“LIBRAT QË LËVIZIN”
Ilustrimi: Studio Permanent
ETEA qëndron për edukim dhe kulturë duke u përqendruar në programe dhe aktivitete që kanë të bëjnë me promovimin e librit dhe kulturës së leximit, avancimin e praktikave arsimore në harmoni me kërkesat dhe nevojat bashkëkohore të nxënësve në veçanti por dhe mbarë shoqërisë në përgjithësi.
Rezultatet e testeve dhe raporteve ndërkombëtare e shpërfaqnin analfabetizmin funksional të nxënësve si njërin prej problemeve (lexo: simptomave) më të mëdha të sistemit arsimor të Kosovës.
Rezultatet e testi PISA e renditën Kosovën të tretën në ranglistë botërore, veçse të tretën për nga fundi. Në vlerësimin e fundit të testit PISA, në fushën e leximit, 15-vjeçarët e Kosovës shënuan vetëm 353 pikë, ky i fundit një rezultat me përmirësim minimalist krahasuar me vitin 2015 (347 pikë), por shumë më i ulët në raport me rezultatin mesatar të OECD-së (487 pikë). PISA vendosi gjithashtu një seri nivelesh për të përcaktuar aftësinë në të tria fushat. Niveli 6 në testin PISA është më i larti, përderisa 15 vjeçarët e Kosovës renditen në nivelin 1a. Sipas PISA-s, 15-vjeçarët që shënojnë pikë nën Nivelin 2 – janë “performues të dobët në lexim”. Për më tepër, sipas raportit të Bankës Botërore, konstatohet se 78% e 15-vjeçarëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë.
Ndër të tjera, përgjatë viteve 2018-2019, ETEA zhvilloi tri hulumtime mbi raportin e nxënësve me librin në nivelin paraunversitar të arsimit. Prej 53.8% e nxënësve në nivelin fillor, vijuar me 73.3% të nxënësve në nivelin e mesëm të ulët, deri në 77.8% e nxënësve në nivelin e mesëm të lartë – nuk arrijnë të kujtojnë tre tituj të librave që kanë lexuar. Kjo më tej nxit edhe nevojën për të përmbushur obligimet shkollore përmes mënyrave mashtruese siç është kopjimi. Nga 26.6% e nxënësve në nivelin fillor, vijuar me 66.5% të nxënësve në nivelin e mesëm të ulët, deri në 73.6% e nxënësve në nivelin e mesëm të lartë – vetëdeklarohen se përmbushin obligimet shkollore duke kopjuar nga interneti apo gjetiu.
ETEA konsideron se fuqizimi i arsimit, sidomos ai parauniversitar i cili vë themelin mbi zhvillimin personal dhe profesional të individit, ka ‘efekt domino’ mbi përmirësimin e të gjitha veprimtarive njerëzore, sferave shoqërore dhe sektorëve shtetërore. Në këtë linjë, shkrim-leximi është hapi parësor që avancon individin nga analfabetët klasik dhe lexim-kuptimi është hapi i radhës që diferencon individin nga analfabetët funksional.
Për nxënësit që i dinë shkronjat por nuk arrijnë të kuptojnë atë që e lexojnë, ETEA u angazhua që të krijojë mundësi më të mëdha të qasjes në libra më cilësor dhe në zhvillim të teknikave bashkëkohore të leximit përmes projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”. Përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit me Drejtoritë Komunale të Arsimit të shtatë komunave të Kosovës, ETEA ka mundësuar përfshirjen e “Orëve të Leximit” brenda plan programeve shkollore përmes së cilave aplikohen strategjitë e lexim-kuptimit.
Biblioteka Qarkulluese vë në dispozicion të nxënësve tituj të ndryshëm të librave për fëmijë. Mësimdhënësi/ja bashkë me nxënës/e e bëjnë përzgjedhjen e librit për lexim në klasë. Postieri e merr porosinë dhe i dërgon librat në shkollën përkatëse, ku për secilin nxënës ndahet nga një libër. Kështu fillon Ora e Leximit, ku bëhet leximi grupor i librit të përzgjedhur bazuar në strategjitë e lexim kuptimit. Teknikat e strategjive të lexim-kuptimit synojnë që t’i ngrisin kapacitetet e të menduarit kritik, analitik dhe kreativ të nxënësve.
Biblioteka Qarkulluese gjendet në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart”, Qendra “Libart” gjendet në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, e Biblioteka “Hivzi Sulejmani” gjendet në Prishtinë.
Qendra “Libart” është krijuar nga ETEA që të shërbej si hapësirë multifunksionale, ku përpos se është shtëpi e librave për fëmijë, është edhe hapësirë në të cilën gjejnë jetësim aktivitete të ndryshme me karakter kulturor e artistik për të rinj. Programin e Qendrës “Libart” e përbëjnë Mbrëmja e Poezisë dhe Muzikës; Folè n’Letër; Dialogu socio-kulturor; Shtjellimet; Leximet Skenike; Takimet me Shkrimtar etj.
Nisur nga ndikimi i fuqishëm të programit të lexim-kuptimit, në dy vitet e ardhshme, ETEA planifikon të prioritizojë angazhimin në shtrirjen nacionale të programit të “Bibliotekës Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” dhe paralelisht të punojë në rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në vendimmarrje brenda komunitetit shkollor përmes krijimit të Hapësirave “Libart” nëpër shkolla. Këto hapësira do të kenë karakter shumë dimensional ku do të shërbejnë si kabinete të Orës së Leximit, më pas si bibliotekë shkollore, si teatër, kinema dhe atele ku nxënësit do të kenë mundësi të shprehen në forma artistike e inovative.
Mbi autorin/en: ETEA është organizatë joqeveritare e cila merret me edukimin publik përmes kultivimit të kulturës së leximit dhe gjendjen e edukimit para-universitar në Kosovë.