KEK (Komercial E jo Kreativ)
Niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë është shumë i lartë, por ende nuk ka ndonjë studim apo statistikë të dëmeve me fatalitet që mund të shkaktohen nga ndotja e termocentraleve të KEK-ut. E kjo korporatë, megjithatë mbetet një prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndotjen e ajrit. Përkundër këtij fakti, kjo korporatë thirret në përmirësimin e jetës së qytetarëve në vend.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Një prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit në Kosovë, mbeten termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Si i tillë nisi funksionin në vitet ’60, fillimisht si pjesë përbërëse e sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë, derisa në periudha të ndryshme kohore iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Pas luftës së fundit në Kosovë ishte shoqatë aksionare për tu transformuar në korporatë në vitin 2005. Asetet e kësaj korporate janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
KEK me dy termocentralet e saja në Obiliq, “Kosova A” dhe “Kosova B”, siguron një burim shumë të rëndësishëm për jetesë, siç është energjia elektrike. Në fakt, në Kosovë, mbi 97% e gjenerimit të energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet me lëndën djegëse linjitin. Rezervat e linjitit në Kosovë vlerësohen të jenë rreth 14 miliardë tonë, duke e bërë Kosovën të radhitet e pesta me rezerva e saj në botë, ndërsa të dytën në Evropë. Termocentralet e KEK-ut kanë potencial prodhimi rreth më 585 megavat.
Në këtë skenar, ku kërkesa e konsumit prek nivelet astrale, rriten edhe çmimet e me të rritet edhe prodhimi që e shpallë humbës kryesorë shëndetin e banorëve të Obiliqit dhe fshatrave përreth, ku gjenden deponitë e thëngjillit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme. Një nga gjashtë vdekjet e parakohshme të më shumë se 9 milionë njerëzve në të gjithë botën në vitin 2015, thuhet se janë shkaktuar nga ndotja e ajrit.
Niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë është shumë i lartë, por ende nuk ka ndonjë studim apo statistikë të dëmeve me fatalitet që mund të shkaktohen nga ndotja e termocentraleve të KEK-ut. E kjo korporatë, megjithatë mbetet një prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndotjen e ajrit. Përkundër këtij fakti, kjo korporatë thirret në përmirësimin e jetës së qytetarëve në vend.
“Të pranohet nga publiku i gjerë dhe palët tregtare se kompania menaxhohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare për ofrim të shërbimeve të mira, të besueshme dhe konkurruese”, shkruhet në ueb faqen e KEK-ut.
Por, kjo ka ndryshuar nga periudha e ish-Jugosllavisë, gjatë se cilës K.E.K ka kryer obligimet e saja në fushën e Ndërrmarësisë Sociale (Social Enterprise) duke investuar ne zonën ku kanë operuar, mbjellje të hapësirave të gjelbra, investimet kapitale, sponzorizime për akterët lokal e gjetiu. Sot, ky gjigand energjetik është vetëm shkaktari kryesor i uljes së kualitetit të jetës së qytetarëve lokal. Komerical e jo Kreativ!
KEK gjithsej numëron rreth 4700 të punësuar, ku një numër i konsiderueshëm prej tyre janë qytetarë të komunës së Obiliqit. Kjo manifestohet me mos rrezikimin e vendeve të tyre të punës, që rrjedhimisht e zbret në mënyrë eksponenciale reagimin e komunës së Obiliqit rreth shqetësimeve të qytetarëve dhe shëndetit publik; kjo mbase edhe për arsye të politikave lokale.
Për të arritur një konsensus nacional rreth zgjidhjes së këtyre problemeve, Komuna e Obiliqit ka formular dhe avokuar në krijimin e ligjit të veçantë të qytetit të quajtur “Ligji për Obiliqin”, edhe pse ligj të veçantë të qytetit shumica e shteteve kanë kryeqytetin, fakt ky që ka shfaqur ballafaqime dhe tentime për bllokim të ligjit nga të përzgjedhurit e Prishtinës. Ky ligj, më pastaj u miratua në dhjetor të 2016-të, me 12 nene që si qëllim kanë përcaktimin e Komunës së Obiliqit dhe rrethit të tij si zonë me rrezik të veçantë mjedisor, si pasojë e ndotjes së vazhdueshme të ajrit, tokës dhe ujit si dhe përmirësimin e kushteve mjedisore, që ndërlidhen me cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Por vetëm 1 nga 12 nenet e këtij ligji zbatohen. Ani pse në letër ky ligj ekziston, ai duhet të kompletohet me akte nën ligjore në mënyrë që të implementohet në tërësi.
Në nenin 8 të këtij ligji janë të specifikuara masat shtesë për përmirësimin e jetës së banorëve të Zonës së Veçantë. Aty thuhet se duhet të ketë një kuotë më të ulët në çmimin për energji elektrike për banorët e asaj zone. Gjithashtu ceken përparësitë e tyre.
“Trajtim me përparësi në kushte të barabarta, për ata që janë banorë të zonës së veçantë së paku pesë (5) vite, në procedurat e punësimit për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në përputhje me procedurat ligjore të Republikës së Kosovës”, shkruhet në pikën 3.1 të nenit 8.
Qytetarët e Obiliqit, do të donin që të paktën një prej pikave të këtij ligji të ishin prioritet për udhëheqësinë, e që atyre sadopak do ua lehtësonte shëndetin e mënyrën e jetesës. Bëhet fjalë për mundësinë e tyre për qasje në shfrytëzim të avullit të termoelektranave për ngrohje qendrore. Ashtu siç është e cekur në ligj, termocentrali Kosova B liron avull nga tymtorja me presion të dizajnuar 226 kg/cm², temperatura të avullit të tejnxehtë 542°C dhe temperatura të avullit të ri-tejnxehtë 542°C.
Avulli qarkullon nga Obiliqi deri në Termokos, përmes kanaleve nëntokësore, duke ja siguruar Prishtinës ngrohjen qendrore, gjë e cila i mungon qytetit i cili vuan më së shumti pasojat e ndotjes së ambientit që bëhet nga termocentrali. Në qoftë se ky ligj do të implementohej, do të ishte hap pozitiv për ambientin e Obiliqit e për mirëqenien e qytetarëve.
Katër vite pas miratimit, vetëm një nen është implementuar: Mjetet financiare te dedikuara për Zonën e Veçantë. E nenet tjera janë duke pritur në rend për te gjetur zbatim. Ky ligj nuk gjeti zbatim as në shpalljen e fundit nga KEK-u në të cilën kërkoheshin 200 punëtorë me shkollim të mesëm nga rrethina, aplikuan afro 1600 kandidatë/e, e vetëm dy persona nga Obiliqi u punësuan.
Ndërsa, qytetarët e kësaj zone, preokupohen për shëndetin e tyre i cili rrezikohet për të prodhuar energjinë të cilën ata e paguajnë çdo muaj me çmim standard.
Në qoftë se bëhen zbatimet në praktikë sikurse janë të shkruara në letër, do të ndihmojë në përmirësimin dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve të Obiliqit dhe për të mos qenë gjithnjë Komercial e jo Kreativ.
Mbi autoren: Liri Hashani, 21 vjeçare nga Obiliqi, studente në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).