EKOFEMINIZMI: GRATË DHE NATYRA
Ilustrimi: Studio Permanent
Termi ekofeminizëm në lexim të parë të jep një përshtypje si një kombinim në mes të lëvizjes ekologjike dhe asaj feministe, por çka është ajo që vërtetë i lidhë të dyja bashkë. “Feminizmi ekologjik ose ekofeminizmi është pozicioni se ekziston një lidhje e rëndësishme midis mënyrës sesi trajtohen gratë, njerëzit me ngjyrë dhe nënklasa nga njëra anë dhe sesi njeriu trajton mjedisin jo-njerëzor natyror nga ana tjetër”. Për herë të parë fjala ekofeminizëm u dëgjua nga feministja franceze Françoise d’Eeubonne në vitet e ‘70-a. Lëvizja moderne ekofeministe lindi në Shtetet e Bashkuara nga një koalicion i grave akademike, të cilat donin të kombinonin feminizmin dhe ambientalizmin për të promovuar respekt për gratë dhe botën natyrore.
Në qendër kjo filozofi, trajton mënyrat sesi natyra dhe gratë trajtohen nga shoqëria patriarkale dhe kapitalizmi. Me ekofeminizmin mund të kuptojmë një pikëpamje që ekziston një lidhje në mes gruas dhe natyrës, përkatësisht një lloj paralelizmi mes grua-natyre dhe burrë-kulturë. Qëllimi është të demonostroj mënyrat me të cilat normat sociale ushtrojnë dominim të padrejtë mbi natyrën dhe mbi gratë, pikërisht për faktin se gratë shiheshin si joracionale dhe kishin nevojë për kontroll ndërsa burrat si racional dhe të aftë që të kontrollonin gratë edhe natyrën. Duke pasur parasysh që jetojmë në civilizime që ndërtohen mbi idenë e shtypjes, si rezultat i kësaj krijohen kategorizime duke ndarë botën në kategori superiore dhe inferiore.
Ekofeministët pretendonin se kjo vjen nga një strukturë hierarkike që ju jap burrave fuqi dhe i lejon shfrytëzimin e grave dhe natyrës. “Dekonstruktimi i natyrës dhe padrejtësia sociale e kanë një shkaktar të përbashkët – mendimin hierarkik.”
Një mënyrë e thjeshtë por që është mjaft e dobishme për të sqaruar ekofeminizmin është një njohje e dominimit paralel të patriarkatit mbi gratë dhe mjedisin. Burrat përmes sistemit patriarkal jo vetëm që varfërojnë kafshët dhe burimet natyrore për të ju përshtatur nevojave të tyre por ata gjithashtu kanë ushtruar edhe dominimin e tyre mbi gratë.
Lëvizja ekofeministe përpiqet të vë në pah se si burrat në sistemin patriarkal dominojnë mbi gratë, njësoj edhe kultura edhe civilizimi patriarkal dominon mbi natyrën. Kështu, ne nuk mund të çlirojmë mjedisin derisa të çlirojmë gratë dhe anasjelltas, sepse forca prapa dy sistemeve është e njëjtë. Disa shkrimtarë feministë lidhjen e grave me natyrën e shohin si fuqizuese, ndërsa disa të tjerë besojnë se ajo vjen nga patriarkaliteti. Ata që shohin lidhjen si fuqizuese pohojnë se kjo lidhje krijohet sepse gratë janë më afër natyrës për shkak të funksionit të trupit, riprodhimit si dhe për shkak të pozicionit të tyre si nëna dhe shtëpiake. Ndërsa të tjerët që e shohin si degdraduese dhe nuk shohin ngjashmëri mes grave dhe natyrës është sepse mendojnë që janë burrat ata që gratë dhe natyrën i shohin si prodhuese dhe i shfrytëzojnë për të siguruar jetën, kjo i bënë gratë më inferiore dhe të dobëta.
Ekofeministët kërkojnë barazi dhe drejtësi për të gjitha format e jetës biologjike, pra janë pjesë e ndërlidhur e një rrjeti të përbashkët.
Një lëvizje e njohur sa i përket ekofeminizmit është “Lëvizja Chipko”, lëvizje nga fshatrat rurale, jo e dhunshme sociale dhe ekologjike. Fjala hinde “chipko” nënkupton “të përqafohesh” apo “të kapësh” dhe pasqyron taktikën kryesore të demonstruesve, për të përqafuar pemët dhe në këtë mënyrë të pengonin prerjen e tyre. Kjo lëvizje filloi në vitet e 70-a kur qeveria kishte njoftuar për një ankand për rreth 2000 pemë që ndodheshin afër fshatit Reni në Uttarkhand, lëvizje në veri të Indisë.
Burrat në këtë zone kishin shkuar të punon në fabrika dhe zona indistruale, kështu gratë ishin ato që merreshin me të gjitha punët kryesore ekonomike dhe punët e shtëpisë, pastrimin, kujdesin ndaj fëmijëve, ushqimin, sigurimin e drunjëve për zjarr etj. Gratë panë dëmin që mund të shkaktohej nga prerja e drunjëve si: vërshimet dhe erozioni. Ato u mblodhën në një asamble paqësore për të protestuar kundër këtij vendimi. Gaurvi Devi, kreu i Mahila Mangal Dal, dërgoi një grup prej 27 grave në vendndodhje të cilat si praktikë të protestës i përqafonin pemët. Kjo vazhdoi gjatë natës dhe prerësit u larguan, sepse kjo ua pamundësonte prerjen. Më vonë edhe vet qeveria u pajtua me fshatarët. Pasi që kjo ngjarje kishte një pjesëmarrje të madhe të grave filloj të shfaqej si një lëvizje e grave për të drejtat e pyjeve. Si lëvizje përngjan me atë të Gandit për rezistencë paqësore.
Tutje, Lëvizja e Brezit të Gjelbër është një organizatë mjedisore që kishte për qëllim të fuqizonte komunitetin, veçanërisht gratë dhe kjo për të përmirësuar jetën e tyre dhe mbrojtur mjedisin. Kjo lëvizje u themelua nga Wangari Maathai në vitin 1977, gratë e vendeve rurale keniane raportuan se përrenjtë e tyre po thaheshin, furnizimi me ushqim po bëhej i pasigurt. Në këtë rast lëvizja i motivoi gratë të punonin së bashku duke rritur fidanë dhe të mbjellin pemë – gjë që do të lidhte tokën – të ruanin ujin e shiut. Në këtë formë do të përfitonte natyra dhe gratë do të përfitonin një mbështetje të vogël monetare për punën e tyre.
Ekofeminizmi përveç si lëvizje mund të shihet edhe si etikë mjedisore. Shfrytëzimi i mjedisit manifestohet me efekte negative si zhdukja e florës dhe faunës, varfërimi dhe zbehja e burimeve të nevojshme, deri te katastrofat natyrore. Një mënyrë se si të përkrahet lëvizja ekofeministe është duke mbështetur barazinë midis të gjithë njerëzve, kafshëve dhe vetë mjedisit. Duke shmangur aktet e të qenit abuziv fizikisht por edhe gojarisht ndaj krijesave të gjalla. Si dhe duke shmangur përdorimin e gjuhës shtypëse dhe seksiste për gratë dhe jetën natyrore.
Mbi autoren: Ridona Berisha, aktualisht ndjek studimet Master – viti i dytë në Departamentin e Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës.