LINJA E JETËS: QENDËR TELEFONIKE PËR PARANDALIMIN E VETËVRASJES
Linja e jetës mundëson që çdo person të ketë mundësinë të dëgjohet nga dikush në mënyrë komplet anonime – nuk na vyn me dit kush jeni e as nuk kemi qejf me e ditë. Qëllimi është që çdo thirrës me mujt me e nda ato që po i han prej brenda, diçka që nuk munden apo nuk mjafton me e nda me njerëzit që i kanë afër. Në anën tjetër të telefonit i pret një vullnetare që është e përkushtuar me kuptu dhe me empatizu me problemet, pa gjykime e pa këshilla të pa kërkuara.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Kur është formu Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) në 2016 ideja shtytëse ka qenë hapja e Linjës së Jetës – një linjë anonime veçanërisht për persona që gjinden në momente kritike ku mendojnë se vetëvrasja është e vetmja zgjidhje për ta. Të inspiruar prej vullnetit të studentëve të psikologjisë që në dekadën e kaluar vetëm e kanë fillu një iniciativë të tillë dhe të shtyrë nga inati që diçka aq e rëndësishme dhe bazike nuk ekziston në Kosovë, me kënaqësi mund të themi se me 17 Nëntor, Linja e Jetës do jetë funksionale. Çdo ditë, nga ora 21:00 deri në 01:00, jemi aty për ju. Vetëm telefononi në 0800 12345.
Në Kosovë stigma ndaj shëndetit mendor është aq e fuqishme sa që shumë kërkesa për ndihmë shuhen, e edhe më tepër shtypen. Kjo në një vend ku, në bazë të numrave të raportuara në polici, në 20 vitet e fundit mesatarisht ka pasë 3.6 tentime të vetëvrasjes brenda çdo jave; prej atyre tentimeve njëra rezulton në vetëvrasje çdo javë. Është një problem alarmant, po fati i keq i viktimave është se kolektivisht jemi duke e injoru problemin në vend se ta adresojmë. Një stigmë e tillë e bon të pamundshme kërkimin e ndihmës, e të domosdoshme ekzistencën e Linjës së Jetës. Diçka të tillë shtetet tjera (duke përfshirë shtete të Ballkanit) veç e kanë kuptu se është e domosdoshme. Te na, kjo ende mungon. Faktikisht arsyeja pse krijimi i Linjës së Jetës është mundësuar është shkaku i ndihmës së ofruar nga Aleanca Evropiane Kundër Depresionit dhe Linja Telefonike për parandalim të Vetëvrasjes në Holandë 113.
Shpesh herë dikush që kërkon ndihmë konsiderohet se po i zmadhon problemet e veta, se ato janë kaluese, apo thjeshtë imagjinare. Në raste tjera nuk ndihen as të lirë të flasin pasi që janë të vetëdijshëm çfarë gjykimi shoqërohet nga rrethanat. Është tragjike, por shpesh herë e vetmja mënyrë që dikush mundet me fol për nevojën e ndihmës në kuadër të shëndetit mendor në Kosovë është fshehurazi. Pikërisht këtu hyn Linja e Jetës – një shërbim plotësisht anonim.
Përderisa lufta kundër stigmës që e ka shëndeti mendor vazhdon, Linja e mundëson që çdo person të ketë mundësinë të dëgjohet nga dikush në mënyrë komplet anonime – nuk na vyn me dit kush jeni e as nuk kemi qejf me e ditë. Qëllimi është që çdo thirrës me mujt me e nda ato që po i han prej brenda, diçka që nuk munden apo nuk mjafton me e nda me njerëzit që i kanë afër. Në anën tjetër të telefonit i pret një vullnetare që është e përkushtuar me kuptu dhe me empatizu me problemet, pa gjykime e pa këshilla të pa kërkuara.
Nuk është ideja që me jep zgjidhje për problemet e thirrësve, apo ndryshime afatgjate – për atë punë janë profesionistët e fushës, psikologët dhe psikiatrit. Esenca është te nevoja e thellë që e kemi për me u ndi të dëgjuar; Që nuk jemi vet në atë që po e kalojmë; Që momentin e krizës, ku nuk sheh zgjidhje përpos marrjes së jetës tënde, së bashku me e tejkalu. E nëse në at moment vendos që me kërku ndihmë më afatgjate, mendon se ai është hapi i duhur, jemi gati me ju ndihmu ta gjeni.
Jemi krenarë që po mundem me hapë diçka të tillë dhe jemi mjaft ambiciozë e të kthjelltë që të kuptojmë se nuk mjafton me kaq. Jemi të gatshëm të dëshmojmë se ka nevojë për iniciativa të tilla në Kosovë, të cilat meritojnë shumë më shumë përkrahje se çka ofrohet. Nuk është më shëndeti mendor diçka që mundem me e fsheh, apo me e injoru. Ka ardhur koha që me u ballafaqu me çka po na rrethon, edhe me e zgjatë dorën për me ndihmu.
Mbi autorin: Bind Skeja është një djalë 24 vjeçar nga Prishtina, i cili ka përfunduar studimet në Universitetin e Yorkut, për psikologji.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.