KLITHMA URBANE E PRISHTINËS
Kryeqytet vendi dhe vendbanim i qindra mijëra banorëve, Prishtina pos përmendjes në këngë a fjalime politike, krijon në mua ndjenjën e shtëpisë – mungesën e së cilës lehtësisht e dalloj kur nuk gjendem në mjediset e saj. Pavarësisht këtij statusi që Prishtina brumos ndër banorë, jetesa në të përditshmen e saj është goxha sfiduese. Ndotja e ajrit, numri marramendës i ndërtimeve, shkatërrime shtëpish e vendosje banesash gjigande në vend të tyre, dhe zhdukje e hapësirave publike janë disa nga fjalët që lënë shije kaosi vetëm duke qenë të vendosura kështu në fjali e lëre më po të kujtohet fakti i bashkëjetesës së tyre në realitet.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Panorama e cila me shpejtësi vjen në mend kur flitet për qytetin modern është ajo e ndërtesave të larta shumëkatëshe, dendësisë së madhe të njerëzve të cilët ecin me indiferencë ndaj njëri-tjetrit e me fokusim maksimal në telefonatën e tyre, zhurmat dhe trafikun e dinamika. Mirëpo qyteti është më shumë se kaq, ose së paku do të duhej të përpiqej të ishte i tillë. Qyteti nuk mund të jetë vetëm shumësi rrugësh, ndërtesash e adresash të institucioneve me rëndësi. Mbi të gjitha qyteti do të duhej të asocohej me njerëzit dhe të ishte hapësirë e dedikuar për ta. Por sa është Prishtina e tillë?
Kryeqytet vendi dhe vendbanim i qindra mijëra banorëve, Prishtina pos përmendjes në këngë a fjalime politike, krijon në mua ndjenjën e shtëpisë – mungesën e së cilës lehtësisht e dalloj kur nuk gjendem në mjediset e saj. Pavarësisht këtij statusi që Prishtina brumos ndër banorë, jetesa në të përditshmen e saj është goxha sfiduese. Ndotja e ajrit, numri marramendës i ndërtimeve, shkatërrime shtëpish e vendosje banesash gjigande në vend të tyre, dhe zhdukje e hapësirave publike janë disa nga fjalët që lënë shije kaosi vetëm duke qenë të vendosura kështu në fjali e lëre më po të kujtohet fakti i bashkëjetesës së tyre në realitet.
I gjithë ky tranzicion urban i cili shpesh lë përshtypjen e një adoleshence kaotike që po kalon qyteti i Prishtinës, reflekton shumë në qytetarët e saj dhe se si marrëdhëniet shoqërore marrin formë. Në syrin sociologjik, Prishtina përpos rritjes së pandalshme të banorëve të saj – sidomos nga migrimet e bëra nga qytetet e tjera për arsye shkollimi a pune, ofron një mozaik stilesh jetese dhe marrëdhëniesh të cilat mund të ilustrohen me anë të disa koncepteve sociologjike. Sipas sociologut gjerman, George Simmel, qyteti i fsheh marrëdhëniet shoqërore pas atyre ekonomike dhe çfarëdo interaksioni në qytet duket i matur, strategjik dhe krejtësisht i racionalizuar. Ndërkaq sado që qyteti ofron ëndrrën për t’u jetësuar liria nga normat e ngushta tradicionale, shpeshherë kjo liri tensionon pasiguri emocionale dhe ekonomike gjë që mund të krijojë vështirësi në ambientimin me klimën urbane.
Po ashtu, një koncept tejet relevant me të gjithë valën e urbanizimit në Prishtinë, është ajo e së drejtës për qytet nga gjeografi Davdi Harvey. Ashpërsia e urbanizimit kapitalist sidomos pasluftës në Prishtinë i përkon tej mase analizës së Harvey-it për shpëtimin e tepricës së parave në investime urbanistike, veçse në Prishtinë edhe ato investime bëhen pa kualitet e në pamje ‘’xhungle’’. Kjo ndërlidhet edhe me konceptin e urbanistit, Edward Soja, për drejtësinë urbane apo të së drejtës për bërjen e qytetit të sociologut Henre Lefebvre, meqë në këtë aventurë urbane më shumë se kurrë Prishtina është hapësirë e pabarazive, e rrathëve koncentrikë ku qendra është e pushtuar nga të pasurit po aq sa periferia – me lagjet e pakta, luksoze, të gardhurara; me rrugë plot që shkurtojnë udhëtimet e banorëve të po këtyre lagjeve, teksa zonat ne mes të periferisë e qendrës së investuara, mbesin në margjina të zhvillimit. Në Prishtinë shohim një gentrifikim të frikshëm dhe një rritje abnormale të qendrave tregtare, banesave që duken bukur vetëm në reklamën mbuluese të gërmadhës dhe zonave private; më shumë se asnjëherë në Prishtinë promovohet konsumizimi si normë dhe standardizimi i marrëdhënieve sociale duke monetarizuar çdo gjë e duke përjashtuar të varfrin dhe të margjinalizuarin nga publikja, tashmë e privatizuar.
Prandaj thirrja për t’i njohur këto koncepte po aq sa edhe për t’i praktikuar ato del përtej idesë së aktivizmit. Ajo tashmë ka të bëjë më ndjenjën e shtëpisë, ndjenjë kjo e cila po kërcënohet që të shuhet a të shndërrohet në të kundërtën e saj. Prishtinës nuk duhet t’i vidhet shpirti i qytetit në emër të zhvillimit urban i cili përtypet pa kritikë dhe reflektim. Prishtina duhet të bashkëndërtohet, rregullohet a ndryshohet, ama e gjitha kjo duhet të dalë nga zëri i qytetarëve të cilët duhet ta konsiderojnë këtë kauzë të tyren e për të cilën duhet të punohet përtej ditës së zgjedhjeve komunale.
Mbi autoren: Trina Hoti, 20 vjeçare nga Prishtina, është studente e sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States
It is incredibly, very user-friendly and user friendly. Great job for the fabulous site.