosovës: Mitrovicës. Qytet ky të cilit iu shuan krejt ëndrrat! Ndalem e mendoj se a ka përgjegjës dhe fajtor për këtë gjendje që na ka kapluar?
Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica” gjendet në qendër të qytetit, me një arkitekturë të kohës së ish-Jugosllavisë e cila për vite të tëra ka shërbyer si vendtakim për artistë, aktivistë dhe njerëz të tjerë të qytetit. Kjo qendër po ashtu është një prej pikave që mund të konsiderohet si aset kulturor, pikërisht për shkak të aktiviteteve dhe rolit që kjo hapësirë ka luajtur ndër vite.
Sot kjo qendër numëron rreth 25 organizata që funksionojnë brenda saj. Mirëpo, pavarësisht këtij numri të madh të organizatave aktivitetet janë të pakta. Para më shumë se një dekadë në këtë qendër mbaheshin aktivitete të ndryshme kulturore, duke luajtur rolin e kinemasë, teatrit, hapësirës për koncerte e po ashtu dhe aktivitete të tjera për të rinj e të reja. Komuna e Mitrovicës nuk e ka një teatër e as kinema, por kjo qendër në një formë kishte marrë rolin e një hapësire që i përthekonte të gjitha këto në një vend. Ndërsa tani gjendja është ndryshe.
Përballë kësaj qendre gjendet Diakonie Youth Center – Mitrovica që luan rolin të cilin veç është dashur ta luaj qendra e kulturës. Aty zënë vend aktivitet të ndryshme që kanë për qëllim të fuqizojnë rininë e qytetit. Njësoj si kjo në Mitrovicë ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe disa qendra te tjera si: organizata “7 Arte”, Qendra Rinore Mitrovice (QRM) dhe së fundmi është hapur dhe një galeri arti e cila quhet KAE (Kosovo Art Exchange) Gallery, gjë që e cila po i mbështet artistet e qytetit dhe po u jep një shtytje për të vazhduar karrierën dhe aktivitetin e tyre brenda qytetit.
Në muajin maj të këtij viti organizata “7 Arte” prezantoi një hulumtim të cilin e realizoi në bashkëpunim me “Anibar”, “Lumbardhi” dhe “Pogon”, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”. Pas një prezantimi dhe debati të organizuar në Mitrovicë u prezantua gjendja e organizatave kulturore në Mitrovicë, ku u tha se në qytet funksionojnë rreth 15 hapësira kulturore që janë në menaxhimin e organizatave të pavarura kulturore dhe institucione lokale. Megjithatë, përkundër faktit që ekzistojnë këto qendra të përmendura, jeta kulturore në Mitrovicë është e varfër.
Pavarësisht sa këto qendra merren me aktivitete të ndryshme rinia e Mitrovicës disi mbetet ende e pa informuar për rrjedhën e aktiviteteve.
Këtu më pas lind pyetja se çfarë në të vërtetë janë duke bërë këto qendra që të tërheqin vëmendjen e të rinjve dhe të rejave që ata/ato të bëhen pjesë e aktiviteteve të tyre, nëse ka të tilla. A mos ndoshta këto qendra duhet të ndryshojnë mënyrën e tyre të qasjes ndaj të rinjve dhe të rejave e të gjejnë mënyra për të bërë diçka më shumë për ta.
Në anën tjetër Komuna e Mitrovicës nuk është se u kushton shumë vëmendje aktiviteteve të tilla. Jo rrallëherë na bie të dëgjojmë fjalët e politikanëve e njerëzve në pushtet që në fjalimet e tyre parazgjedhore thonë se “rinia është prioriteti ynë”. Por realiteti nuk del të jetë ashtu. Mitrovica ka nevojë për një shkëndijë, qoftë ajo edhe e vogël, një frymëzim e shtytje për të ecur përpara. Përkrahjet dhe nismat e ndryshme janë të domosdoshme për të mirën tonë.
Mbi autoren: Majlinda Sadriu është një vajzë 24 vjeçare e cila ndjek studimet në Universitetin e Mitrovicës, në Fakultetin e Edukimit.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.
Respect for this post, I will add up this internet site to my rss feeds, my roommate just recounted me about this as of recent. gracias