DREJTËSIA FALAS – ËNDËRR APO REALITET?
Ilustrimi: Argjira Kukaj
“Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi”, shkruhet në pikën 6 të nenit 31 të aktit më të lartë juridik — Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Edhe pse e drejtë fundamentale, që garantohet me Kushtetutë, shumëkush nuk e di se secilit qytetar që nuk ka mjete financiare, i takon asistenca ligjore pa pagesë. Përveç mungesës së informatës, situata përkeqësohet kur dihet ekzistenca e perceptimit të errët përreth sistemit juridik aktual dhe besimi i ulët në efikasitetin e tij. Këto aspekte ndikojnë në hezitimin e njerëzve që të kërkojnë atë që u takon. Mund ta shtojnë skeptizicmin, që vetëm i shtyn njerëzit të heshtin, larg qasjes në drejtësi.
Po del se, si me shumë çështje tjera, garancia ligjore nuk përkon me realitetin.
Në Kosovë, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) është institucioni kryesor që ofron ndihmë të tillë, institucion funksional që nga viti 2006, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Agjencia funksionon me shtatë zyra rajonale në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj dhe disa zyra mobile, disa prej tyre të financuara nga burime tjera, përpos buxhetit të Kosovës. Për t’u kualifikuar për ndihmë, kërkohet përmbushja e disa kritereve, të cilat, bashkë me numrin kontaktues të ANJF, janë të dhëna janë të qasshme me vetëm pak klikime në internet.
E gjithë kjo duket e thjeshtë apo jo?
Por, problemi qëndron pikërisht këtu. Si të kërkosh ndihmë që të takon, kur nuk e di se ajo ndihmë ekziston?
Po ta shikosh nga një këndvështrim i një personi jashtë spektrit dhe rrjedhave ligjore, informimi për këtë mundësi nuk është aq i lehtë, edhe pse jetojmë në epokën digjitale. Shumë qytetarë nuk janë të informuar rreth ekzistencës së këtij shërbimi ose nuk kanë njohuri se si ta kërkojnë atë. Rrjedhimisht, përqendrohen në opsione tjera të kushtueshme, ose edhe më keq, dorëzohen.
Dukshëm më të prekura nga kjo po duket të jenë gratë. Në raportin vjetor për vitin 2022 nga ANJF, thuhet se nga 5,861 raste, që u është ofruar ndihmë përgjatë vitit, vetëm 2,619 kanë qenë gra. Pra, më pak se gjysma. Në një studim tjetër të vitit 2022 nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), institut që përqendrohet në përmirësimin e politikave në nivel komunal, vetëm faktohet edhe më shumë ky problem.
Studimi është realizuar për të siguruar një pasqyrë të plotë të vështirësive dhe sfidave që grupet e nënpërfaqësuara kanë sa i përket qasjes në drejtësi. Për realizimin e tij janë anketuar dhe intervistuar 367 qytetarë nga disa grupe të cakut që përfshijnë: gratë, personat me aftësi të kufizuara, personat LGBTIQ+, komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, komunitetet joshumicë serbë, turk dhe boshnjakë, të moshuarit dhe personat me të ardhura të ulëta financiare.
Një përqindje e konsiderueshme e grave nuk janë të informuara rreth shërbimeve të këtij agjensioni. Nga 195 gra të anketuara, 25% janë shprehur se janë pak të informuara, ndërsa 50.49% kanë thënë se janë shumë pak të informuara për ndihmën ligjore pa pagesë. Në të njëjtin raport, 31.43% e grave shprehen se “nuk mendonin se do t’i ndihmonte” kjo ndihmë dhe 28.57% shprehen se “nuk dinin ku të kërkonin këshilla”.
Probleme të llojit të tillë, janë evidentuar edhe në raporte vjetore nga vetë ANJF. Pamundësia e shtrirjes së ndihmës në tërë territorin e Republikës së Kosovës, pengesat infrastruktuore, mungesa e zyrtarëve, pamjaftueshmëria e buxhetit dhe pamundësia e vetëdijësimit më të gjerë të qytetarëve, identifikohen si probleme qe një kohë. Mirëpo, duket se sado kohë që po kalon, problemet po vazhdojnë të qëndrojnë të tilla, probleme, edhe pse janë identifikuar. Nuk po zgjidhen. Ministria e Drejtësisë, që është përgjegjëse për punën e agjensionit, vazhdon të potencojë se drejtësia falas po përmirësohet, ndonëse zgjidhje për këto vështirësi nuk po ofron.
Si burim tjetër ku mund të kërkohet ndihmë e tillë juridike në Kosovë janë organizatat joqeveritare. Edhe jo shumë në numër, IKD, CLARD, INJECT e disa organizata të tjera mundohen që brenda mundësive të tyre të mbështesin dikë që po kërkon përkrahje e tillë. Mirëpo, për shkak të mungesës së financimit dhe licensimit nga vetë ANJF, ndihma që ofrohet nga këto nisma mbetet një alternativë dukshëm e kufizuar.
Për gratë në Kosovë, qasja në drejtësi ende nuk po është gjithpërfshirëse. Zinxhiri i bartjes së fajit po përdoret si shpëtim edhe këtu. Secili fajtor fajëson tjetrin dhe pa përgjigje mbetemi sërish. Edhe pse po jetojmë në një kohë kur informacioni dhe teknologjia janë në dispozicion të pothuajse secilit, është detyrë e vetë institucioneve që shërbimet të jenë lehtësisht të qasshme për të gjithë ata që kanë nevojë për to.
Detyrë që dukshëm nuk po përmbushet.
E në fund, zgjidhja? Ku të drejtohen gratë në Kosovë që nuk arrijnë të përballojnë barrën financiare të drejtësisë, e që jetojnë në dhunë e shtypje të vazhdueshme? Edhe nëse kërkojnë ndihmë ligjore nga shteti, kush kujdeset për mirëqenien e tyre përgjatë atij procesi?
Të rrethuara nga një ambient patriarkal, ku dhuna në bazë gjinore vazhdon të jetë gjithkund e pranishme, ku qasja në trashëgimi mbetet e ulët dhe në një mjedis ku ato shpesh janë lënë vetëm nga institucionet, gratë janë ndër grupet me më së shumti nevojë për qasje në ndihmë juridike falas. E po ashtu, si rrjedhojë, ato mbesin më së shumti të prekura nga funksionimi i dobët i institucioneve si ANJF.
Në Kosovë nuk është e pazakontë që problemet të kalojnë në heshtje. Si për shumë çështje, institucionet nuk marrin përgjegjësi për padrejtësitë që vetë i shkaktojnë. Si zakonisht, barra bie tek grupet e cenueshme. Askush nuk del përgjegjës, por në fakt, të gjithë janë. Institucionet shpërndajnë fajin midis tyre si të ishte lojë, derisa qytetarët mbesin në këtë labirint sfidash, të bllokuar në rrugë së cilës nuk ia dinë daljen. A do mbetet drejtësia falas vetëm një vizion utopik larg realitetit?
Autore: Liza Rexhepi