GJUHA DISKRIMINUESE DHE DEZINFORMATAT NË LITERATURËN SHKOLLORE
Librat e shkollës fillore dhe asaj të mesme janë të konstruktuara në mënyrë jo të mirë, përmbajnë gjuhë diskriminuese ndaj kontingjenteve të caktuara të individëve, kanë dezinformata dhe informacion të panevojshëm e të stërpërsëritur. Po ashtu i mungojnë shembujt dhe ilustrimet e koncepteve të caktuara dhe nuk përmbushin asnjë normë të nevojshme për tu kualifikuar si literaturë kredibile.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Mund të thuhet pa hezitim se arsimi është njëri prej premisave kryesore të një shteti të suksesshëm e bashkëkohor. Pa arsimim kualitativ nuk ka as zhvillim ekonomik, as udhëheqje të mirëfilltë e as popullsi të vetëdijesuar e bashkëkohore.
Fusha e edukimit në Kosovë ka shumë problematika dhe diskrepanca që duhen zgjidhur. Infrastruktura jo në nivel, stafi jo kompetent, nxënësit jo të diciplinuar janë disa nga faktorët që kanë sjellë nivelin e arsimit këtu ku është, dhe rrjedhimisht ndikojnë negativisht në fushat e tjera si ekonomia dhe zhvillimi i vogël i saj.
Njëra ndër problemet më të mëdha që shkakton pengesa në procesin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies është niveli i ulët i kualitetit të literaturës shkollore. Librat e shkollës fillore dhe asaj të mesme janë të konstruktuara në mënyrë jo të mirë, përmbajnë gjuhë diskriminuese ndaj kontingjenteve të caktuara të individëve, kanë dezinformata dhe informacion të panevojshëm e të stërpërsëritur. Po ashtu i mungojnë shembujt dhe ilustrimet e koncepteve të caktuara dhe nuk përmbushin asnjë normë të nevojshme për tu kualifikuar si literaturë kredibile.
Kjo situatë nuk duket se do përmirësohet për shkak se edhe pse kjo literaturë ribotohet thuajse çdo vit, ajo nuk i nënshtrohet asnjë ndryshimi përmbajtjesorë kontekstual. Ndryshimi më i madh që marrin librat pas ribotimit është ai i kopertinës.
Fillimisht, mënyra se si shpjegohet një temë e caktuar në literaturën mësimore nuk arrin nivelin e duhur të kuptueshmërisë tek nxënësit, për shkak se në shumë raste (si në “Gjeografinë e klasës së 11-të për shembull) informacioni jo relevant përsëritet dhe ka informata jo të nevojshme të cilat e stërngopin materien mësimore vetëm me qëllim që ajo të duket më voluminoze.
Në tekstet e lëndëve shkencore ka mungesë të shembujve dhe elaborimit më të thellë të koncepteve më komplekse të cilat nevojiten për t’ia lehtësuar të mësuarit nxënësit. Po ashtu, shembujt dhe detyrat e dhëna nuk kanë shpjegime të kuptueshme, dhe kanë mungesë të orientimit për nxënësin. Kjo e fundit nuk vlen vetëm për lëndët shkencore. Hiç më larg se tek abetarja e re e klasave të para, ka mungesë të shpjegimit të detyrave të parashtruara, dhe kur shumica e detyrave janë të pakuptueshme edhe për mësuesin e prindin, nxënësi nuk duhet përmendur fare.
Kjo jo vetëm që pengon nxënien e materies, por nxit të mësuarit mekanik dhe jo atë logjik e sistematik nga ana e nxënësit.
Më e keqja është se ka shumë raste kur informacioni i dhënë në libër është i gabuar. Në gjeografinë e klasës së 6-të thuhet se popullsia e Rusisë është rreth 300 milionë banorë, kur në realitet ajo ka vetëm 144 milionë banorë. Do t’i falej përpiluesve të tekstit nëse ata do gabonin për dhjetëra mijëra banorë, por nëse gabimi është kaq madhor, ai rezulton në dezinformim tek çdo nxënës/e dhe lexues/e. Imagjinoni një nxënës/e i cili/e cila po mëson për testin e tij/saj në gjeografi, dhe po mundohet të mësojë diçka e cila është e gabuar, ai/ajo po kryen procesin e nxënies së mësimit i cili është jo i saktë.
Përpos gjithë këtyre problematikave kontekstuale në literaturën shkollore, ekziston edhe gjuha diskriminuese e cila haset nëpër tekste. Etiketimi, paragjykimi, gjuha ofenduese dhe jo adekuate nëpër libra në bazë të etnisë, racave, problemeve fizike dhe mendore, dhe religjioneve është evidentuar mbi 100 herë nga Nisma e Të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në hulumtimin e tyre mbi literaturën shkollore në shtetin e Kosovës.
