GJENDJA E EDUKIMIT PARAUNIVERSITAR NË KOSOVË
Edukimi është gjeneza e krijimit të personalitetit, karakterit, dhe kapacitetit të të menduarit kritik, kualitete këto që na përcjellin tërë jetën. Aftësitë fizike, gjuhësore, mentale dhe socio-emocionale kanë rëndësi tejet të madhe për zhvillimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijës. Në skenarin e tanishëm arsimor, fëmija duhet të mësojë të shkojë përtej mënyrës tradicionale të të nxënit të informacionit.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Jo të gjithë fëmijët lindin me mundësi të njëjta. Fjali kjo, që po aq sa është e trishtë, është edhe një çështje që te hap sytë ndaj realitetit. Siguria sistematike e teknikave të mësimit për një shumicë të fëmijëve, të tilla ato si shkrim-leximi ka ekzistuar që 150-200 vite; sidoqoftë, fëmijët tanë ende kanë ngecje madhore në këtë drejtim.
“Konventa për të Drejtat e Fëmijës” hartuar nga Kombet e Bashkuara me 1989, përfshinë të drejtën për zhvillim, arsimim, liri të mendimit, shfrytëzim të informacionitet etj, si një çështje tejet të rëndësishme dhe bazike për zhvillimin dhe mirëqenien e një shteti. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka përgjegjësi të hartojë dhe implementoj legjislacionin për zhvillimin e arsimit, të promovojë një sistem arsimor jo-diskriminues në të cilin respektohet e drejta e secilit person për arsim, dhe ku mundësia e shkollimit cilësor vihet në dispozicion për të gjithë. Por, pse është gjithmonë që në të shkruar jemi të pagabueshëm, ndërsa në implementim ngecim?! A është kjo dukuri rezultat i një cikli problemesh?!
Edukimi është fontana kryesore e njohurive që fëmijët ekspozohen nga hapat e parë të jetës. Edukimi kontribuon në kultivimin e procesit të mendimit te fëmija, të kuriozitetit, të vëmendjes ndaj detajeve, të zhvillimit mental dhe socio-emocional, përveç përvetësimit të njohurive mbi botën dhe aftësisë të së mbajturit mend. Befasohemi që kemi një numër të madh të të rinjve të papunë e pa qëllime e motive jetësore, pa analizuar e kuptuar se ku është baza fillestare e këtij ndikimi jetësor. Edukimi është gjeneza e krijimit të personalitetit, karakterit, dhe kapacitetit të të menduarit kritik, kualitete këto që na përcjellin tërë jetën. Aftësitë fizike, gjuhësore, mentale dhe socio-emocionale kanë rëndësi tejet të madhe për zhvillimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijës. Në skenarin e tanishëm arsimor, fëmija duhet të mësojë të shkojë përtej mënyrës tradicionale të të nxënit të informacionit. Një fëmijë i lindur sot duhet të zotërojë aftësitë dhe njohuritë që u duheshin vetëm personave elitë shekuj më parë. Thonë se është më e lehtë të krijosh diçka nga fillimi, se sa të ndryshosh bazamentin në përfundim të procesit. Atëherë, ku ne këtë rrugëtim informacionesh kemi gabuar kahen?! Nëse e duam me të mirën për fëmijët tanë, a nuk do të duhej që qëllimi të mposhtë të gjitha pengesat?!
Në kuadër të Ligjit për Arsim Parauniversitar – Neni 6, qasja dhe përparimi nëpër të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit parauniversitar mundësohet në pajtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, në baza ekzistuese apo te supozuara, siç është ai: gjinor, racor, i fesë, i orientimit seksual, i paaftësisë fizike apo intelektuale, apo çfarëdo paaftësie tjetër, i opinioneve politike apo të tjera, i përkatësisë kombëtare, etnike ose shoqërore, i lindjes ose i ndonjë gjendje tjetër të nxënësit apo familjes së tij.
