ARSIMI DHE PARTITË POLITIKE
Në debatet e shumta televizive, ndër të tjera, mund të dëgjoni arsyet pse ‘këta’ janë më të mirë se ‘ata’, mund të dëgjoni edhe akuzat për korrupsion të cilat hidhen sa në njërën anë e sa në tjetrën, e po ashtu mund të dëgjoni edhe premtime e zotime të ndryshme, të cilat pothuajse i kemi mësuar përmendësh pasi që kemi vite të tëra që i dëgjojmë. Shumë pak rëndësi e hapësirë në këto debate po iu jepet rinisë, problemeve të tyre, arsimit dhe fushave të tjera të cilat i prekin direkt të rinjtë e Kosovës.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Komentet, numri i shikuesve në Facebook, numri i pjesëmarrësve në tubimet partiake brenda Kosovës, fushatat, debatet televizive e lajmet janë disa prej elementeve kryesore që dëshmojnë vëmendjen që po iu jepet zgjedhjeve të 6 tetorit dhe rëndësisë që këto zgjedhje kanë për ardhmërinë e Kosovës. Me gjasë, shumica e temave të diskutimit brenda e jashtë botës virtuale janë rreth zgjedhjeve, partive politike, programeve politike etj.
Pra, pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës (votuesit potencial) janë duke menduar rreth partive politike, ani pse me aq sa kemi parë e dëgjuar këto të fundit nuk po mendojnë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në debatet e shumta televizive, ndër të tjera, mund të dëgjoni arsyet pse ‘këta’ janë më të mirë se ‘ata’, mund të dëgjoni edhe akuzat për korrupsion të cilat hidhen sa në njërën anë e sa në tjetrën, e po ashtu mund të dëgjoni edhe premtime e zotime të ndryshme, të cilat pothuajse i kemi mësuar përmendësh pasi që kemi vite të tëra që i dëgjojmë. Shumë pak rëndësi e hapësirë në këto debate po iu jepet rinisë, problemeve të tyre, arsimit dhe fushave të tjera të cilat i prekin direkt të rinjtë e Kosovës.
Gjendja e sistemit të arsimit është alarmante, gjë që dëshmohet edhe nga përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga ENQA dhe nga rangimi i bërë nga rezultatet e testit PISA, prapë duket se arsimi nuk është prioritet i planeve të subjekteve politike.
Edukimi, gjegjësisht arsimimi, është fusha kryesore e zhvillimit të një vendi, të një shoqërie dhe si e tillë kërkon përkushtim, investim, ndryshim (thelbësor) dhe punë.
Gjatë kohës së fushatave, herë pas here është diskutuar rreth planeve që partitë politike kanë për politikat e arsimit.
Politikat e tyre kryesisht orientohen në departizimin e drejtorëve të shkollave dhe institucioneve arsimore, në mësimin tërë-ditor, në krijimin e laboratorëve, testimin dhe rivlerësimin e profesorëve etj.
Këto janë disa synime e premtime që kanë qarkulluar gjatë secilave zgjedhje të viteve të fundit. Për ne nxënësit dhe besoj për të gjithë akterët e arsimit, nuk është me rëndësi t’i dëgjojmë premtimet sipërfaqësore, por është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme t’i dimë strategjitë dhe planet konkrete të veprimit për përmirësimin e sistemit tonë arsimor.
Sikur arsimi të merrej më seriozisht gjatë këtyre 20 viteve të fundit, nuk e besoj që sot institucionet arsimore do të ishin në gjendjen në të cilën janë. Normalisht që gjatë këtyre viteve ka pasur ndryshime pozitive, për të cilat me gaz e mburrje flasin ish-ministrat e arsimit nëpër intervista.
Me që ra fjala tek intervistat, asnjë subjekt politik nuk ka gjetur hapësirë në agjendat e tyre tejet të ngjeshura për t’i intervistuar dhe/apo bashkëbiseduar me studentët rreth problemeve, dëshirave, nevojave dhe aspiratave të tyre etj. Kohë nuk kanë gjetur as për akterët e tjerë të arsimit.
Shpresoj që subjekti/tet fitues/e do të punojnë fuqishëm dhe vazhdimisht në shtimin e lëmshit në të cilin gjenden institucionet tona arsimore!
Mbi autorin: Agon Rexhepi është një djalë 18 vjeçar i cili vijon studimet për sociologji në Universitetin e Prishtinës.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.