KU JANË GRATË ?
“Ku janë gratë?” ishte një pyetje të cilën e shtroi Cynthia Enloe në vitin 1989, ku ajo po mendonte për botën e politikës ndërkombëtare. Por pyetja ka qenë gjithashtu një forcë shtytëse për një numër historianësh që kanë kërkuar të lëvizin përtej narrativave të “njerëzve të mëdhenj” që kanë tentuar të dominojnë kuptimin tonë për të kaluarën.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Çështja e aktivizmit të gruas, pa marrë parasysh se në çfarë forme shtrohet, përbën një temë vazhdimisht aktuale në shumë shoqëri, e cila do të vazhdojë të mbetet e diskutueshme. Por, ta analizosh angazhimin dhe përfshirjen e saj në proceset shoqërore të një vendi a shteti, është paksa e vështirë. E them këtë sepse, kur fillojmë të hulumtojmë ose shkruajmë për rolin dhe ndikimin e grave në përfaqësim, është e pamundur të mos trajtohet perspektiva historike. Fatkeqësisht, jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe në të gjithë botën, diskriminimi historik i grave ka qenë dhe ndoshta mbetet si kriza më e madhe dhe më e gjatë e njerëzimit.
“Ku janë gratë?” ishte një pyetje të cilën e shtroi Cynthia Enloe në vitin 1989, ku ajo po mendonte për botën e politikës ndërkombëtare. Por pyetja ka qenë gjithashtu një forcë shtytëse për një numër historianësh që kanë kërkuar të lëvizin përtej narrativave të “njerëzve të mëdhenj” që kanë tentuar të dominojnë kuptimin tonë për të kaluarën.
Historikisht, gratë shpesh janë portretizuar në mënyrë homogjene si viktima të luftës.
Gratë mund të kenë disa role dhe identitete të ndryshme në kohë konfliktesh. Në disa situata, ashtu siç thuhet në raportin e BRIDGE – development gender me titullin “Overview Report on Gender and Armed Conflict”, “ndërtimi shoqëror i grave si ‘nëna’ dhe ‘mbrojtëse të kulturës’ brenda lëvizjeve nacionaliste çlirimtare ka kufizuar aktivizmin e grave në konflikt dhe në proceset e rindërtimit pas konfliktit”. Në disa situata, gratë janë mobilizuar për të siguruar mbështetje, punë dhe shërbime për përpjekjet e luftës, duke i bërë ato pjesëmarrëse aktive në luftë, ashtu siç ndodhi në Kosovë. Rolet gjinore të cilat shoqëria i kishte paracaktuar deri atëherë filluan ngadalë të zbeheshin. Gratë kanë qenë të përfshira drejtpërdrejtë në luftë, duke iu bashkuar grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke pasur parasysh shumë role dhe identitete të mundshme të grave, pozicioni i grave në lidhje me konfliktin nuk mund të homogjenizohet. Por, siç edhe shkroi Mertus për vitet 1990 në Kosovë, megjithëse “burrat mbanin pozicione drejtuese në rezistencën e shqiptarëve të Kosovës”, gratë gjithashtu luajtën një rol aktiv.
Në Luginë të Preshevës, e veçanërisht në historikun e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, mund të vërejmë një ngjashmëri të procesit së luftës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se njëzet vite që nga lufta e UÇPMB-së, ajo përsëri mbetet si temë e diskutuar për shumë njerëz. Përderisa kontributi i burrave që kanë qenë brenda UÇPMB-së vlerësohet e diskutohen në forma të ndryshme, ishte një grup brenda kësaj ushtrie për të cilat në opinion nuk dihet as për gjysmën e kontributit që kanë dhënë. Janë ato, gratë e kësaj lëvizje çlirimtare të cilat u përfshinë direkt në këtë betejë disa me armë në dorë duke kaluar muaj të tëra në vijën e parë të frontit e disa të tjera duke ofruar ndihmë mjekësore për ushtarët e plagosur dhe jo vetëm, duke përgatitur ushqim dhe në shumë raste edhe e gjithë puna logjistike ishte e kryer prej tyre.
“Meqë unë veç kisha eksperiencë t’ma hershme n’luftën e UÇK-së, tash e kisha ma t’lehtë me u përballë me pjesën e bartjes t’barnave apo ilaçeve që ishin t’nevojshme me i pasë n’mal për plagosjen e ushtarve. Zakonisht e kam bo lëvizjen napër pika edhe napër male për me i siguru ilaçet se krejt i merrshim prej Kosove përmes rrugëve ilegale, e kjo nuk ka qenë e lehtë me u bo”, tregon Linda Fetahu e cila kishte shërbyer si infermiere edhe në UÇPMB.