Nga hulumtimi në terren i zhvilluar nga Këshilli Rinor Kosovar, nën mbështetje të Save the Children, dhe tryezat e rrumbullakëta të mbajtura me fëmijë me nevoja të veçanta , fëmijë me zhvillim tipik dhe me hisedarë të tjerë nga institucione arsimore, kanë dalur në pah një seri çështjesh dhe nevojash të rëndësishme për t’u diskutuar. Si fillim, fëmijët janë shprehur që qasja e mësimdhënësve ndaj të gjithë nxënësve nuk është e njëjtë, ata shfaqin preferenca në relacion me disa fëmijë. Përderisa me disa nxënës janë të kuptueshëm e tolerant, me disa të tjerë tregojnë agresivitet në të shprehur edhe për pyetjet më te thjeshta rreth materialit mësimor.
Në shumë raste arsimtarët përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj fëmijëve, duke krijuar distancim edhe më të madh në relacionin nxënës-mësimdhënës, si dhe duke ndikuar direkt në zhvillimin e vetëbesimit të fëmijës. E rëndësishme të ceket që çështjet e diskutuara këtu nuk mund të merren si bazë e përgjithshme për të gjithë mësimdhënësit; këto raste janë marrë në konsiderim pasi që janë evidentuar në një shumicë të institucioneve të arsimit parauniversitar në Kosovë.
Në të gjitha debatet e mbajtura me fëmijët me nevoja të veçanta dhe zhvillim tipik, u potencua nga fëmijët që kanë nevojë për mbështetje më të madhe mësimore, mirëpo kjo çështje nuk rrjedhë gjithmonë nga mosdëshira apo mosvullneti i mësimdhënësve të jenë në ndihmë më të madhe ndaj fëmijëve, mirëpo nga numri i madh i nxënësve në klasa. Përkundër faktit që mësimdhënësit ndonjëherë organizojnë nxënësit të mbajnë aktivitete në grupe brenda orës mësimore, është e pamundur për ta të i japin vëmendje të veçantë secilit fëmijë. Kjo si rrjedhojë ndikon që disa nga fëmijët më të tërhequr të mos ndihen të inkuadruar në të gjitha pikat e orës mësimore, edhe më e potencuar në rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta në mungesë të mësuesit/es mbështetës/e. Prandaj, në të shumtën e rasteve kur ndonjë fëmijë shpreh nevojë për mbështetje, apo ndihmë me kuptimin e informatave apo përfundimin e ndonjë detyre, janë shokët dhe shoqet që vihen në ndihmë.
Mjetet punuese dhe konkretizuese në klasa janë në mungesës të madhe, mjete nga ato më themelore si mjete didaktike, fleta të bardha, fleta me ngjyra, lapsa me ngjyra, lodra logjike, kube dhe mjete të tjera kreative për numërim, mjete tekniko-teknologjike si projektor për të qëndruar në hap me kohën dhe për organizim të aktiviteteve jashtë-kurrikulare. Këto mjete në disa raste mundësohen nga arsimtarët, apo krijohen vetë nga fëmijët, përkundër faktit që është detyrë fillimisht e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të mundësojë të gjitha shkollat me mjetet e nevojshme, dhe së dyti e stafit drejtues të shkollës. Në raste të tjera, në kabinetet e mbushura me mjete përdoruese në relacion me lëndën mësimore (kabineti i Kimisë apo Fizikës), nxënësit nuk lejohen të përdorin mjetet e nevojshme për të zhvilluar mësimin praktik, mbi bazën që do të i dëmtojnë, përkundër faktit që arsimtarët janë prezent përgjatë tërë orëve mësimore. Në anën tjetër, të gjithë nxënësit e intervistuar nga hulumtimi i Këshillit Rinor Kosovar, kanë shprehur që kanë shumë nevojë për mësim praktik, dhe jo vetëm për atë teorik.
