KOSOVA: VENDI KU GRATË DHE VAJZAT DHUNOHEN
Ani pse çdo vit qasja e institucioneve dhe shoqërisë civile rreth dhunës ndaj grave është po aq aktive sa edhe këtë vit, Kosova jonë demokratike vazhdon të jetë vendi ku gratë dhe vajzat nuk gjejnë mirëqenie dhe siguri. Ato nënçmohen, keqtrajtohen, dhunohen e edhe vriten.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Kudo në bote, 25 nëntori njihet si Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Kjo ditë manifestohet në forma të ndryshme; kampanja vetëdijesimi, protesta, aksione simbolike e aktivitete që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth dhunës ndaj grave e vajzave. Edhe në Kosovë tashmë sa ditë kanë filluar aktivitete në kuadërt të 16 ditëve të aktivizmit që kanë për synim vetëdijesimin e shoqërisë rreth dukurisë regresiste të shoqërisë, dhunës ndaj grave. Kemi parë organizata jo-qeveritare, organizata ndërkombëtare e përfaqësues të vendit teksa adresonin problemet lidhur me këtë dukuri negative.
Ani pse çdo vit qasja e institucioneve dhe shoqërisë civile rreth dhunës ndaj grave është po aq aktive sa edhe këtë vit, Kosova jonë demokratike vazhdon të jetë vendi ku gratë dhe vajzat nuk gjejnë mirëqenie dhe siguri. Ato nënçmohen, keqtrajtohen, dhunohen e edhe vriten. Sipas raportit te OSBE-se mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave: “Mbi gjysma (54%) e të gjitha grave thonë se kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner i ngushtë që nga mosha 15 vjeçare, dhe gati tre në dhjetë gra (29%) thonë të kenë përjetuar ngacmime seksuale.
Një në shtatë gra (14%) pohojnë të kenë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga një partner ose jo-partner (këtu nuk përfshihet dhuna psikologjike).” Ndërsa sa i përket grave të cilat kanë përjetuar dhunë fizike nga partneri i mëparshëm raporti është si vijon: “Gati një në pesë gra (18%) të cilat kanë pasur partner më parë thonë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri i mëparshëm, krahasuar me 9% të tyre që aktualisht kanë partner e të cilat thonë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga parterët aktualë. 8% e grave të anketuara thonë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga personat të cilët nuk i kanë partnerë”.
Këto shifra janë ndër më të lartat në rajon, e as më mirë nuk kanë qenë as viteve të kaluara. Siç shihet në këto statistika gratë dhe vajzat tona vazhdojnë të mos e kenë mirëqenien dhe sigurinë që iu garantohet me ligj dhe të drejta të njeriut. Jo vetëm kaq, shtresa që diskriminohet dyfish më shumë se gjinia e kundërt, kanë përjetuar dhunë fizike, psikologjike e seksuale edhe nga partnerë jo intim.
Sipas raportit të OSBE-së 14% e grave kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale që nga mosha 15 vjeçare nga partner jo intim. Përderisa këto shifra shpërfaqin mungesën e theksuar nga ana e institucioneve për të ndërmarrë hapa konkret rreth eliminimit të dhunës ndaj grave, gratë dhe vajzat kanë treguar se edhe vetë ato nuk janë të informuara se çfarë duhet të bëhet pasi ndodh incidenti, ky fakt shihet edhe me përqindjen e grave dhe vajzave që kanë raportuar në polici (vetëm 9% nga partneri dhe jo partneri 2% ). Shumica kanë thënë se janë frikësuar se do të paragjykohen nga zyrtarë policor (sikurse ka ndodhur në shumë raste), se nuk do të besoheshin, se janë shantazhuar nga partnerët, se nuk kishin bazë ekonomike dhe ishin të detyruar të duronin dhunën etj.
Nëse do kishte veprim institucional kjo padyshim do rriste sigurinë te gratë dhe vajzat që të raportonin dhunën, kësisoj, krerët e shtetit duhet urgjentisht të marrin hapa konkret drejt eliminimit të kësaj dukurie e cila ka pasoja të mëdha psikologjike e fizike te gratë dhe vajzat tona.
Ato do duhej të gjenin mbështetje në institucionet e sigurisë, të ndërtoheshin më shumë qendra strehimore për gratë dhe fëmijët të prekur nga dhuna, të kishin më shumë kampanja vetëdijesuese, dhe të iu ofrohej bazë ekonomike ku ato nuk do ishin të varruar nga abuzuesit e tyre. Dhe natyrisht, ligjet të mos mbesin vetëm në letër, por të zbatohen. Këto kërkesa nuk janë luks, në fakt janë parakusht për progresin shoqëror të një vendi demokratik. Këtu nuk është asgjë më pak në pyetje se jeta dhe mirëqenia e gruas së Republikës sonë.
Përndryshe nëse kjo gjendje vazhdon, Kosova do mbetet vendi ku gratë dhunohen, e liberalizmi dhe demokracia do humbnin kuptimin, Kosova do ishte shtet patriarkal, dhe jo i jetueshëm për gratë dhe vajzat.
Mbi autoren: Armela Hajra është një vajzë 16 vjeçare nga Mitrovica e cila vijon mësimet në shkollë të mesme.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.