DHUNA NË FAMILJE NË KOHË PANDEMIE
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars të vitit 2020 janë raportuar 169 raste, të dhëna këto që tregojnë për një rritje të numrit të viktimave të dhunës në familje në muajin mars të këtij viti në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar e kjo e gjitha për shkak të situatës pandemike.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Ishte një periudhë disa muajsh që qëndruam të karantinuar e kjo si pasoj e përhapjes së pandemisë Covid-19. Lajmet në televizion po tregonin për gjendjen në të cilën ndodhej vendi ynë, e vendet e tjera të botës në përgjithësi dhe masat e ndërmarra nga ana e tyre me qëllim të adresimit të situatës dhe sigurimit të shëndetit dhe mirëqenies për të gjithë.
Shifrat që tregonin për personat e prekur nga kjo pandemie ishin mjaft shqetësuese dhe në mendjen e secilit prej nesh parashtroheshin një mori pyetjesh: Se deri kur do të vazhdoj kjo gjendje e tillë? Sa persona do të jenë viktimë e kësaj pandemie dhe në çfarë gjendje do të jetë vendi ynë pas kalimit të saj?
Në mesin e gjithë këtyre ndër lajmet më shqetësuese ishte edhe rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së izolimit, ku përderisa për të gjithë ne shtëpia po konsiderohej si vendi më i sigurt, për viktimat e dhunës në familje qëndrimi mbyllur konsiderohej si bllokim brenda me një abuzues. Gjatë asaj kohe mendimet tona shkonin tek ato gra dhe fëmijë për të cilët shtëpia ishte një vend frike dhe vendi ku abuzuesit në njëfarë mënyre po vazhdonin të mbanin pushtetin dhe kontrollin shtesë.
Kjo formë e dhunës tashmë është shndërruar në një epidemi vdekjeprurëse ku një në tre gra në të gjithë botën përjetojnë dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga një partnerë intim. Dhuna në familje është krim, sipas Kodit Penal, nenit 248 të tij thuhet se: “Dhuna në familje përfshinë dhunën fizike, psikologjike, seksuale ose ekonomike” apo keqtrajtim të një anëtari të familjes kundër një anëtari tjetër të familjes. Kjo formë e dhunës dënohet me gjobë dhe burgim.
Policia e Kosovës në një komunikatë për media kishte thënë se: “Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe sensibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite, ku gjatë vitit 2017 kanë qenë të raportuara 1269 raste, në vitin 2018 kanë qenë 1541 dhe në vitin 2019 kanë qenë 1915 raste të raportuara në nivel vendi”. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars të vitit 2020 janë raportuar 169 raste, të dhëna këto që tregojnë për një rritje të numrit të viktimave të dhunës në familje në muajin mars të këtij viti në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar e kjo e gjitha për shkak të situatës pandemike.
Që një rritje e tillë do të jetë e pranishme në Kosove ka njoftuar edhe Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore në Kosovë. Përmes një komunikate GSBGJ ka bërë të ditur se, pritje për rritje të dhunës në familje do të ketë edhe në Kosovë.
“Përderisa distancimi social dhe izolimi përdoren si strategji për të parandaluar përhapjen e virusit, këto strategji mund të manipulohen për të izoluar viktimat nga familjet e tyre dhe rrjetet sociale, si pjesë e dhunës emocionale dhe psikologjike si dhe sjelljes kontrolluese. Këto rezultojnë për rritje të dhunës në familje e cila i prek kryesisht gratë”, shkruhej në komunikatën e publikuar me 24 mars të këtij viti.
Për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje në këtë kohë pandemie kishin reaguar edhe strehimoret e dhunës në familje ku kishin dhënë rekomandimet e tyre për policinë e Kosovë gjatë pandemisë, duke kërkuar që autorë e dyshuar të nxirren nga shtëpitë e tyre në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të mund të mbeten në izolim.
“Ne e dimë se është shumë e vështirë të punosh në këtë situatë, por institucionet duhet të gjejnë një mënyrë për me e kry punën e tyre siç duhet”, tha Erza Kurti, eksperte për dhunën me bazë gjinore nga OJQ-ja e Rrjetit të Grave të Kosovës. “Strehimoret rekomandojnë që policia të dërgoj autorët e krimit në burg në vend se ta nxjerrë viktimën nga shtëpia gjatë situatës pandemike”, ka shtuar ajo.
Andaj mund të themi se ishte më shumë se kurrë koha për tu kujdesur për më të prekurit e shoqërisë sonë, e të jemi të vetëdijshëm e vigjilentë për rastet e mundshme të dhunës në familje, të punonim së bashku për me i raportu rastet e tilla, ti ofronim mbështetjen e duhur për strehimore te grave, policia te reagoj me prioritizim ndaj çështjeve të dhunës në familje dhe para se gjithash në kohë pandemie të krijojmë atë ambientin ku tek të gjithë të mbretëroj mirëkuptimi që së bashku ta kalojmë këtë sfidë globale duke pasur çdoherë në mendje e duke mos harruar për një përkujdes më të shtuar ndaj këtyre kategorive ngase vetëm kështu mund t’ia dalim mbanë, duke e ndihmuar njëri-tjetrit/njëra tjetrën do të bëhemi më të fortë.
Mbi autoren: Dijellëza Selmani, 19 vjeçare nga Drenasi, studente në Fakultetin e Juridikut
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).