Arsimi gjithëpërfshirës është një ndër reformat e reja të Kosovës, si një praktikë e re pas vitit 1999. Sidoqoftë, përkundër ndryshimeve legjislative, Kosova ende sfidohet dhe bën përpjekje drejtë realizimit të kësaj reforme. Gjithëpërfshirja në arsim ka synim përfshirjen e të gjithë fëmijëve pa dallim race, gjinie, etnie, paaftësie, apo ndonjë dallimi tjetër në klasa të rregullta në shkollën më të afërt të rregullt. Ligji për Arsimin Gjithëpërfshirës është në përpilim e sipër, mirëpo udhëzimet e të cilit veçse janë duke u implementuar në shkolla. Fëmijët me nevoja të veçanta përcjellin mësimin së bashku me fëmijët me zhvillim tipik në klasa të rregullta. Mirëpo në mënyrë që fëmijët me nevoja të veçanta të përfitojnë maksimalisht nga edukimi, ata duhet të kalojnë në proces të diagnostikimit të saktë nga një ekip profesional vlerësues.
Sipas Ligjit për Arsim, Neni 37-Pika 1, personat e kualifikuar sipas standardeve të specifikuara në një akt nënligjor, mund të zgjidhen nga komuna në institucionet arsimore për të ofruar shërbime profesionale, duke përfshirë: kujdesin mjekësor, mbështetjen pedagogjike-psikologjike, si dhe punë këshilluese apo sociale. Kur ekipi vlerësues komunal apo ekipi i shkollës të vlerësojë që një fëmijë ka nevojë për mbështetje arsimore, atëherë hartohet Plani Individual Arsimor (PIA) për at fëmijë. Plani individual i arsimit (PIA) duhet të zhvillohet përmes një procesi bashkëpunues, duke përfshirë shkollën, prindërit, fëmijët (kur është e përshtatshme) dhe personelin tjetër përkatës. Qëllimi kryesor i PIA-s është që të mbështesë edukimin e fëmijës, në mënyrë që ai/ajo të përfitojë më së shumti në kuadër të mundësive dhe potencialit të tij/saj, dhe/apo të ndjekë arsimin në bazë të kurrikulës së rregullt për aq sa është e mundur, si rrjedhojë duke siguruar gjithëpërfshirje të plotë arsimore. Një shumicë e fëmijëve në Kosovë janë viktima të mos diagnostikimit apo të diagnostikimit të gabuar, mungesës së përpilimit të PIA-s, dhe mungesës së mësueseve/eve mbështetës/e, që si pasojë ndikojnë në ngecjen edukative të fëmijës në faza arsimore të pritshme për t’u arritur.
Përkundër faktit që nevoja për shoqëri mund të shihet si e pabazë apo si jo shumë e rëndësishme, kjo është ndër nevojat kryesore të zhvillimit të shëndetshëm mental dhe fizik të fëmijëve, gjithashtu edhe e shprehur nga mostra hulumtuese i hulumtimit të Këshillit Rinor Kosovar. Ka shumë fëmijë që kalojnë kohë të vetmuar, dhe ndihen të lënë anash në aktivitete mësimore. Ndihma e arsimtarëve ndaj këtij fenomeni shoqëror nuk është gjithmonë prezente, mirëpo fëmijët dalin në ndihmë duke ftuar njëri tjetrin të kalojnë kohë së bashku apo të mësojnë së bashku. Nxënësit e të gjitha shkollave kanë pranuar se kanë të paktën një nxënës në klasë të tyre që kalon kohën vet apo që ngacmohet nga të tjerët. Në disa raste arsimtarët ndihmojnë duke i ulur së bashku me dikë tjetër, apo duke shërbyer si ndërmjetësues, por fëmijët kanë treguar se në raste të tjera, arsimtarët nuk ndërmarrin masa për të ndryshuar gjendjen e fëmijës, apo edhe e përdorin këtë formë të ndëshkimit për periudha të caktuara kohore.
