E DREJTA E MBULESËS, E DREJTA PËR SHKOLLIM, TË DREJTAT NJERËZORE
Mbulesa është zgjedhje personale dhe si e tillë lejohet me ligj, dhe ndalimi i saj paraqet shkelje dhe diskriminim ku sipas Kushtetutës të Republikës së Kosovës për Lirinë fetare, neni 2, thotë “Askush nuk duhet të jetë i diskriminuar ose i privilegjuar në çfarëdo mënyre në bazë të besimit fetarë”.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
“Gjithkush ka të drejtën e shkollës”, shkruhet në nenin 26 në Deklaratën e përgjithshme mbi të drejtat e njeriut. E kjo e drejtë shumë shpesh cenohet për shkak të bindjes dhe dedikimit të religjionit për ato që kanë vendosur të bartin mbulesë.
Mbulesa është zgjedhje personale dhe si e tillë lejohet me ligj, dhe ndalimi i saj paraqet shkelje dhe diskriminim ku sipas Kushtetutës të Republikës së Kosovës për Lirinë fetare, neni 2, thotë “Askush nuk duhet të jetë i diskriminuar ose i privilegjuar në çfarëdo mënyre në bazë të besimit fetarë”.
Por, ekziston një udhëzues administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i cili hyri në fuqi në vitin 2014 i cili në Nenin.3 – Veprimet e ndaluara, në pikën 1.13 thotë se ndalohet bartja e uniformës fetare.
A.Q është një prej vajzave e cila i bartë pasojat e këtij Udhëzimi Administrativ. E cila, që në moshë shumë të re kishte vendosur që të mbulohet dhe i është ndaluar shkollimi, e në të njëjtën kohë edhe është paragjykuar për vendimin që kishte marrë. Ajo tregon se është përdor edhe gjuhë fyese dhe urrejtëse kundrejt asaj dhe nuk është pranuar në rrethin e shoqërisë pas vënies së mbulesës.
“Jam etiketuar si e prapambetur, e izoluar, dhe tani kam mbet edhe pa shkollim, por unë jam si të gjitha vajzat e tjera”, thotë A.Q. “Nuk e ke vendin këtu, shko në Medrese më thonë, duke krijuar kështu mure në vend të urave për diversitet”, shton ajo.
Ndalimi i shkollës për atë dhe vajzat e tjera me mbulesë, bën që ato të gjejnë rrugë të reja, të cilat jo domosdoshmërish janë të parapëlqyera për to ose edhe duke i detyruar të bëjnë zgjedhjen e vetme për të vazhduar shkollimin , e që është Medreseja.
Diskriminimi që i bëhet vajzave me mbulesë për vite të tëra ka bërë që atyre tu mohohet edhe e drejta e shkollimit. A.Q, 14 vjeçare, është vetëm një prej rasteve të tilla të cilës i ishte ndaluar shkollimi në kohën kur ishte në shkollë fillore. Por situata nuk është më mirë as tash, pasi që edhe sot hasim raste që vajzat me mbulesë që jo vetëm se nuk lejohen të vijojnë shkollimin ato kanë probleme të marrin edhe pjesë ne testin e maturës.
Një tjetër vajzë, L.S, 16 vjeçare, tregon se ajo ka zgjedhur arsimimin privat pas refuzimit që i ishte bërë nga shkolla publike.
“E kam provuar që të regjistrohem në shkollë publike por nuk më kanë pranuar. Më pas më është dashur të gjej një zgjidhje dhe në një formë jam detyruar që të shkoj në shkollë private”, thotë ajo.
Duke marrë parasysh situatën e tanishme, me ndalimin e shkollimit e diskriminimit që i bëhet vajzave me mbulesë, lë të kuptohet se edhe e ardhmja e tyre mund të rrezikohet sa i përket punësimit.
Në bazë të një shkrimi të publikuar në “Living Democracy” thuhet se arsimimi është e drejtë e njeriut në vetvete dhe si mjet i domosdoshëm për realizimin e të drejtave të tjera. Aty po ashtu thuhet se një sistem arsimor që bazohet në të drejta, plotëson më mirë misionin e tij për arsimim cilësor për të gjithë.
“E drejta për arsimim duhet të zbatohet dhe të gëzohet nga të gjithë – pavarësisht nga aftësitë, racat, feja, gjinia, kombësia, parapëlqimet seksuale, klasa ose nga faktorë të tjerë dallues”, shkruhet në “Living Democracy”.
Feja është e ndarë nga shteti por kjo nuk do të thotë se besimi duhet të ndahet nga jeta.
Mbi autoren: Eliona Qerimi është një vajzë 19 vjeçare nga Vitia e cila vijon studimet për shkenca politike.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.