EDUKIMI SEKSUAL NË KOSOVË
Edukimi seksual në Kosovë fatkeqësisht nuk trajtohet me seriozitetin që duhet ta ketë, pavarësisht prej rëndësisë së madhe që ka në shumë aspekte. Jemi në shekullin 21 dhe edukimi seksual në Kosovë ende konsiderohet si i parëndësishëm. Duke filluar në familje, e deri tek institucionet arsimore, edukimi seksual nuk përfillet. Një prej arsyeve pse në Kosovë nuk përfillet ky edukim është edhe vetë mentaliteti primitiv, ku edukimi mbi trupin, seksualitetin, identitetin dhe shëndetin riprodhues vazhdon të jetë temë tabu.
Duke filluar nga klasa e pestë e deri në klasën e nëntë mësuesja apo arsimtarët shpeshherë i anashkalojnë këto tema, apo i shpjegojnë vetëm shkurtimisht duke mos na dhënë informata të mjaftueshme për ta kuptuar, apo për të mësuar rreth edukimit seksual. E as materialet shkollore nuk kanë informata të mjaftueshme për edukimin seksual e as nuk lodhen fare që t’i marrin seriozisht ato.
Isha në klasën e 7 kur në edukatë qytetare më në fund erdhi koha e mësimeve për edukim seksual. Ishim duke mësuar për mjetet mbrojtëse kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe kundër shtatzënisë, dhe për mua ishte diçka krejt e re. E pyeta arsimtaren “çka është prezervativi?”. Dhe arsimtarja duke mos dashur të flas për ato gjëra mu kthye e më tha: “ Masi po m’pytë e dinë shumë mirë se çka është!”. Ula kokën e turpëruar duke mos e ditur. Por pas atij reagimi të arsimtares prezervativin e mendova si një gjë që nuk duhet ta përmend e as ta them në shoqëri të dikujt tjetër.
Edhe këtë shkrim kur ia lexova motrës dhe shokëve, reaguan në mënyrë të çuditshme. Madje motra reagoi menjëherë pasi përmenda prezervativin, dhe instinktivisht lëshoi një zë e më tha “shumë e rëndë ke kjo shprehje s’po m’doket e arsyeshme me përmend” e deri tek shoqëria ku më thanë “bone anonim se kanë me t’bullizu për këtë shprehje”. Domethënë jemi një shoqëri ku nuk jemi t’lirë me fol për edukim seksual e as për gjëra që përfshijnë edukimin seksual. Jemi një shoqëri ku jem mësu mos me fol sene normale e të natyrshme me gjinitë tjera
Por, institucionet arsimore nuk janë vendi i vetëm ku edukimi seksual as nuk përmendet e as nuk duket e nevojshme për ta mësuar. Ka shumë e shumë familje e prindër që fëmijën e tyre kanë dëshirë ta mbjanë të “izoluar” nga ky edukim, dhe më e tmerrshmja është pjesa kur i’u thonë “ shhh mos bërtit se po t’ninë e marre, gjërat e vajzave apo gjërat e djemve nuk duhen përmenden përpara gjinive tjera”. Nuk e dinë, e hala nuk e kuptojnë, që këto sene jo veq që duhet mu përmend, po duhet edhe fëmiun e vetë me eduku.
Mos edukimi seksual në shtëpi apo edhe në shkolla na shpie deri tek rezultati ku fëmijët mund të keqinformohen duke provuar të mësojnë vetë nga shokët dhe shoqet apo edhe nga rrjetet sociale, e që mund të rezultoj në pasoja të mëdha. Me mos mësimin e edukimit seksual vijmë deri tek rreziqe shumë të mëdha, siç është: dhuna, mungesa e respektit. Edukata seksuale është përgjigja për të adresuar shumë prej këtyre çështjeve, seosee edukata seksuale ka të bëjë me identitetin, ka të bëjë me trupin, me respektin ndaj vetës, me informacione shëndetësore, ka të bëjë me anatominë, ka të bëjë me marrëdhënie ndërpersonale, ka të bëjë me zhvillimin e një individi nga adoleshenca në moshë madhore. Pra thjesht edukimi seksual është pjesë e pandashme e edukimit. Prandaj do ishte shumë më e lehtë dhe më efikase sikurse fëmijët të mësonin si në shtëpi dhe në shkollë rreth edukatës seksuale. Fëmija ka të drejtën e vet që të di më shumë rreth trupit të tij/saj dhe të di se si mund të mbrohet nga lloj lloj sëmundje. Informimi i duhur qon në ulje të numrit të rasteve të sëmundje që barten me anë të marrëdhënieve seksuale, dhe shtatzënisë së hershme. Me edukim seksual gjithashtu mësohet edhe respekti ndaj vetës, pastaj edhe respekti ndaj të tjerëve.
Mbi autoren: Arba Kelmendi, 17 vjeçe dhe vijon mësimet në Gjimnazin Natyor “Sami Frasheri” në Prishtinë.
Ky grant mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Austrian Development Agency