Shoqërimi në mjedise shkollore është vërtetuar se është më se i rëndësishëm për fëmijët, veçanërisht në formën e aktivitetit jashtëkurrikular. Shumica e shkollave fillore në Kosovë kanë Klube të krijuara brenda shkollës, si: Klubi i Ndërmjetësimit, i Artit, i Sportistëve, i Gazetarisë, madje edhe Radio të shkollës. Sidoqoftë, jo të gjithë fëmijët marrin pjesë në këto klube, apo aktivitete që këto klube organizojnë. Në të shumtën e rasteve janë nxënësit e njëjtë që marrin pjesë, dhe nuk ka motivim apo shtytje për gjithëpërfshirje nga ana e arsimtarëve/eve.
Nga njohuritë që kemi, analiza realizuar nga UNICEF (2017), mund të konsiderohet si një ndër dokumentet më gjithëpërfshirëse që trajton situatën e fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë. Mirëpo deri tani, ende nuk ka një numër të plotë të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë. Analiza e situatës e realizuar nga UNICEF (2017), konsideron fëmijët me nevoja të veçanta si një ndër grupet më të margjinalizuara në Kosovë. Më veçanërisht, nga raporti i Ombudspersonit (2015), situata e fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë konsiderohet si shumë e palakmueshme. Për më shumë, Kosova ballafaqohet me nivel të ulët të infrastrukturës, e cila si rrjedhojë kufizon lëvizjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në institucione shkollore, si në rastet më të shpeshta të mungesës së liftit. Problemet e shtjelluara më lart, siç edhe u nënkuptua, janë pasojë e mos implementimit të legjislacionit nga Institucionet Edukative përgjegjëse.
Mungesën e përgjegjësisë dhe punës së Institucioneve përkatëse edukative në Kosovë e plotësojnë puna e organizatave jo-qeveritare që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, me anë të punës të drejtpërdrejtë me fëmijët, me anë të trajnimeve të ofruara për mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, apo me mundësimin e mësuesve/eve mbështetës/e në shkollat ku ka nevojë. Sidoqoftë, intervenimet e bëra në kuadër të projekteve janë afatshkurtër, dhe vuajnë nga mos vazhdueshmëria me përfundim të projektit. Në këtë pikë ka hapësirë të madhe përmirësimi në investime më të mëdha për projekte më afatgjata kur kemi të bëjmë me edukim, për arsye se ndryshimet e kërkuara marrin kohë për t’u kthyer në aplikime dhe teknika të zakonshme të personave përgjegjës në arsim, edhe njëherësh, si pasojë e mos implementimit të përgjegjësisë së Institucioneve tona edukative.
Fëmijët kanë vetëm një jetë, dhe një mundësi të vetme të kalojnë në zhvillim të duhur edukativ nga mosha e re. Andaj, ndryshimet e kërkuara si pasojë e problemeve të shtjelluara më lart janë nga më baziket, duke filluar tek qasja më njerëzore e më e afërt e mësimdhënësve dhe prindërve me secilin fëmijë, e deri tek identifikimi i nevojave të tyre të veçanta dhe mundësimi i nxënies së mësimit në përputhje me ato nevoja. E ardhmja e vendit tonë përmirësohet vetëm dhe vetëm përmes një edukimi adekuat dhe njerëzor, të mundësuar për të gjithë personat në mënyrë të njëjtë.
Andaj, rekomandimet e dhëna për përmirësimin e kësaj gjendje të rëndë edukative në Kosovë janë:
Bashkëveprim të të rriturve dhe fëmijëve
Staf të trajnuar e të angazhuar
Një program mësimor të përshtatshëm për zhvillim me përmbajtje arsimore
Proporcionet dhe madhësitë e grupeve që lejojnë personelin të bashkëveprojë në mënyrë të duhur me fëmijët
Mbikëqyrje për të siguruar cilësinë e kujdesit
Zhvillim të stafit që siguron vazhdimësi dhe stabilitet
Hapësira që janë të sigurta, sanitare dhe të arritshme për të gjithë fëmijët.
Mbi autoren: Rina Gosalci është një vajzë 24 vjeçare nga Prishtina e cila ka përfunduar studimet për psikologji.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.