Lëkurë gjarpni unë po du, ta mbaj afër, ta mishëroj, e ta la mbrapa
N’kërkim të dickasë ndryshe -
Jo kapitull i ri, se po hamendësohet që ka ndonjë të vjetër -
Veç mundësi e re me ndërtu veten.
Një vit i ri që nuk fillon me të parin
Lëkurë gjarpni unë fort po du, ta mishëroj e t’fotografoj veten me sy t’kthjellun
Me mbajt mend qysh mundem me qenë, qysh isha, ndoshta jam-
Po rrej, se s’kam qenë, s’di as a do jem, unë veç jam.
Ama lëkurë gjarpni unë po du, se shumë vetvete mishëroj në mu, e shumë kambë po dojnë me m’lind, hala ma shumë sy po m’dalin n’ballë,
E shumë rrugë po m’thirrin me shku, e unë hala ma shumë po du shumë e shpesh me ndërru,
Nashta ma shumë se lëkurë gjarpni pra, unë pe du nji shpi, shtet, a shpellë
Që sheh larvën edhe në flutur, fluturën edhe n’larvë.
E unë sot, që jam edhe larvë edhe flutur, s’po du as nanë e as gjuetare e koleksionuese fluturash.
A ban me m’lanë veç me qenë?
Lemni veç me qenë!
Author: Uresa Ahmeti