Tekstet si ato të Biologjisë, Sociologjisë, Psikologjisë dhe Historisë kanë përmbajtje dhe diskurs i cili ka tendencë ta paraqesë gjininë femërore si inferiore dhe si objekt seksual, ose të paktën mënyra se si artikulohen fjalitë jep atë përshtypje. Por pavarësisht kësaj, ato duhen ndryshuar. Në librin “Psikologjia 11” krijohet një diferencim i padrejtë mes burrit dhe gruas në temën “Seksualiteti dhe Gjinia”, ku në dallimet trunore mes dy gjinive thuhet se “…të dy trurët janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur.” Dhe më tutje se “…truri i diferencuar si mashkullor e ka më të lehtë të përballet me shumë detyra, si për shembull të folurit gjatë ndërtimit të diçkasë.
Ka edhe raste etiketimi në bazë të aftësive të kufizuara, ku njerëzit me vështirësi mendore dhe fizike u referohen me terme primitive e ofenduese në literaturë. Në katër tekste të ndryshme të biologjisë për klasat 10 – 12 ky sindrom përkufizohet me “idiota mongoloid”. Në këtë aspekt shkohet edhe më tutje duke shkruar se “…personat e tillë sipas pamjes së fytyrës dhe syve i përngjajnë racës mongole, ndërsa janë me ngecje të madhe mentale, me rritje të shkurtër, truri i zvogëluar, dermatoglifet karakteristike dhe jetojnë më së shumti 10-15 vjet”.
Ka po ashtu implikime të margjinalizimit të kontingjenteve të caktuara të popullsisë, duke mos i përmendur ata ku duhet, dhe duke i etiketuar me nofka përçmuese. Për shembull, në “Historia 11”, përdoret termi “jevgj” për romët dhe “çifut” për hebrenjtë.
Po ashtu, një glorifikim i tepërt subjektiv i popullit shqiptar vërehet në tërë botimet e historisë. Aty shqiptarët reprezantohen me “besim të patundur në forcat e veta”, apo se si Skënderbeu vdiq “i mbuluar me lavdi të përjetshme.” Edhe pse kjo mund të konsiderohet si tentativë për t’i ngritur ndjenjat atdhetare tek nxënësit/et -dhe një glorifikim i matur deri në një pikë është i nevojshëm për nxitjen e vlerave patriotike-ajo prapë se prapë është një shtysë drejt një ideologjie të imponuar tek lexuesi/ja dhe ka tendenca të prapambetura propagandistike komuniste. Kjo mund të rezultojë në krijimin e një pikëpamjeje jo të saktë tek lexuesi/ja dhe/ose nxënësi/ja.
Një tekst i mirëfilltë shkollor nuk duhet të jetë subjekt i diskriminimit gjinor, etnik apo racor. Ai duhet të jetë shembull i barazisë, tolerancës dhe solidaritetit mes njerëzve.
Duke marrë shembull botimet e huaja të teksteve shkollore, si për shembull ato të OXFORD Publishing, tekstet e lëndëve shoqërore duhet të kenë gjithmonë parasysh parimin e objektivitetit, çdo temë e cila mundet të jetë personale dhe prekë botën shpirtërore të njeriut duhet trajtuar me objektivitet në mënyrë që të evitohet ofendimi i njerëzve të caktuar.
Shtjellimi i materies në mënyrë subjektive – ose duke anuar kah njëra anë e tavolinës – mundet të rezultojë në diçka edhe më të keqe. Duke i krijuar individit ide të gatshme dhe duke e shtyrë atë kah dogmatizmi, librat subjektiv munden të kthehen në manifeste të radikalizmit kulturor e shoqëror. Kjo është gjëja e fundit që i duhet një vendi si Kosova, i cili pretendon të integrohet në qarqet bashkëkohore të shoqërisë.
Së dyti, për të krijuar literaturë kredibile, thuajse çdo gjë duhet nisur nga e para, konstrukti i tekstit, diskursi, shembujt dhe përmbajtja në tërësi. Punësimi i një stafi më kompetent për përpilimin e teksteve dhe marrja shembull e botuesve të huaj gjatë rikrijimit të literaturës është më se e nevojshme për ta realizuar këtë. Nuk po propozoj që të krijojmë kopje të literaturës botërore siç e kemi zakon, por ta bazojmë modelin tonë në të.
Nëse përmbushen këto kritere, atëherë literatura arsimore mund të përmirësohet, dhe rrjedhimisht arsimi në Kosovë mund të zhvillohet më tutje, dhe t’i ikë regresionit.
Literatura e mirëfilltë arsimore është njëra prej kritereve kryesore për të pasur një sistem cilësor arsimor. Ajo mundet të ndihmojë shumë në kuptimin më konciz të materies mësimore, dhe rrjedhimisht të përmirësojë nivelin e arritjeve të nxënësve nëpër institucionet e Kosovës.
Mbi autorin: Lum Borovci është një djalë 16 vjeçar i cili vijon mësimet në shkollë të mesme.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.