ÇIKAT NË SHKENCË
Më pëlqen t’i mendoj si të mahnitshme idetë e njerëzve mbi fushën që studioj. E kam fjalën për komentet që mposhtin dëshirat e flakta për zbulime e hulumtime dhe të atilla që shohin vetëm anën “arsimore” të këtyre drejtimeve. Fjalë që vajzat nuk i qojnë më larg se dera e shtëpisë dhe ditari i një mësueseje që është nënë e grua e mirë e dikujt, por jo dhe shkencëtare që punon krah kolegëve në laborator.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në shkencë faktet thurin të vërtetën, por është natyra ajo që dirigjon, apo shoqëria që vendos se kush e çka studion….
Tani, teksa lexoni këto fjalë, parafytyroni dikë që zotëron guxim, kureshtje dhe këmbëngulje. Mendoni për dikë që do të eksplorojë natyrën e të zgjidh ekuacionet thelbësore të hapësirës. Mendoni për njerëzit që zbuluan strukturën e ADN-së, vunë themelin për WiFi e GPS dhe që studiuan fillin e universit.
Si do ta përshkruanit zellin e tyre? Kë dhe si e parafytyruat?
Ishin mantelbardhë e me një pasion për të mistershmen, punëtore dhe me ditë përplot eksperimente komplekse. Ishin gjeni në fushën e vet dhe të gjitha gra: Rosalind Franklin (‘Gruaja e fshehtë e ADN-së’), Hedy Lamarr (ylli i shekullit XX) dhe Laura Mirsini Houghton (kozmologe shqiptaro-amerikane). Këto ishin gratë kontraverse të kohës. Ishin ato që hynë dhe depërtuan në botën e shkencës (mashkullore gjerë atëherë) dhe që inspiruan shkencëtaret e së tashmes.
Si shkencëtarja e parë ndonjëherë cilësohet të jetë Agamede (në kohën e Egjiptit të Lashtë) dhe atë në fushën e mjekësisë – si një pjesë e madhe e grave deri në shekullin XX – por Marie Curie mbetet përfaqësuese e sfidave të grave e vajzave në shkencat ekzakte. Në fakt, për të do të duheshin dekada që t’i largohej njolla e “vetëm një ndihmëseje të burrit” – gjithashtu shkencëtar.
Ndërkaq, në Kosovë sipas statistikave (të fundit të tilla të detajuara) për Arsimin për vitin 2017/2018 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vërehet një numër dukshëm më i madh i vajzave sesa i djemve, që studiojnë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, përkatësisht 375 vajza dhe 182 djem. Nga këta numra lehtë do të mund të përfundohej se Kosova mund të ketë potencial të madh që të përfaqësohet dhe në shkencë nga vajzat dhe gratë, apo jo?
Megjithatë, nga ajo se çfarë është publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, në lidhje me stafin akademik, shihet se: 16.67% në departamentin e Fizikës, 19.23% në atë të Biologjisë dhe 33.3% në atë Kimisë janë profesore gra, kurse për departamentin e Matematikës e Gjeografisë nuk është publikuar emri i ndonjë profesore grua.
Loriku, koleg i imi do të thoshte se: “Është më se e vërtetë që shumica e profesorëve në fakultetin tim janë të gjinisë mashkullore, nëse më bëhet pyetja nëse jam i kënaqur nga ky fakt, përgjigja ime do të linte shumë për të dëshiruar”.
Përfaqësimi i grave do të ishte një nxitje që aspiratat të rriteshin dhe do të ishte një hap drejt thyerjes se patriakisë përbrenda. Pra, a ekzistojnë me të vërtetë drejtime më mikpritëse për vajzat dhe gratë?
Raportet që kemi në dispozicion nuk mund të reflektojnë mbi motivet e vërteta të studimeve a rezultatet e pritura pas tyre.
Në fakt, ka mungesë të të dhënave për numrin konkret të vajzave dhe djemve që studiojnë në fakultete, e aq më tepër për numrin specifik të tyre përbrenda departamenteve, por dhe për vendet potenciale të punës pas përfundimit të studimeve (në fushën e fizikës) nuk ka.
Për mua ishin pikërisht derivimi i funksioneve, formulimi i ekuacioneve e gëzimi për zgjidhjet partikulare ato që më mbushnin më së shumti përgjatë këtyre semestrave. Të njëjtin mendim ndanë dhe një tjetër kolege. “Me përfundimin e studimeve shpresoj që t’i kem të zhvilluara mendimin kritik dhe aftësitë për zgjidhje – problemesh”, thotë Jeta.
Deklaratat si : “Kam filluar studimet në fizikë sepse më pëlqejnë numrat dhe natyra” nga Albulena apo si “Ëndrra e parë ka qenë që të merrem me hulumtime shkencore, për të cilat Kosova ka jashtëzakonisht nevojë dhe është në mungesë”, nga Arbrita, kolege të mia dhe nga koleg i imi Altini “Ëndrrat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mëdha duke përfshirë dhe titullin Dr.sc, por nëse një ditë nuk i arrij dot, do të kishte qenë e kënaqshme edhe t’i shërbej vendit si profesor”, nuk janë të rralla në Departamentin e Fizikës.
Prandaj, më pëlqen t’i mendoj si të mahnitshme idetë e njerëzve mbi fushën që studioj. Megjithatë ka edhe të atilla komente që shumë vajza dhe gra të reja përjetojnë. E kam fjalën për komentet që mposhtin dëshirat e flakta të vajzave për zbulime e hulumtime. Komente të atilla që shohin vetëm anën angazhimit të grave në sistemin arsimor. Fjalë që vajzat nuk i qojnë më larg se dera e shtëpisë dhe ditari i një mësueseje që është nënë e grua e mirë e dikujt, por jo dhe shkencëtare që punon krah kolegëve në laborator.
Përtej sfidës të një mendësie e ambienti jo mbështetës për gratë, statistikat mbi numrin e studentëve kanë përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës të punësuar, sektorët dhe vendet e punës ku janë të kyçur, gjithashtu janë krejtësisht të mangëta, duke e bërë të vështirë të shohim së çfarë mund të sjellë e ardhmja.
Andaj, shpesh diskutojmë për atë është se ç’mund të shohim a bëjmë me një diplomë të tillë; se a do të mund të punonim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës apo Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, se a do të kishim zemër të shihnim më larg se kaq, apo që sytë tanë direkt do të drejtoheshin kah arsimi.
…Dhe si gjithmonë vetëm shpresë…
Ndonëse në përgjithësi arsimi dhe shkenca janë dy fusha të ndërthurura njëra me tjetrën, një mendim dominues i këtillë në shoqëri me të vërtetë se nënçmon punën e secilit/ës mësimdhënës/e për themelet që ndërtojnë dhe të tërë fushën e shkencës që megjithatë akoma mbetet një fjalë në sirtarët e ëndrrave.
Siç do të ma rikujtonte Arbrita thënien e famshme të Walter Levin: “Mësuesit që e bëjnë të mërzitshme fizikën, janë kriminel”, dhe thuajse të tillë, u pafshin të gjithë partiarkatët që shkencën e shohin vetëm arsim dhe arsimin, humnerë për aspiratat e vajzave.Këto fjalë janë ide që i japin formë realitetit të shumë vajzave, fatkeqësisht…
Mbi autoren: Lyra Hoxha, 18 vjeçare nga Prishtina, është studente në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States