IZOLIMI PREJ DY PERSPEKTIVAVE
”Një mendje e shëndoshë në një trup të shëndoshë” është shprehja që kemi dëgjuar shpesh. Mirëpo situata pandemike e vëri në pikëpyetje edhe këtë. Si të ruhet kjo mendje e shëndoshë kur e gjithë bota po kthehej përmbys nga një virus i rrallë?
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Derisa të gjithë po jetonim një jetë të qetë e normale, ndodhi e papritura. Të gjithë pretendonin që viti 2020 do të jetë një vit i suksesshëm. Shoqëritë veçse kishin filluar planet e tyre, por shumë shpejt gjithçka u ndal nga një virus që bëri namin e që ishte i rrezikshëm mjaftueshëm për t’u shpallur pandemi globale. Për të parandaluar përhapjen e mëtejme u mbyll gjithçka, e u duk se e gjithë bota u zbeh sa hap e mbyll sytë.
Të qenit i mbyllur brenda shtëpisë për një kohë sado të shkurtër sigurisht se ka ndikim të madh te secili individ. Askujt nuk i pëlqen mbyllja, e ky koncept sado që në fillim mund të duket zgjidhje e mirë, shumë shpejt mund të kthehet në diçka vështirë të përballueshme. Kështu edhe izolimi gjatë pandemisë e kishte të njëjtin efekt. Madje ky izolim ishte edhe më sfidues nëse ia shtojmë edhe presionin e situatës pandemike.
Tipe të ndryshme të personaliteteve reagojnë ndryshe në situata të tilla. E një krahasim mund të bëhet veçanërisht kur flasim për një person introvert dhe një tjetër ekstrovert. Ideja e introvertëve dhe ekstrovertëve ishte komentuar për herë të parë nga psikologu Carl Jung në vitet e 20ta, e që nga ajo kohë edhe shumë shkencëtarë tjerë janë munduar që të gjejnë një përshkrim sa më të saktë për këto dy lloje të personaliteteve.
Në shoqëri, një person introvert gjithmonë perceptohet si një person që nuk flet shumë, nuk reagon shpesh, e mbi të gjitha një person që kënaqet më së shumti kur është vetëm. Është i/e tillë të paktën në raste kur nuk është në shoqëri të personave që ndihet i/e lirë me ta. Ekstroverti/ja, në anën tjetër, shfaq plotësisht virtytet e kundërta të një personi introvert. Dikush që është ekstrovert/e shijon çdo moment të të qenit i/e rrethuar me njerëz. Ai/ajo ndanë çdo mendim, nuk heziton, e gjithmonë flet haptazi. Sidoqoftë, sipas Jungut këto dy kategori nuk mund të jenë totalisht të ndryshme e të pavarura nga njëra-tjetra, por janë dy koncepte të ndërthurura e të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sepse ai kishte thënë se nuk mund të ekzistojë një person që është totalisht introvert apo totalisht ekstrovert.
Kur u bë i ditur lajmi se, si në vende të tjera, edhe në Kosovë të gjitha hapësirat do të mbyllen, shumë njerëz menduan se për introvertët kjo është gjëja më e mirë që mund t’iu kishte ndodhur. Mirëpo jo e tëra kjo mund të quhet e saktë, ngase një studim i kryer nga një grup studiuesish të Greater Divide me bazë në Virgjinia, dëshmon se për më tepër, introvertët e kanë përjetuar akoma më rëndë se ekstrovertët këtë mbyllje.
Për të arritur deri te ky përfundim, ky grup i studiuesve anketuan rreth një mijë të rinj amerikanë. Nga e gjithë kjo rezultoi se arsyeja pse introvertët e përjetonin më rëndë rrezikun e pandemisë sesa ekstrovertët është fakti se ekstrovertët tentojnë të jenë më të qetë kur përballen me ndonjë rrezik si dhe besojnë shumë e janë optimistë se gjërat gjithmonë do të shkojnë mirë.
“Në krahasim me introvertët, ekstrovertët kanë tendencë të përjetojnë emocione pozitive më të shpeshta dhe të forta”, kishte thënë Christopher Soto, Profesor i Psikologjisë së Personalitetit në Colby College në Maine. “Kjo e bën më të lehtë për ta që të ruajnë një gjendje pozitive në jetën e përditshme. Kjo gjithashtu i ndihmon ata të qëndrojnë optimistë përpara rrethanave të vështira, si kriza aktuale”.
Një psikologji e tillë te shumë të rinj zë vend, e shpesh kur ndodhemi në situata të vështira mendojmë se si mund të “shpëtojmë” nga to. Na është thënë shpesh se jetojmë në botën e teknologjisë, ku rrjetet sociale po marrin vëmendje jashtëzakonisht të madhe. Kështu, duke qenë se ekstrovertët zakonisht kanë një rrjet shumë më të gjerë të miqësisë për të komunikuar përmes rrjeteve sociale, kjo ka qenë si mundësi e mirë “shpëtimi” nga rutina e përditshme e izolimit. Megjithatë, kjo padyshim ka favorizuar të dy palët ngase edhe personat introvertë jo shumë rrallë zgjedhin komunikimin ndërmjet mediave sociale në vend të daljes jashtë për t’u socializuar, e si përfundim i bie që pa këto rrjete sociale kriza në pandemi do të përceptohej shumë më ndryshe.
Megjithatë, pandemia vërtetë pengoi nxënësit dhe studentët të shkojnë në shkollë, e punëtorët në punë, dhe e gjithë kjo u mendua të zëvendësohej përmes takimeve virtuale. Nëse ndalemi te studentët dhe i pyesim ata se si ishte të uleshin para kompjuterit ose telefonit e të qëndrojnë ulur për një kohë bukur të gjatë, shumica e përgjigjeve do të jenë negative. Për më tepër, në këto takime nganjëherë duhej të flisje para shumë studentëve tjerë, e këtu e dimë shumë mirë se kush e ka pasë më vështirë të shprehet.
“Ishte shumë sfiduese”, tha një student i UP-së, “Kur më thirrej emri për të folur para të tjerëve, më kaplojke një ndjenjë stresi që kërkoja të përfundojë shpejt”.
“Menjëherë kur fillojsha me folë, subkoshienca ime ka qenë e mbushur me faktin se ndoshta nuk fola mirë, ose kam gabu diçka”, tregoi një tjetër studente e po të njëjtit universitet.
Si rrjedhojë, përkundër shumë sfidave që mund të listohen në ditarin e sfidave të ligjeratave online gjatë pandemisë, për një introvert/e sfida e të folurit para të tjerëve me gjasë listohet në krye të tij.
E çka mund të nxjerrim si përfundim? Ekzistojnë dy pikëpamje, të dyja të vërteta e asnjëra e saktë. Ndoshta sfida ka qenë e përbashkët për introvertët dhe ekstrovertët, emocionet e përziera kanë mbizotëruar gjatë gjithë kësaj kohe, kështu duke e bërë akoma më të komplikuar idenë e izolimit. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt. Nevoja e individit për t’u ndjerë ekzistent respektivisht lidhet me kontaktin me njerëz të tjerë. Shpresojmë që një situatë e tillë izolimi të mos jetë e mundur më tutje ngase pasojat e tij në shëndetin mendor mund të jenë shumë më tepër të theksuara, sidomos te gjeneratat e reja.
Mbi autorin: Rexhep Kameraj është një djalë 19 vjeçar nga Deçani i cili vijon studimet në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gjuhës Angleze.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).