GRATË NË TREGUN E PUNËS NË JANJEVË
Puna e grave në Janjevë është pa kufizime në orar. Ato i shërbejnë familjes, shërbejnë në bujqësi, u shërbejnë bagëtive dhe çdo gjë tjetër që ndërlidhet me punët e kujdesit. Pra është kryesisht punë e papaguar. Angazhimi rreth punëve të shtëpisë dhe kujdesit bën që ato rrjedhimisht të mbesin jashtë forcës së punës.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Punësimi për gratë ndodh të jetë më i vështirë për arsye te shumta që vijnë kryesisht si rezultat i mendësisë patriarkale. Derisa burri konsiderohet si mbajtës i familjes në aspektin ekonomik, gruaja shihet si amvise e cila duhet të kujdeset për të gjitha punët e shtëpisë. Në Janjevë, qytezën e vogël dhe të varfër ekonomikisht pozicioni i gruas është dy herë më i vështirë. Gratë kanë shumë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës.
Puna e grave në Janjevë është pa kufizime në orare. Ato i shërbejnë familjes, shërbejnë në bujqësi, u shërbejnë bagëtive dhe çdo gjë tjetër që ndërlidhet me punët kujdesit. Pra është kryesisht punë e papaguar. Angazhimi rreth punëve të shtëpisë dhe kujdesit bën që ato rrjedhimisht të mbesin jashtë forcës së punës.
Duke qenë se Janjeva është i vogël, edhe mundësitë për punësim janë dukshëm më të vogla. Megjithatë edhe në sektore ku gratë do të mund të ishin aktive, për shkak të paragjykimeve gratë nuk janë prezente.
Pavarësisht që gratë janë të angazhuar në bujqësi, ato nuk i gjejmë prezente as edhe në mese ku do të mund të siguronin të hyra vetanake siç mund të jetë shitja e produkteve të tyre bujqësore në treg. Se sa pak janë prezente gratë në Janjevë më së miri e shohim në Janjevë të premten që është ditë pazari. Pavarësisht që çdo të premte tregu është i mbushur me tregtarë të vendeve të ndryshme që shesin gjëra ushqimore, veshmbathje etj… gratë lëre që nuk i shohim si shitëse por madje as nuk dalin të blejnë për shkak të normave shoqërore që nuk lejojnë gratë të jenë prezente në hapësira publike që janë të dominuara nga burrat.
Ndërsa diskriminimi është i shumëfishtë për gratë rome në Janjevë.
“Sapo më shohin fytyrën(punëdhënësit) thonë që s’ka punë”, thotë Sahadete Garipi, grua nga komuniteti rom, 45 vjeçare, teksa tregon problemet që ka hasur gjatë aplikimit në një punë.
Angazhimi i grave në treg të punës në Janjevë është me i vështirë po ashtu për shkak të mos përgatitjes së duhur arsimore.
“Që në momentin që ne kërkojmë një punë të vogël për të bërë, është kjo pjesa që pronarët thonë se ti je vajzë, duke vënë në dyshim aftësinë drejtuese të një grupi“, ka thënë Djellza Gashi.
Ajo është një grua 29 vjeçe por ka të kryer vetëm shkollën fillore dhe në momentin që kërkon punë, shpesh punëdhënësit dyshojnë në aftësinë e saj pasi që ajo ka të kryer vetëm shkollën fillore. Megjithëse nga periudha e pasluftës sistemi arsimor në Janjevë ka kaluar nëpër reforma të shumta si i gjithë sistemi në Kosovë, me synim që të mbahet hapi me zhvillimet në këtë fushë me vendet e Bashkimit Evropian. Këto reforma jo gjithherë kanë rezultuar të suksesshme dhe të zbatueshme për rrethanat e Kosovës. Rrjedhimisht, tani ballafaqohemi me një sistem arsimor që nuk po arrin të përgatisë gjeneratat e reja për tregun e punës. Nuk ka një përputhje të mirëfilltë të kërkesës dhe ofertës për fuqi punëtore. Pra, vështirësitë e grave në Janjevë janë të ndryshme prej atyre që nuk kanë arritur të përfundojnë shkollimin e lartë për shkak të kushteve të rënda ekonomike deri tek ato që nuk e kanë përgatitjen e duhur arsimore për nevojat e tregut të punës.
Duke marrë parasysh numrin tejet të madh të grave joaktive në tregun e punës në Janjevë është shumë me rëndësi të promovohen mënyra që i inkurajojnë ato për t’i motivuar që të jenë më aktive dhe të angazhohen në mënyrë aktive në jetën ekonomike. Meqenëse gratë janë kryesisht të angazhuara për kujdes ndaj fëmijëve dhe shtëpisë, është e rëndësishme që të kemi më shumë se një çerdhe publike në Janjevë. Në mënyrë që nënat të cilat do të punësohen apo vetëpunësohen të kenë mundësinë ku të lënë fëmijët, të mos merren gjatë gjithë kohës rritjen e fëmijëve dhe punët e shtëpisë, por edhe të angazhohen në tregun e punës. Po ashtu arsimimi është me rëndësi tepër të madhe në mënyrë që të mundësohet përfshirja e grave në tregun e punës. Sesione të trajnimit, veçanërisht të fokusuara në tregun e grave në aftësi të reja, do tu jap grave joaktive mundësi të re dhe motivim që të jenë aktive ose që të kthehen në tregun e punës. Kjo do t’i pasurojë ato me aftësi të reja të vlefshme të cilat pastaj do tu japin optimizëm dhe besim atyre, veçanërisht për atë se punësimi i qëndrueshëm është i mundur përmes vet angazhimit të tyre aktiv.
Mbi autoren: Gresa Zeqiri, 15 vjeçare nga Janjeva, është nxënëse në shkollë fillore.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).