DYLBERIZM PLATFORMA GJITHËPËRFSHIRËSE PËR PERSONAT QUEER
Dylberizm është platforma e parë në gjuhën shqipe e dedikuar për informimin dhe edukimin mbi çështjet LGBTQ+.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Dylberizm-i u krijua më 19 mars të vitit 2018 nga aktivistët e pavarur queer kosovarë, si një faqe edukative në Instagram. Për dy vjet me radhë, Dylberizm ka shërbyer si faqe e vetme në gjuhën shqipe që ka ofruar materiale vetëm queer në gjuhën shqipe. Për pak kohë, faqja është popullarizuar përmes interaktivitetit me përcjellësit dhe përmes materialeve të nevojshme edukative.
Më 28 qershor 2020, në përvjetorin e demonstratave të Stonewall në New York, pikënisja e lëvizjes moderne LGBTQ+, Dylberizm bëhet platforma e parë në internet, e cila specifikisht shërben për informimin dhe edukimin queer në gjuhën shqipe. Dylberizm.com u bë arkiva e çështjeve queer në gjuhën shqipe.
Çka e dallon Dylberizm-in nga platforma tjera, është se platforma mirëmbahet plotësisht në baza vullnetare nga aktivistët queer nga Kosova. Në baza ditore, aktivistët e Dylberizm-it përgatisin dhe prodhojnë materiale queer në shqip.
Platforma në internet përmban lajme nga vendi, rajoni dhe bota, mbi çështjet që prekin personat queer dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat LGBTQ+. Ndër të tjera, platforma mbulon edhe jetën kulturore dhe artistike queer, duke njoftuar lexuesit mbi ngjarje dhe aktivitete queer në vend dhe rajon. Pjesë shumë e rëndësishme e platformës është ofrimi i materialeve edukative të çështjeve queer, të gjitha të përgatitura në gjuhën shqipe duke përfshirë: terminologjitë queer, ngjarje dhe personalitete historike, biografi të personaliteteve të njohura botërore queer, biografi të shqiptarëve queer, informacione mbi çështjet e shëndetit, si dhe datat e rëndësishme botërore që shënojnë ngjarje LGBTQ+.
Përveç informimit dhe edukimit të lexuesve, Dylberizm punon edhe në fuqizimin e personave LGBTQ+, duke iu ofruar mundësi që ata të i ndajnë tregimet e tyre në platformë. Përmes rubrikës
“Ndaje Storien Tone”, persona queer nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, kanë mundësi të ndajnë me tjerët ngjarjet e ndryshme nga jeta queer, si dalja hapur, izolimi, tranzicioni, takimet e fshehta, problemet e shëndetit mendor, tregime të lumtura etj.
Ndër të tjera, Dylberizm shumë shpesh del edhe në rrugë, ku përmes aksioneve rrugore në hapësira publike, ngrit debat dhe dukshmëri për çështjet LGBTQ+ në vend.
Dylberizm-i u formua si nevojë për përfaqësimin dinjitoz të çështjeve queer. Në një shoqëri të kapur nga sistemi heteroseksist, shqiptarëve që nuk i takojnë shumicës heteroseksuale/cis-gjinore, iu refuzohet përfshirja në veprimtaritë kryesore ekonomike, politike, kulturore dhe sociale për shkak të identitetit të tyre. Institucionet edukativo-arsimore në vend, përveçse kanë dështuar në edukimin e të rinjve dhe rejave në çështjet mbi seksualitetin dhe gjininë, ato edhe kanë ushqyer diskriminimin dhe urrejtjen ndaj personave queer, duke përdorur fakte të pa përditësuara, terminologji seksiste dhe homofobe, dhe mos përfshirje në kurrikulat dhe tekstet shkollore.
Ndër të tjera, shumica e shqiptarëve besojnë fuqishëm se janë popull heteroseksual e veç me dy gjini. Nëse dikush nuk identifikohet brenda këtyre binareve, atëherë konsiderohen si “jo shqiptar”.
Dylberizm është krijuar që të dëshmoj se gjithë këto paragjykime, besime, dhe urrejtje janë frikë irracionale që është brendësuar brenda vetëdijes kolektive shqiptare si pasojë e sistemit dhe shoqërisë heteroseksiste dhe heteropatriarkale.
Është koha që këto mite të rrejshme e të dëmshme të zhduken, dhe të zëvendësohen me pranimin e faktit të thjeshtë që: munesh me konë edhe shqiptar edhe dylber.
Shqiptarët LGBTIQ+ kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e shoqërisë shqiptare. Këngët e vjetra për dashurinë mes burrave shqiptarë, ashikëve dhe dylberëve, na tregojnë që homoseksualiteti nuk është diçka e re në kulturën tonë. Në këto këngë vërehet edhe thyerja e roleve gjinore tradicionale të djemve dhe vajzave shqiptare. Burrneshat shqiptare na tregojnë që gjinia jo gjithmonë është fikse: burrë/mashkull apo grua/femër, por që është konstrukt i normave në të cilat jetojmë. Këngët dhe legjendat e vjetra shqiptare për kalimin e ylberit na tregojnë që ndryshimi i gjinisë/seksit nuk është çrregullim mendor, por është një rrugëtim i bukur për të jetuar jetën plotësisht si vetja.
Dylberizm-i është ombrella e gjithë shqiptarëve gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë, aseksualë, interseks, me gjini jo-binare, androgjenë, dhe të gjithë shqiptarëve tjerë që nuk i takojnë shumicës heteroseksuale/cis-gjinore.
Prandaj, nëse don me qenë pjesë e kauzës tonë për liri dhe barazi, bashkohu me neve, duke na kontaktu në kontakti@dylberizm.com, apo në profilet tona në rrjetet sociale: Instagram @dylberizm, Facebook: Dylberizm, Twitter: @dylberizm, apo në www.dylberizm.com.
Mbi autorin/en: Dylberizëm, u krijua nga aktivistë të pavarur LGBTQ+ kosovarë, dhe bëhet platforma online e para, e cila specifikisht shërben për informimin dhe edukimin queer në gjuhën shqipe, dhe e cila mirëmbahet plotësisht në baza vullnetare
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States