DHUROJUNI ATYRE MBËSHTETJEN TUAJ!
Pse ta kaloni jetën duke i neglizhuar vlerat e tyre, duke mos iu kushtuar interesim shkaku pse janë rritur dhe mendoni se nuk ua kanë më nevojën? Ata mund të jenë rritur, por çdo herë do u duhet mbështetja, përkushtimi juaj. Ju duhet dora që i ndjek dhe shtrëngon dorën e tyre. Në të kundërt, ata me të vërtetë do të rriten, por çka do të trashëgojnë nga ju kur e kanë shtrënguar dorën e dikujt tjetër. Mos humbisni kohë më shumë, dhurojuni atyre mbështetjen tuaj!
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Fjalët e mira, përqafimet e momentit të duhur, shtrëngimi i duarve, qëndrimi pranë tyre, përkushtimi kohës së nevojshme, janë gjithçka që atyre u duhet në mënyrë që në fund pasi të kurorëzohen me suksese, ju kurorëzojnë juve si mbretërit, superheronjët e tyre. Ndonëse pa fuqi mbinatyrore, mjafton përkujdesja që e keni nisur qysh nga lindja e tyre.
Nga ‘’gjithçka’’ nuk nënkuptohet çdo gjë, pra e shihni që janë disa gjëra që konsiderohen aq të rëndësishme, që kur ju kërkohen t’i plotësoni ju jeni në gjendje t’i bëni, mjafton vullneti dhe dëshira që ata/ato t’i shihni të lumtun/a, njëlloj sikurse kur hallakaten nga emocionet pozitive që ju ia adresoni.
Padyshim jeta i përcjell me sfida njëra pas tjetrës, por me juve ata/ato dinë t’i mposhtin, dinë t’iu kundërpërgjigjen. Kështu edhe kur gëzohen, edhe kur mërziten, kanë kujt t’i telefonojnë, kujt t’i trokasin. Dashnia që ia keni servuar i ka bërë aq të guximshëm sa të shprehen me juve, dhe të mos qëndrojnë të mbyllun në vete. Ky është suksesi juaj më i madh, i pa pagueshëm, i pa zëvendësueshëm. Gjithçka që ju keni dhënë e thënë, është gravuar në mendjen e tyre, të cilat do t’i kujtojnë gjerë në kohën kur fillojnë t’i numërojnë ditët që ju kanë mbetur në tokë. Ato shpesh herë do t’i dëgjoni në mesin e takimeve me shoqni, kur t’i përdorin si këshilla dhe udhëzime për miqtë e tyre. Ju keni rregulluar jetën e tyre, tani ata/ato rregullojnë jetën e të tjerëve. I mësuat çka kishin më shumë nevojë dhe i plotësuat boshllëqet e tyre, tani ata/ato iu plotësojnë boshllëqet të tjerëve.
Marrëdhënia që keni krijuar është shndërruar në pasurinë më të madhe që ata/ato mund ta posedojnë dhe nuk e krahasojnë me asgjë tjetër. Pas një kohe do të bëjnë çmos që ta trashëgojnë, sepse iu dhimbset të mbetet e përkohshme. Dhe kur ju t’i dhuroni përshëndetjen e fundit, ata padyshim do të mërziten shumë, por pas një kohe do ta marrin veten, sepse misionin që keni nisur me ta, do ta përfundojnë e përcjellin për hir të mrekullisë që ju është falur me prezencën tuaj.
Çdo lindje e perëndim i diellit, ju ka gjetur të bashkuar. Çdo ditë me shi ju ka gjetur duke kujtuar ndodhitë e të kaluarës. Çdo pranverë e keni pritur n’kopshtin që e keni ndërtuar. Çdo verë pushimet qoftë larg apo afër, disi ju kanë bashkuar. Çdo ditëlindje e keni festuar. Çdo vjeshtë që e keni jetuar, oborrit gjethet ia keni pastruar. Dhe çdo dimër të ftohtin e keni përballuar. Dallgët e verës, shiun e pranverës, vetëtimat e vjeshtës dhe ngricat e dimrit, i keni përdorur si mësim jete për ta. Tani ata po i kalojnë të gjitha këto me fëmijët e tyre.
Qoftë ai apo ajo, është pjesa juaj më e bukur që ju ka ndodhur, dhe që i jeni gëzuar më së shumëti. Andaj shprehni atyre dashni në mënyrën tuaj, por mos lejoni t’iu mungoj dashnia juaj!
Mungesa e dashnisë tuaj nuk është thjeshtë një mungesë e rëndomtë. Nëse ishte plotësu kjo mungesë nga ana juaj ata nuk do të ndiheshin të pasigurt në vetvete se çka janë dhe çka nuk janë në gjendje të bëjnë, edhe përkundër se tashmë janë rritur dhe i përmbushin disi nevojat e veta. Ata do të dinë t’i përmbushin edhe nevojat ndaj të tjerëve kur të shohin angazhimin tuaj në jetën që ata po e ndërtojnë, për të cilën nuk mendoj se ka arkitekt dhe udhëzues më të mirë se ju.
Prandaj, pse ta kaloni jetën duke i neglizhuar vlerat e tyre, duke mos iu kushtuar interesim shkaku pse janë rritur dhe mendoni se nuk ua kanë më nevojën? Ata mund të jenë rritur, por çdo herë do u duhet mbështetja, përkushtimi juaj. Ju duhet dora që i ndjek dhe shtrëngon dorën e tyre. Në të kundërt, ata me të vërtetë do të rriten, por çka do të trashëgojnë nga ju kur e kanë shtrënguar dorën e dikujt tjetër. Mos humbisni kohë më shumë, dhurojini atyre mbështetjen tuaj!
Mbi autoren: Arbrita Uka, 19 vjeçare, nga Lipjani, studente në departamentin e fizikës në FShMN, vullnetare; e dhënë pas shkencës, në veçanti astro-fizikës.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).