GRUPET MBËSHTETËSE NË KOSOVË
Support Groups Kosova lidh persona me përvoja të ngjashme në mënyrë që ata të ndihmojnë dhe të mësojnë njëri-tjetrin se si të përballohen me problemet të cilat I ballafaqojnë.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Support Groups Kosova (SGK), një nismë e krijuar nga vullneti i mirë i të rinjve/rejave lidh persona me përvoja të ngjashme në mënyrë që ata të ndihmojnë dhe të mësojnë njëri-tjetrin se si të përballen me problemet të cilat i ballafaqojnë, në një hapësirë pa paragjykim dhe mirëkuptim. Në të njejtën kohë pjesëmarrësit/et marrin mbështetje në lidhje me jetesën dhe menaxhimin e problemeve.
Të inspiruar nga grupet mbështetese në vende tjera, dhe në pamundësi për të marrë pjesë në një grup të tillë në Kosovë për shkak të mungesë së grupeve të tilla, është krijuar SGK në mesin e vitit 2021. Një iniciativë me shumë interes nga publiku.
Pavarësisht stigmatizimit të lartë të çështjeve rreth shëndetit mendor dhe grupeve të ndryshme shoqërore që jodomosdorishmt përkojnë me normat e përcaktuara nga shoqëria, ne një pjesë e rinisë jemi duke provuar t’i thejmë këto stigma. Në vend se stigma të na shtyp, ne po e shtypim atë.
Ne po përpiqemi të krijojmë një hapsirë ku të gjithë ndihen të sigurtë që të kërkojnë ndihmën që u nevoitet. Kemi filluar me hapa të vegjël duke krijuar fillimisht vetëm 3 grupe mbështetëse si “Grupi mbështetës për ankth”, “Grupi mbështetës për LGBT” dhe “Grupi mbështetës për ngacmim seksual”. Përmes këtyre grupeve pjesëmarrësit/et trajtojnë tema të tilla si llojet e ankthit, mekanizmat e përballjes me ankthin, faji, turpi i internalizuar dhe se si ky ndikon në vetë-besimin e një personi në vetvete në lidhje me identitetin e tyre, e “coming out”, shëndetin seksual të personave LGBTIQ+, diskutime për dhunën seksuale ndaj grave etj.
Është e rëndësishme të theksohet se këto nuk janë grupe trajtimi. Ato janë vende ku individë të cilët janë të prekur nga të njëjtat probleme mund të japin dhe marrin mbështetje në lidhje me jetesën dhe menaxhimin e tyre.
Takimet tona zgjasin një orë e gjysmë ku ne diskutojmë lidhur me çështje të ndryshme në formë të bashkëbisedimit jo-formal të fasilituara nga vullnetarët/et tanë të trajnuar, që kanë një larmi eksperiencash profesionale, por herë pas here nuk mungojnë ligjërata nga profesionistë shëndetësor dhe profesionistë të fushave për të cilën po zhvillohet çështja. Përtej takimit grupet mbështetese ofrojnë një mundësi për anëtarët e grupit të socializohen mes vete. Rrjedhimisht duke na bërë kështu të kuptojmë se qëllimi ynë për krijimin e shoqërive të reja është duke ndodhur.
Duke parë rëndësinë e grupeve të tilla në vendin tonë, ne kemi lidhur bashkëpunim për referim edhe me organizata vendose si “CEL Kosova” dhe “CSGD”, për të ofruar shërbime shtesë falas për pjesëmarrës/e në rast të shfaqjes së ndonjë kërkese në bazë individuale si për shërbime mjekësore, për ndihmë psikologjike dhe mbrojtje juridike.
Planet tona për të ardhmen përfshijnë zgjerimin me grupe të reja si dhe në aspektin gjeografik duke u zgjeruar po ashtu dalengadalë në qytete tjera si qyteti i Pejës. Grupet mbështetese janë të hapura për të gjithë pa dallim, mjafton të na kontaktoni përmes rrjeteve sociale, e-mailit ose edhe telefonit. Grupet mbështetese janë këtu që të dëgjohet zëri i secilit/es e që të mos ndjehet vetëm askush.
Mbi autorin: Nol Musa, 19 vjeçar nga Prishtina, vijon studimet për juridik në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States
Thank you! I really appreciate your article, in fact I think you deserve a thumbs up.