KUSHTET E PUNËS NË SEKTORIN PRIVAT
Ilustrimi: Studio Permanent
Nga bisedat e përditshme me rrethin familjar, shoqërinë, por edhe nga përvoja personale dhe më gjerë shpeshherë kam dëgjuar rrëfime dhe përvoja të ndryshme, shumicën e rasteve jo të mira sa i përket gjendjes së kushteve në sektorin privat.
Ajo që flitet dhe dëgjohet më së shpeshti është mungesa e kushteve si: pagat e ulëta, mungesa e kontratave, mungesa e sigurisë në ambientet e punës, mungesa e sigurimit shëndetësor. Në bazë të të dhënave të ndryshme, përvojave, rrëfimeve të njerëzve, interpretimeve të ndryshme del se të gjitha këto janë një problem ende në sektorin privat dhe njerëzit ballafaqohen me të gjitha këto dhe thuajse askush nuk jep “llogari” për shkeljet e të drejtave të punëtorëve.
Ndonëse sektori privat ka një rol të rëndësishëm për shkak të mundësive të mëdha që ofron për punësim, mungesa e kushteve në vendin e punës, i shtyn njerëzit që të kërkojnë më shumë vende të punës në sektorin publik. Në një artikull të botuar në vitin 2022 nga Sbunker, Paradoks Kosovar: papunësi e lartë dhe mungesë e punëtorëve thekson se: “Sipas një hulumtimi të Institutit për Kërkime Ekonomike (INKE), 75.8 përqind e të anketuarëve duan të punojnë në sektorin publik, një nga motivet e forta pse e duan publiken është përmendur paga”. Ndonëse përveç pagës së ulët, shpeshherë punëtorët në sektorin privat detyrohen me ose pa marrëveshje midis palëve të punojnë edhe jashtë orarit të punës dhe në shumicën e rasteve nuk u kompensohet paga jashtë orarit të punës (e këtë përvojë fatkeqësisht e kam pas personalisht kur nuk më janë paguar orët kur kam punuar jashtë orarit të punës) dhe ndonëse nuk jam vetëm unë si rast, sepse këto përvoja të hidhura i kemi dëgjuar edhe më herët dhe ende vazhdojmë t’i dëgjojmë.
Ndërsa, sipas një publikimi të vitit 2022 nga Sbunker del se: “Nga të dhënat e ASK-së vërtetohet që punëtorët e sektorit privat paguhen më së paku. Bazuar në statistikat e vitit 2020, 342 euro është paga neto në sektorin privat, ndërkaq në sektorin publik rroga neto shkon në 552 euro”. Dhe në bazë të këtyre të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se paga është njëra ndër arsyet që i shtyn personat që të kërkojnë punë në sektorin publik, por gjithashtu edhe edhe mungesa e kontratave të punës. Mirëpo edhe pse ka pasur një anë pozitive të rritjes së pagës minimale, prapë se prapë kjo nuk e mohon faktin për përmirësim të kushteve të punës në sektorin privat. Por shtrohet pyetja se sa adresohen këto çështje dhe se a merren parasysh?!
Ndonëse ka raste kur adresohen të gjitha këto çështje dhe ndoshta në disa raste edhe mund të merren parasysh, prapë se prapë ajo çfarë i bënë njerëzit që të heshtin dhe të mos i adresojnë këto çështje është se zëri i tyre “heshtet”, gjithashtu duke e pasur parasysh edhe mos funksionimin e ligjeve, mungesën e sindikatave të organizuara, mos kontrollimi i denjë nga ana e inspektorëve dhe mos përgjegjësia, bënë që gjendja të jetë ashtu siç është në sektorin privat dhe punëtorët përballë këtyre shkeljeve të të drejtave të tyre të heshtin në shumicën e rasteve.
Ajo çfarë është e rëndësishme është që organet shtetërore të implementojnë ligje, të ketë sindikata të aktivizuara e kjo rrjedhimisht do të ndikonte në përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, me përmirësimin e kushteve të punës do të përmirësohej jeta e njerëzve dhe gjithashtu kjo do të ndikonte edhe në aspektin socio-ekonomik të vendit, që ndikon rrjedhimisht në zhvillim të vendit. Ndonëse ky shkrim pasqyron vetëm disa pika të gjendjes së kushteve në sektorin privat, le të jetë një thirrje kjo ndaj institucioneve përgjegjëse që të dëgjohet zëri i punëtorëve e të merren masa paraprake, sepse është e vetmja formë që të gjithë të gëzojmë një mirëqenie më të mirë!
Mbi autoren: Melisë Mustafa, nga Prishtina është studente në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Sociologjisë.