Edhe pse nga OVL e UÇPMB-së nuk është treguar kujdes në regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave sa i përket angazhimit të grave në luftë, gjatë hulumtimit dhe intervistave të realizuara me respodentet gra, kemi arritur t’i identifikojmë vetëm gjashtë prej tyre të cilat kanë pasur një rol të veçantë në këtë proces. Fakti që gratë ishin numër i vogël në krahasim me burrat pjesëmarrës në luftën e UÇPMBS-së, nuk do të duhej që të ndikonte në humbjen apo zhvlerësimin e kontributit të tyre nga ana e historisë. Ndjenja patriotike dhe dëshira për ta çliruar luginën nga shteti serb, bëri që vajzat si Drita Osmani, Elza Sadiku dhe Linda Fetahu, t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të cilat në atë kohë ishin vetëm njëzet vjeçare. Edhe pse mentaliteti patriarkal ishte shumë i pranishëm në luginë dhe i kishte mësuar se gratë janë për shtëpi e burrat jashtë saj, dhe se arma ishte si diçka e ndaluar për to, përsëri të vetme kishin marrë rrugën që nga Prishtina e deri tek njëra prej zonave operative të ushtrisë.
“Me Elza Sadikun jemi nisë bashkë, edhe kur kemi shku n’luftë u kon shumë interesant se nuk pranojshin femra n’luftë, se mentaliteti maskulinist që femra nuk duhet me qenë pjesë e luftës, nuk pranojshin. Çka kemi bo me Elzën, jemi nis prej Prishtine edhe krejt me autostop, a di, tu i ndal do njerz, a po na qoni deri n’Gilan. Prej aty kemi vazhdu deri n’Llovc, edhe jemi nis maleve”, kujton Drita.
Sikur të mos i mjaftonte e gjithë lodhja e shkaktuar nga rruga, me të mbrritur në vendin e ngjarjes ku po zhvillohej lufta, ato u përballën me paragjykime, ofendime e malltretime nga ushtarët atje, të cilët të ndikuar nga mentaliteti nuk mund ta pranonin se gratë mund të jepnin kontributin e tyre edhe në vijën e frontit të luftës dhe se sipas tyre një vend i atillë mund t’i takojë vetëm atyre vajzave “të përdala” e jo vajzave të shkolluara siç ishin Drita dhe Elza.
“Kur u takum me komandantin e zonës, i tregum që nuk kemi ardh për vizitë po kemi ardh për luftë. Na ndajti n’dhomë n’veti, e pas një diskutimi na tha, a pranoni mi ju thirrë tha kurva t’Preshevës, a din kshtu n’mnyrën ma arrogante. Unë ndjej keqardhje për këto fjalë po osht ma mirë mi dit e me ia lon historisë realitetin që jemi përball. Atëherë thash po, po se çështja shqiptare është ma e madhe si ni realitet i rrejshëm edhe ni botëkuptim i njerëzve për imazhin tem”, thotë Drita Osmani.
Si Drita, ashtu edhe Elza kishin shërbyer në zonën operative të njohur si Shoshajë (për shkak edhe të emrit të fshatit), brigada 113 e udhëhequr nga komandant B.O., dhe njëherit ishte edhe zona e cila kishte përjetuar luftën më të ashpër nga gjitha të tjerat për shkak pozitës gjeografike dhe afërsisë që kishte me bazat e armikut.
“Ditën e parë m’qun me ni zonë jo shumë t’përshtatshme për mu, se dojsha me bo luftë e jo me qenë larg vijave t’frontit. E kom thirrë komandantin edhe i thash që me m’pozicionu n’vijë t’parë t’frontit, se nuk kam ardh me i msu “fmit” qysh me luftu”, shprehet Elza e cila kishte qenë pjesë e UÇPMB-së.
Rruga e tyre për idealin e çështjes kombëtare nuk ishte e lehtë për to sepse përveç përgjegjësisë që kishin marrë për të qenë pjesë e ushtrisë, atyre iu ishte ngarkuar edhe një barrë tjetër nga opinioni publik që të kishin kujdes në ruajtjen e moralit të familjes së tyre sepse për ta siç duket nuk kishte fare rëndësi mënyra se si ndjeheshin vetë vajzat apo kontributi dhe angazhimi i tyre. Duke e ditur qëllimin e tyre dhe vendimin që ato tashmë kishin marrë për të qenë pjesë e luftës, nuk i pengonte asnjë paragjykim e ofendim që mund t’i bëhej nga masa. Me tu pranuar si ushtare të UÇPMB-së, qysh ditën e parë pasi e kishin veshur uniformën, gratë kërkuan nga komandantët që t’i poziciononin në ato zona ku lufta ishte më e ashpër kështu duke ia vënë në dijeni sigurinë dhe qëllimin që ato kishin nisur. Por, të shpeshta ishin edhe thirrjet për ndihmë në pikat tjera të cilat sa herë që kërkonin përforcime nuk mungonin as emrat e vajzave që të ndryshojnë pozicionet.
Mbi autoren: Egzona Hajrullahu, 24 vjeçare nga Presheva, është duke vazhduar studimet për sociologji në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States
Hello 🙂 Your post is very brilliant and fascinated, I like the idea and conception. I retargeting main address for all friends… 🙂 Thanks!