KLUBI KU TË RINJTË TRANSFORMOJNË NORMAT TOKSIKE TË MASKULINITETIT
Në mënyrë që e gjithë shoqëria të përfitoj dhe të hiqet mentaliteti se “burrat gjithnjë janë ata që japin urdhra, e kanë fjalën e fundit në familje, kurse gratë të heshtin e merren me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve”, edhe në vendin tonë ka burra që luajnë rol aktiv në arritjen e barazisë. Ata bëhen model për shoqërinë duke tejkaluar sjelljet negative tradicionale të cilat e bëjnë diskriminimin gjinor si njërin nga problemet kyçe në vend.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Si një shoqëri demokratike, barazia gjinore është njëra ndër vlerat më thelbësore që ne mundohemi ta arrijmë. Të drejtat, përgjegjësitë, mundësitë e barabarta dhe mos-diskriminimi për shkak të gjinisë (e që këto kryesisht u cenohen vajzave dhe grave) janë disa nga qëllimet e kauzave feministe për një shoqëri të barabartë. Në shumicën e iniciativave feministe të deritanishme, në parim jemi mësuar që të punojmë me vajza dhe me gra në mënyrë që të arrijmë qëllimet tona për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Në fakt, barazia gjinore nuk arrihet vetëm me punën e vajzave dhe grave. Ne besojmë fuqishëm se drejtësia gjinore dhe barazia gjinore arrihet vetëm atëherë kur të gjithë si shoqëri pa dallim gjinie, angazhohemi dhe punojmë për të arritur kauzën e përbashkët për shoqëri të barabartë!
Në mënyrë që e gjithë shoqëria të përfitoj dhe të hiqet mentaliteti se “burrat gjithnjë janë ata që japin urdhra, e kanë fjalën e fundit në familje, kurse gratë të heshtin e merren me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve”, edhe në vendin tonë ka burra që luajnë rol aktiv në arritjen e barazisë. Ata bëhen model për shoqërinë duke tejkaluar sjelljet negative tradicionale të cilat e bëjnë diskriminimin gjinor si njërin nga problemet kyçe në vend.
“Klubi Bonu Burrë” (KBB) apo “Iniciativa e Burrave të Rinj”, është projekt rajonal për barazi gjinore që realizohet në Shqipëri, Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, e në Kosovë implementohet që nga viti 2010. Ky projekt i kundërvihet stereotipit shoqëror për burrat duke punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me (siç e quajmë ne), “vetë problemin”- djemtë dhe burrat. Me programe të këtij projekti, ne sensibilizojmë ata të kontribuojnë dhe mbështesin barazinë gjinore.
Në një hulumtim të bërë nga Iniciativa e Burrave të Rinj në katër vende të Ballkanit: Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe në Kosovë, kishte treguar se normat e ngurta gjinore të maskulinitetit dhe feminitetit ishin “faktorë largues”. Andaj, angazhimi i tyre në transformimin e normave gjinore është shumë i efektshëm dhe se dekonstruktuimi i identiteteve mashkullore sjellë deri te ajo që djemtë mund të bëhen aleatë dhe aktivistë kundër dhunës.
Target-grupet kryesore të projektit janë të rinjtë e shkollave të mesme dhe fakulteteve. Mirëpo si rrjedhojë e arritjes së ndryshimit pozitiv tek të rinjtë, programet janë zgjeruar edhe me targete të tjera. Meqë mbi qëndrimet dhe sjelljet e të rinjve dhe të rejave ka ndikim të madh edhe rrethi, programet e KBB-së përqendrohen edhe te më të moshuarit.
Në kuadër të programit “P” – baballarët, profesorët, profesionistët shëndetësorë dhe të rinjtë që janë rrugës për t’u bërë baba, familjarizohen me rolin që burrat duhet ta kenë në atësi dhe përkujdesje aktive gjatë shtatzënisë, lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Grupet e tjera të synuara me programe të projektit janë edhe përfaqësuesit e institucioneve dhe punëtorët socialë.
Me synim të një influencimi më të fuqishëm e gjithëpërfshirës, target më vete janë edhe gazetarët me potencialin e tyre të ndryshimit. Arsyeja që e kemi bërë programin për gazetarë është se në shumicën e rasteve mediat janë ato që bëjnë diskriminimin më të madh gjinor, ndoshta pa qëllim por për atraktivitet dhe për më shumë klikime.
Nisur nga fakti se në shkollat teknike ka më shumë djem, fokusi ishte tek ata që janë parë si “aleatët më të mirë në luftimin e stereotipeve gjinore”. KBB ka mbajtur trajnime edhe në shkolla që ndodhen në zona më të thella rurale, ku kanë hasur me shumë të rinj që nuk kanë ditur dallimin mes seksit dhe gjinisë, nuk kanë njohur as trupin e tyre dhe kanë shfaqur paragjykime rreth kampanjës, por me kohë është vërejtur ndryshimi dhe tani shumica prej tyre janë promovues të barazisë gjinore.
Stafi punonjës i KBB-së shpesh kontaktohet nga familjarët e anëtarëve, të cilët vërejnë ndryshimin te djemtë e tyre, që kanë hequr dukuritë negative, pirjen e duhanit, kanë filluar të gatuajnë e të pastrojnë. Ndryshimet që këta djem dhe burra të rinj përfitojnë nga programet e këtij projekti, janë tepër të nevojshme për arritjen e një shoqërie të barabartë, sidomos në një shoqëri ende patriarkale si kjo e jona.
Përveç punës direkte me djemtë dhe burrat për promovimin e barazisë gjinore, KBB punon edhe me vajza dhe me gra të reja. Elza Islami, njëra ndër anëtarët e këtij Klubi, na tregon se shumica e bashkëmoshatarëve ta saj janë rritur në një shoqëri ku mendonin se burrat janë ata që marrin çdo vendim dhe fjala e tyre duhet të dëgjohet. Mirëpo, siç ajo tregon, pas anëtarësimit në KBB ky mentalitet i tyre ka ndryshuar dhe tani djem e vajza bashkërisht luftojnë për kauzën e përbashkët përmes zhvillimit të aktiviteteve të shumëllojshme sensibilizuese.
Ky klub vazhdon të funksionoj si një qendër e të rinjve dhe të rejave të cilët kanë për qëllim të promovojnë barazinë gjinore, jetesën e shëndetshme dhe pa dhunë, shëndetin mendor, shëndetin seksual dhe riprodhues, parandalimin e të rinjve të rejave në radikalizëm dhe ekstremizmin e dhunshëm, në atë mënyrë që të arrijmë një shoqëri të barabartë dhe mirëqenie të shëndoshë kolektive duke transformuar maskulinitetin toksik patriarkal.
Mbi autoren: Njomza Berisha është një vajzë 20 vjeçare e cila ndjekë studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.