MENAXHIMI I MBETURINAVE DHE PROBLEMET ME DEPONITË ILEGALE
Ilustrimi: Studio Permanent
Pothuajse çdo banor, organizatë dhe aktivitet njerëzor në Kosovë gjeneron një lloj mbeturine. Duke marrë parasysh trendet e zhvillimit të aktivitetit ekonomik, konsumin e rritjen e popullsisë, ndikon në prodhimin e sasisë së mbeturinave .
Pasi të krijohen, mbetjet duhet të menaxhohen përmes ripërdorimit, riciklimit, trajtimit ose asgjësimit. Reduktimi i referohet minimizimit të sasisë së mbeturinave të krijuara nga një proces i caktuar, ripërdorimi i referohet përdorimit të materialit të mbeturinave, kurse riciklimi i referohet rikuperimit të materialeve nga produkti i mbeturinave. Ndotja nga mbeturinat si çështje prekë të gjitha vendet e botës dhe është një ndër problemet kryesore globale këto vitet e fundit.
Duke marrë parasysh që grumbullimi i mbeturinave bëhet në mënyrë të përbashkët për amvisëri, biznese dhe institucione, nuk ekzistojnë të dhëna të veçanta për çdo kategori për sasi të mbeturinave. Sasia mesatare e mbeturinave të grumbulluara dhe deponuara në deponi për javë për disa komuna është 108 t. Nga ky numër mund të themi që grumbullohen dhe deponohen 5,593 t mbeturinë në vit, varësisht nga vendi dhe qyteti që ndodhen.
Në vendin tonë nuk ka trajtim apo reciklim të mbeturinave. Ekzistojnë vetëm ca kompani private, dhe njëra nga ato që mbledhë dhe i transporton metalet dhe kompani tjera të vogla, jo formale të cilat grumbullojnë mbeturina të ndryshme për riciklim dhe të njëjtat i grumbullojnë paketimet dhe i shesin.
Ndryshe nga mbeturinat e përgjithshme është ajo me mbeturinat shtazore. Bazuar në kornizën ligjore mbeturinat me prejardhje shtazore nuk duhet të përzihen me mbeturinat tjera komunale por duhen të grumbullohen dhe barten me mjet transportues të veçanta si dhe të deponohen në pika adekuate ku do të bëhej trajtimi i tyre. Deponimi i tyre bëhet në një hapësirë të veçantë, ku hapësira është e betonuar dhe e mbyllur, dhe mbeturinat shtazore groposen aty.
Duke qenë se kontejnerët e përbashkët në zonën urbane janë të pambrojtur dhe se qasja tek ato është e pa penguar, ekzistojnë rastet kur gjeneruesit e mbeturinave shtazore apo një pjesë e qytetarëve të pandërgjegjshëm i hedhin mbeturinat shtazore në kontejnerë duke bërë përzierjen e tyre me mbeturinat komunale. Këto mbeturina në momentin e përzierjes nuk mund të konsiderohen më si mbeturina komunale por hyjnë në radhën e mbeturinave të rrezikshme deponimi i të cilave në masë mundë të shkaktojë probleme serioze për deponinë edhe mjedisin përreth.
Listës së mbeturinave i shtohen edhe ato medicinale. Mbeturinat medicinale janë përgjegjësi e nivelit qendror dhe se komuna nuk ka kompetenca për menaxhimin e tyre edhe pse të njëjtat shkaktojnë probleme serioze për vetë komunën dhe qytetarët. Gjeneruesi më i madh i mbeturinave medicinale është padyshim Qendra e Mjekësisë Familjare. Një pjesë e mbeturinave medicinale me përmbajtje të lartë toksike si: mbetjet nga kulturat biologjike, gjaku, shiringat e përdorura, etj hedhen në kontejnerë komunal duke kontaminuar të gjitha mbeturinat e ngurta komunale. Gjeneruesit tjerë të mbeturinave medicinale janë Qendrat e Mjekësisë Familjare, ordinancat dhe poliklinikat private, ordinancat stomatologjike dhe entitet tjera shëndetësore të cilave njëkohësisht pranojnë shërbimin e mbeturinave nga KRM. Institucionet shëndetësore private i hedhin të gjitha mbeturinat përfshi mbeturinat medicinale në kontejnerët publik.
Ndërsa sa i përket mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit, ende nuk kanë gjetur trajtim dhe vëmendje të veçantë. Janë të hedhura gjithë andej duke shkaktuar një numër të madh të deponive ilegale dhe njëkohësisht duke ndotur mjedisin dhe shëmtuar peizazhet e bukura.
Krahas mungesës së formave të menaxhimit shtetëror të mbeturinave, ndarjes së tyre apo reciklimit, një problem shumë i madh mbesin deponitë ilegale. Deponi ilegale definohet çdo pikë e mbeturinave që gjendet jashtë deponise legale e cila tejkalon sasinë e 200l – apo sasi e mbeturinave që do të tejkalonte sasinë që do të nxinte një karrocë dore. Deponitë ne vendin tonë janë mjaft të kërcënuar nga ngarkesa e madhe e mbeturinave të komunave dhe si të tilla paraqesin rrezik në radhë të parë për vetë shëndetin e njeriut. Padyshim, kjo gjendje është pasqyrim i një niveli të ulët përgjegjësie në gjithë nivelet e shoqërisë shqiptare, që nga individi i thjeshtë e deri tek organizatat qeveritare dhe joqeveritare të krijuara prej tij. Shumë probleme të ndotjes nuk vihen re menjëherë, por vetëm kur ato bëhen të dukshme dhe të matshme; por edhe më shumë kohë kalon deri sa të merren masat e duhura për parandalimin ose zhdukjen e dëmtimeve.
Disa prej hapave që duhet të ndërmerren në përmirësimin e gjendjes dhe menaxhimit më të mirë të mbeturinave, si fillim është nevoja urgjente për përmirësimin e deponive ekzistuese, më pas kompania rajonale së bashku me komunat të fillojnë iniciativën për të ofruar qasje në ndarjen dhe riciklim të mbeturinave. Po ashtu procesi i kompostimit të hyjë në përdorim duhet të zvogëlohet sasia e mbeturinave në deponi, derisa komunat të rrisë kapacitetet për shërbim të mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave. Është shumë e rëndësishme që deponitë ilegale të mbyllen dhe të kthehen në zona të gjelbëruara, po ashtu të mbahen aktivitete vetëdijesuese për qytetarët lidhur me ndotje e ambientit.
Si inxhinierë/e, në të ardhmen duhet që me anë të menaxhimit të mirëfilltë dhe me vetëdijesimin e qytetarëve ,të arrijmë të reduktojmë ndjeshëm sasinë e mbeturinave dhe të zgjidhim problemet që kanë të bëjnë me mbeturinat.
Mbi autoren: Voltiza Dreshaj Inxhiniere e Ambientit
Ky grant mbështetet nga Austrian Development Agency