GJUHA E URREJTJES SI FORMË KOMUNIKIMI E REAGIMI
Ilustrimi: Studio Permanent
Gjuha e urrejtjes është mënyrë përmes së cilës individët shprehin urrejtjen e tyre ndaj të tjerëve përmes të folurit apo të shkruarit, e që ka për qëllim të poshtëroj apo denigroj personalitetin e personave të tjerë. Ajo mund të jetë me karakter fetar, etnik, racor apo rreth orientimit seksual. Gjuha e urrejtjes sipas Shoqatës Amerikane të Bibliotekave “është çdo formë shprehjeje përmes së cilës folësit synojnë të shajnë, poshtërojnë ose nxisin urrejtje kundër një grupi ose një klase personash në bazë të racës, fesë, identitetit seksual të ngjyrës së lëkurës, identitetit gjinor, etnisë, aftësisë së kufizuar ose origjinë kombëtare” (American Library Association). Në bazë të Asamblesë Parlamentare gjuha e urrejtjes në Evropë është çdoherë e në rritje, duke theksuar rritjen e gjuhës racore, ksenofobinë apo edhe forma të tjera.
Përgjatë një hulumtimi të realizuar mbi gjuhën e urrejtjes në mediat sociale në vend, del se gjuha e urrejtjes si diskurs është mjaft i përhapur në shoqërinë tonë. Si analizë janë marrë tre ditë me rastin e një vjetorit të qeverisë Kurti II. Këto tre ditë kanë qenë të dominuar me lajme të cilat kanë përcjell vlerësimin/kritikën e liderëve dhe deputetëve opozitar, gazetarëve, analistëve dhe gjithë aktorëve të tjerë politikë lidhur me qeverisjen Kurti gjatë periudhës një vjeçare të tij, kritika të cilat janë pranuar nga një masë e vogël por të papranueshme në masë të madhe për shkak të perceptimit ndaj tyre nga shoqëria.
Duhet vë në pah dy gjëra: që së pari, gjuha e urrejtjes si diskurs nuk reflektohet vetëm nga qytetarët por edhe nga mediat dhe së dyti. Po ashtu gjuha e urrejtjes nuk shprehet vetëm ndaj aktorëve politikë apo mediave. Në raste të caktuara, si diskurs, tregon edhe për dukurinë e mendësisë dhunuese në baza gjinore në shoqërinë tonë. Kjo dukuri shfaqet në një lajm të publikuar nga Klan Kosova me titullin “Gruaja e bën burrin për spital në Suharekë” ka marrë 726 reagime, 1,2 mijë komente dhe 15 shpërndarje. Në komente shprehet kërkesa për protestë për të mbrojtur të drejtat e burrave apo mobilizimin e organizatave për të avokuar të drejtat e tyre, nën anën tjetër shumica e tyre e përkrahin këtë fenomen shoqërorë, duke u shprehur “Dora të lumt”, “I lumt dora”, “Bravo”, “Ky sa burr e asë mashkull”, “Aj veq burr sa, o ku jan möre ata burra he nanen, u ba gruja me kthy dor”, “Cilin burr? Se aj veq burr skoka kan”, “Skoka burr ky qe pe rrejka gruja mazamakeq qfar kohe po vjen”, “Burri qe koka kan akan desht me myt kejt”. Shumë nga komentuesit e lavdërojn dhe e përkrahin gruan për veprimin e saj, si “O sa mir ja paska ba hallall i qoft asaj gruaje ashtu duhet me qen te gjitha grat ”, “Kjo është Shote Galicë. Burrat e tillë jo qe duhet me i rrah,por duhet mos me jau ndal kurr drunin.I lumtë kësaj zonjes”, “Sdi pse nuk e ke mbyt krejt qka po tvyn ai magar ncnc”. Kjo pasqyron shkallën e vetëdijësimit të shoqërisë dhe në anën tjetër mosefektivitetin dhe mossuksesin institucional dhe të shoqërisë civile në luftimin e një fenomeni të tillë.
Si përfundim, pas vëzhgimit tre ditor të lajmeve të publikuar nga mediat dhe pas mbledhjes së të dhënave, shqyrtimit edhe analizimit të reagimeve nga ana e qytetarëve në lajmet e publikuar nga mediat, arrijmë në përfundim që fatkeqësisht kemi provueshmëri të lartë të gjuhës së urrejtjes në qëndrimet, opinionet apo mendimet e qytetarëve për fenomen shoqërore e veçanërisht ato çështje politike. Gjuha e urrejtjes nga qytetarët në rrjetet sociale shprehet në forma të ndryshme: përmes shkrimit – ku shprehin ofendime të rënda, kërcënime e linçime, mbi baza etnike, racore, fetare, politike apo rreth orientimit seksual; ajo shprehet përmes figurave të ndryshme, ku individët i krahasojnë apo i vënë në një paralele me kafshë apo me fotografi të personaliteteve; si dhe përmes opsionit “emoji”. Një diskurs i tillë, ku gjuha e urrejtjes gjen hapësirë në komunikime apo reagime është karakteristik e shoqërive me shkallë të ulët të ndërgjegjësimit për këto çështje. Si rrjedhojë, qytetarët lirin në hapësirën mediale apo lirin individuale e percepton si të drejtën për të thënë çka do, ku do dhe kur do duke mos e perceptuar lirin si të drejtën e të tjerëve që të flasin atë që është në kundërshtim me pikëpamjet e tij/saj individuale, ndërsa si mungesë e edukimit, nuk i mirëkuptojmë apo të paktën të i respektojë botëkuptimet, qëndrimet dhe veprimet e të tjerëve. Shpesh papajtueshmërinë rreth çështjeve të ndryshme nuk mund ta shprehin përmes argumentimit, diskutimit dhe negocimit por vetëm përmes ofendimit, kërcënimit, cenimit dhe linçimit.
Rrjetet sociale, krahas anës pozitive duke e bërë komunikimin më të lehtë dhe informimin më të shpejtë, duke krijuar trikotominë qytetari – informacioni- media, kanë edhe anën e tyre negative, duke u bërë mjeti kurse mediat “arena” dhe “hapësira” e zhvillimit dhe të përhapjes së gjuhës së urrejtjes, duke nënkuptuar që liria e pakufizuar dhe hapësira e pakontrolluar që ofrohet në rrjetet sociale ka krijuar “token” ku kultivohet gjuha e urrejtjes.
Si përfundim, hapësira e pakontrolluar dhe liria e pakufizuar mediale e cila ofrohet, çdoherë e më shumë është duke cenuar mendimin dhe veprimin ndryshe.
Mbi autorin: Omer Kosumi, 21 vjeçar, vijon studimet në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Shkencave Politike.