ÇKA MËSOVA SOT NË SHKOLLË?
A ka mendu ndonjë prej institucuineve e personave përgjegjës para se të merren vendime për rininë me fol njëherë me neve? Zani ynë me u dëgju kur problemet tona po ua tregojmë. A është mendu se ma mirë se na që ballafaqohemi në përditshmëri me këto probleme e dimë se çka është ma e mira për ne e për çka kemi nevojë?
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Si fëmijë rritemi me fjalë dashamirëse dhe me inkurajim që po fillojmë rrugëtimin tonë arsimor në shkollë. Nisemi me buzëqeshje e lumturi në klasë të parë. Por pse nuk po na zgjatë kjo buzëqeshje gjatë gjithë shkollimit? Pse fytyrat e lumtura fëminore të klasës së parë po na kthehen në fytyra të trishtuara pak vite më vonë? Sa me të vërtetë ne po ndihemi mirë në shkollë? A po e kryejnë shkollat funksionin që kanë?
Kemi shkolla si objekte, po ato janë boshe duke qenë se nuk po respektojnë të drejtat tona themelore!
Qysh kur nisem për në shkollë përjetoj një lloj stresi e ankthi edhe pse s’kam me u vlerësu me notë, po kam me u gjyku si t’hy në korridor! Qysh n’hymje të shkollës ndeshna me shkallë që i kaloj lehtë, por shoku/shoqja jem me karrocë nuk do kishte mujt as me hy. Hy në shkollë e nuk është askush që mund t’thotë duke buzëqesh mirëdita e bravo që ke ardh sot! Fillon ora e parë e mësimit, 20 të rinj/reja në klasë e dëgjojmë profesorin tu thonë që vajzat jonë për mi bo punët e shpisë e s’munden me marrë pozita shumë t’nalta n’shoqni – tmerrohna!
Fillon ora e dytë e vjen profesoresha tjetër tu mos e lonë shoqen tem me shpreh mendimin e vet e ja ul edhe notën veç pse ajo është ndryshe në mënyrën e vet. E unë frikësohem me tregu kush jam! Vjen ora tjetër e me këtë profesor nuk guxon as miza me u ndi se na qet jashtë, na fyn, na dënon në note, e madje edhe me dhunë fizike – tutna edhe me marr frymë po m’doket që tash jam unë e radhës! Eh orën tjetër bash për sherr nuk jom përgatitë se s’i kom kuptu formulat pa m’i shpjegu kërkush po veç në libër tu i lexu, shtangna para tabelës nuk di me i sqaru. Profesoresha më thotë që sivjet kom me ngel e po ja marr ftyrën babës tem – ndihna e pavlerë që s’po mundem me bo kurgjo, e bash prindin tem unë po e dëshproj! Mërzitna, shkoj deri në tualet pak ftyrën me la e me u qetësu, tymi i duhanit e landët narkotike frymën ma zajn – dal tu ngajtë. E marr guximin te drejtori me shku me bo ni ankesë – po m’thojnë që jam fëmijë e unë s’jom kërkushi me thonë që profesori është gabim! Dal prej klasës shkoj n’biblotekë ni libër me e marr e me u qetësu, dera është e mbyllun – nuk kuptoj, ato libra për kon po i mbajnë? Afër e shoh nji klasë ku në derë shkrun psikolog/e – gëzohna shumë, kërkoj informacion po m’thanë qe 2 vjet rrin letra në derë e kërkush nuk qenka i/e punësum me të vërtetë!
Kthehem n’shpi. Çka mësova sot n’shkollë? Mësova qe s’bon me tregu kush jam, po duhet me mshef veten gjithmonë. Mësova që unë si vajzë duhet me ndejt në shpi e me punu. Mësova nëse dikush kërkon veç me folë e mendimin e vet me shpreh, unë duhna me ofendu e me e rreh! M’tregun që unë s’jom në gjendje as nji mësim me mësu e mjerë babi jem për mu! E krejt n’fund m’thanë që s’bon mu anku se profesori i din senet ma mirë se unë!
Nëse këto janë gjanat që profesori i din, unë s’po du me mësu kështu! Nëse shkolla gjana t’tilla ka me vazhdu me m’tregu, ku është edukimi këtu? Shkolla, institucion edukativo-arsimor që supozohet me të jep ngrohtësi, edukim, njohuri, gjithëpërfshirje në fakt po bëhet vendi më diskriminues, jo edukativ e madje edhe nuk po ofron as mësim cilësor!
Prandaj mund të nënkuptohen përgjigjet për pyetjet si: pse nuk po kemi motiv me mësu? Pse gjenerata jonë kemi probleme të ndryshme? Pse besimi në vete na u ka ulë? Pse na si të ri/reja po dojmë jashtë shtetit me ikë? Pse në Kosovë ka papunësi? Pse theren e rrihen 16 vjeçarët? Pse nuk po përparojmë?
Këtu mundet me u parashtru edhe një pyetje tjetër.
Por a ka mendu ndonjë prej institucuineve e personave përgjegjës para se të merren vendime për rininë me fol njëherë me neve? Zani ynë me u dëgju kur problemet tona po ua tregojmë. A është mendu se ma mirë se na që ballafaqohemi në përditshmëri me këto probleme e dimë se çka është ma e mira për ne e për çka kemi nevojë?
Sikur mësimdhënësit të kujdeseshin se si i trajtojnë nxënësit; sikur udhëheqësit e shkollave të shqetësoheshin me të vërtetë si po mbahet një orë mësimore e sa i ngrohtë është ambienti shkollor; sikur Drejtoritë e Arsimit të përzgjidhnin njerëzit e duhur që marrin pozitat e punës dhe të krijonin mekanizma për fuqizimin e mbështetjen e nxënësve; sikur Ministria e Arsimit të hartonte bashkë me të rinjtë e të rejat plane gjithëpërfshirëse dhe të shikonin sa po respektohen këto vendime në shkolla, fytyrat e lumtura të klasës së parë do të riktheheshin tek ne përsëri! Arritjet tona akademike do të arrinin majat, e shteti ynë do të ishte krenar me ne! Shëndeti dhe mirëqenia e të rinjve/rejave do të kalonte një nivel më të lartë! E ardhmja e vendit tonë do të ishte më e ndriçuar! Prandaj sistemi ynë arsimor dhe shkollat si institucione duhet me u riformatu. Pavarsisht personit apo grupi partiak që qeverisë, këto duhet të jenë në krye të planeve të juaja të punës!
Mbi autoren: Puhiza Shemsedini, 16 vjeçare nga Prizreni, vijon mësimin në shkollë të mesme.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States