MBULESA NUK DUHET TË BËHET ARSYE PËR DISKRIMINIM
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Mbulesa në fenë islame, e njohur si hixhab, është një praktikë e rëndësishme e mbulimit të kokës e trupit tek vajzat dhe gratë e kësaj feje. Për shumë prej tyre, hixhabi është një shenjë e respektit dhe përkushtimit ndaj fesë së tyre. Është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim për të bartur hixhab ose jo, duhet të jetë një zgjedhje e lirë individuale dhe se ne duhet që vazhdimisht të angazhohemi për një shoqëri ku gratë janë të lira t’i marrin vetë vendimet për jetën e tyre.
Mirëpo, nga bisedat me disa nga vajzat e mbuluara, shumë nga to më treguan se ky vendim i tyre i ka përballur ato me diskriminim nëpër institucione arsimore dhe në vendin e punës. Ato thonë se aq shumë ka diskriminim, saqë janë mësuar me të. Thonë se është shndërruar një përvojë universale për to.
Njëra nga to, e cila zgjodhi të mos e ndajë emrin e vërtetë, thotë se përkundër se kishte aplikuar për punë në vende të ndryshme, për shkak të mbulesës nuk e kishin pranuar. Mbas shumë përpjekjeve, më në fund ishte pranuar diku. Por, kjo nuk shënoi përfundimin e diskriminimit, në fakt, aty ai filloi të dalë në sipërfaqe edhe më.
Përveç kolegëve e kolegeve që i jepnin komente të ndryshme dukjes së saj, ajo përballej edhe me komente nga klientët. Njëri nga ta i kishte thënë: “nuk e ke vendin këtu, nuk e ke vendin për punë në Kosovë, sepse ti paguhesh…vetëm për mbajtjen e shamisë”. Ajo vazhdon: “Ma krahasoi dukjen time me mbulesë në mënyrë qesharake me një astronaut, në momentin që une e ndihmoja atë të gjente atë per të cilen kishte ardhur ta blente. Normalisht që mërzitem”, tha ajo.
Në një tjetër bisedë, një vajzë më tregoi se këto përvoja të përçmimit i ka përjetuar edhe në vetë institucionet arsimore. Kur ishte në fund të shkollës fillore, ajo kishte vendosur të mbulohej. Kur kishte shkuar në shkollë me mbulesë, kishte orën e parë me kujdestaren e klasës, e cila sapo e kishte parë, i kishte thënë të dalë prej klasës e të shkojë në drejtori. Edhe në drejtori, nuk gjeti sjellje më të mirë. Përkundrazi. “Kjo nuk është veshja jonë, në Arabi nuk jem, atje është vendi i tyne e jo këtu, pse me ngjit këtë mbulese ti e me ardh në këtë gjendje të prapambetur”, tregon ajo. Drejtorja e shkollës pastaj kishte këmbëngulur që ajo ose ta heqte mbluesën ose të largohej nga shkolla.
Pas kësaj ndodhie, ajo kishte shkuar të marrë leje në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që të vazhdojë mësimin me mbulesë në atë shkollë. Marrja e lejes nuk e ndaloi qasjen diskriminuese ndaj saj. “Në orën tonë, ulu në fund të bankave” thotë ajo se i drejtoheshin arsimtarët.
Kur flet për mënyrën se si kjo situatë e ka bërë të ndihet, ajo tregon se nuk e ka ndërmend të zmbrapset. “Kam qenë krenare, edhe sot pas disa viteve, ja u kom dëshmu që femra me mbulesë është e aftë me mrri aty ku ajo don”, thotë ajo.
Diskriminimi dhe komentet ofenduese me të cilat përballen vajzat me mbulesë në institucione arsimore e vendet e punës i pengojnë ato në përmbushjen e plotë të potencialit të tyre. Kjo është sidomos brengosëse, kur merret parasysh se vajzat dhe gratë janë përgjithësisht të shtypura e të përjashtuara nga jeta publike.
Kështu, është e rëndësishme të promovohen përfshirja, respekti dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, pavarësisht pamjes apo besimeve fetare. Diskriminimi nuk duhet të tolerohet, pavarësisht se ndaj kujt ndodh. Eshtë e rëndësishme që institucionet të kenë politika të qarta për t’i mbrojtur të gjithë.
Liria e besimit dhe fesë ka të bëjë me të drejtën e lindur të individëve për të manifestuar, adhuruar dhe praktikuar besimet e tyre vetëm ose në një komunitet me të tjerët. Njohja e saj si një e drejtë universale e njeriut është e përcaktuar në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe në mënyrë ekuivalente shprehet edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë Konventë, kufizimet në manifestimet e besimit ose fesë mund të përcaktohen me ligj vetëm në rrethana kur ato cenojnë interesat dhe vlerat e një shoqërie demokratike dhe janë të domosdoshme në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit publik ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Edhe Kushtetuta e Kosovës mbron të drejtën në besim.
Këto gra, nuk cenojnë demokracinë, diskriminimi ndaj tyre, po.
Anipse Kosova është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare, siç parashihet me nenin 8 të Kushtetutës, kjo nuk duhet të nënkuptojë që Kosova të shndërrohet në vend diskriminues ndaj besimeve të të tjerëve.
Një pikëpamje me vlerë në këtë drejtim u botua në S’bunker në vitin 2018. Ndër tjera, autori Gëzim Selaci, për çështjen e ndalimit të shamisë, shkruan: “Ndalimi i shfaqjes së fesë në institucione publike nuk është i domosdoshëm për ruajtjen e shekullarizmit politik dhe karakterik shekullar të shtetit. Në debatin në fjalë, shteti mban qëndrim asnjanës dhe nuk ndërhyn për të ndaluar një praktikë fetare në institucione publike. Në të vërtetë, shekullarizmi do të kërcënohej nëse shteti do të merrte anë, duke normuar mbajtjen e shamisë në institucione publike, dhe assesi duke lejuar mbajtjen e saj.”
Shumë persona, mbajtjen e mbulesës, e asociojnë me diçka të dëmshme, jo-demokratike, të prapambetur, por, në fakt, kur këto qëndrime manifestohen si diskriminim, mohim i zgjedhjes, përjashtim nga jeta publike, atëherë ata që diskriminojnë, e jo ato që vendosin shami, duhet të ndryshojnë.
Autore: Saranda Bekteshi