JANJEVA, VENDI I BASHKËJETESËS SË 6 ETNIVE
Një prej pasurive të qytezës së vogël është bashkëjetesa e komunitetit shqiptar, rom, ashkali, egjiptian, turk dhe kroat. Gjithë këto komunitete ndajnë hapësirën e njëjtë të jetesës, brenda sipërfaqes së kësaj qyteze. Në përgjithësi ka harmoni mes vete, por ka raste ku etnitë diskriminojnë njëra-tjetrën.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Janjeva është një qytezë në Komunën e Lipjanit në Kosovën lindore, me sipërfaqe prej 1085km/2. Si vendbanim është përmendur për herë të parë në vitin 1303 si një famulli katolike. Janjeva ka mbi 2 mijë banorë. Dikur përmendej për minierat e saj nga ku nxirrej ari e argjendi. Karakterizohet me shtrirjen dhe pozitën gjeografike dhe tolerancën fetare e etnike që ka. Ani pse një vend i vogël, nga Janjeva dolën emra të shumtë të cilët kontribuuan në fusha të ndyshme. Një prej tyre është edhe at Shtjefën Gjeçovi ( 1874-1929) i cili ishte prift katolik shqiptar, etnolog dhe folklorist. Emrin e tij e bartë edhe një nga shkollat e Janjevës. E shtëpia e tij tashmë është shndërruar në muze.
Krahas gjithë kësaj, një tjetër pasuri e qytezës së vogël është bashkëjetesa e komunitetit shqiptar, rom, ashkali, egjiptian, turk dhe kroat. Gjithë këto komunitete ndajnë hapësirën e njëjtë të jetesës, brenda sipërfaqes së kësaj qyteze. Në përgjithësi ka harmoni mes vete, por ka raste ku etnitë diskriminojnë njëra-tjetrën.
Janjeva është shembull i bashkëjetesës së gjashtë etnive në një vend të vogël me numër të vogël të popullsisë. Kjo padyshim se është një shembull pozitiv, por fatkeqësisht ndonjëherë përfundon edhe me mosmarrëveshje dhe paragjykime, gjëra që nuk duhet të ndodhin.
Hanife Gradina, 14 vjeçe, e cila vjen nga komuniteti rom thotë se ndonjëherë e ndjen veten të anashkaluar.
“Komunitetet tjera nuk shprehen me fjalë ofenduese, por na ndodhë ndonjëherë nëpër dyqane ose nëpër vende të tjera që na anashkalojnë e të tjerëve ju japin përparësi”, thotë Gradina.
Por ka edhe të atillë që ndjenjë veten të pranuar në rreth shoqëror, pavarësisht përkatësisë etnike. Laura Jozic, 13 vjeçe, e cila i përket komunitetit kroat, është një prej tyre.
“Kaloj mirë me të gjithë veçanërisht me shqiptarët pasi që të gjithë komshinjtë dhe shoqja ime e ngushtë janë shqiptarë dhe kemi krijuar një shoqëri ndërmjet vete shumë të mirë”, thotë Laura.
Diskriminimi etnik karakterizohet nga trajtimi i padrejtë ose diferencial për shkak të përkatësisë etnike. Pra, diskriminimi etnik si përvojë ndër të tjera përfshinë edhe ofendimet, nënçmim, shtypje, refuzim ndaj një personi të një përkatësie të caktuar etnike. Shumë njerëz mospëlqimin e tyre ndaj një bashkësie etnike e rikthejnë në ndjenja të urrejtjes. Me një fjalë duke e mohuar ekzistencën, lirinë, dhe çdo vepër të mirë të tyre.
Përveç diskriminimit sistemik e strukturor, diskriminimi i përditshëm e që është ndoshta në formë më të fshehtë ndodhë në një nivel ndërpersonal. Njerëzit paragjykojnë dhe ofendojnë njerëzit të cilët kanë etni, fe, ngjyrë të lëkurës, mënyrë të jetesës, dhe gjendje ekonomike tjetër.
Në Janjevë diskriminimi shihet më së shumti në shkollë, i shprehur në formë të paragjykimeve dhe ofendimet ndaj bashkësive të ndryshme etnike. Edhe pse mësimi zhvillohet në të njëjtin objekt, diskriminimi vazhdon të jetë i theksuar.
Një prej rasteve që ilustron këtë diskriminim, në shkollën Shtjefën Gjeçovi, është ai kur në fushën sportive të shkollës, disa prindër shqiptarë janë alarmuar nga fakti se nxënësit e komuniteteve të ndryshme kanë luajtur mes vete. Rast ky fare i hijshëm, pasi që ua kanë kufizuar shoqërimin e fëmijëve të tyre me komunitetet e tjera.
Një prej shkaqeve kryesore që çon deri tek diskriminimi është mos informimi i mjaftueshëm si në objektet shkollore ashtu edhe në rrethin familjar, rreth të drejtave bazike të secilit individ për tu trajtuar në mënyrë të barabartë. Pra, shpesh nuk ka interesim për të trajtuar këto tema dhe për t’i edukuar fëmijët në këtë drejtim.
Diskriminimi mund të shkaktoj pasoja të shumta tek një individ apo grup shoqëror, që çon deri tek ulja e vetëbesimit, pamundësisë për tu angazhuar në jetën shoqërore në mënyrë të barabartë. Individët që janë viktimë e diskriminimit po ashtu mund të mbyllen në vete dhe të mos ndihen rehat të shprehin zëshëm atë që kanë në mendje nga frika se mos kritikohen dhe paragjykohen nga të tjerët.
Në momentin që mendohet se përkatësia etnike, pigmenti më i hapur të lëkurës, apo të ardhurat financiare të bën më të mirë se tjetri/a atëherë kjo çështje duhet të ndryshohet. Të vihet në diskurs më të gjerë kjo temë e të trajtohet në secilën familje dhe institucion.
Mbase Janjeva është shembull në vete sa i përket bashkëjetesës, mirëpo aty i gjen dy paradokse. Ke diskriminimin dhe tolerancën në të njëjtin vend.
Tolerancën e vëren veçanërisht përgjatë festave religjioze. Sheh banorët që urojnë njeri-tjetrit festën që i përket p.sh. Festa e Bajramit, Pashkët, Krishtlindjet katolike dhe ortodokse. Vetëm se e njëjta frymë duhet të vazhdojë edhe përgjatë ditëve të tjera të vitit kalendarik. Banorët e Janjevës tashmë kanë arritur t’i përshtaten kësaj forme të jetesës, por kjo nuk do të thotë se gjendja nuk mund të bëhet edhe më mirë.
Mbi autoren: Anisa Kryeziu, 15 vjeçe, nga Janjeva ndjek mësimet në shkollë fillore.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).