ALTERNATIVAT E REJA PËR PËRPJEKJEN FEMINISTE
Ilustrimi: Studio Permanent
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA është organizatë alternative feministe që përmes aktivizmit si formë e gjithëpërfshirjes dhe gazetarisë si mjet i rëndësishëm informimi, ka synim që t’i bashkojë zërat e grave dhe burrave për barazi gjinore e sociale. Ndërhyrja në diskursin publik përmes hulumtimeve, raportimeve, aksioneve dhe diskutimeve është motivi dhe metoda e vet organizatës sonë.
QIKA është një zë i freskët dhe gjallërues në lëvizjen feministe në Kosovë që kundërshton realitetin e pabarabartë dhe insiston për shpjegime të reja dhe ndryshime thelbësore shoqërore. Misioni ynë është të ofrojmë dhe inkurajojmë një reagim feminist të mbështetur në informata, njohuri dhe bindje.
QIKA u formua nën domosdoshmërinë e rrethanave dhe vullnetit të aktivisteve për ndërhyrje në rendin shoqëror. Përmes aksionit në rrugë, diskutimeve në zyre, leximeve të përbashkëta, e prodhimit të qindra lajmeve, përkthimeve, reagimeve e teksteve kritike, QIKA ndihmoi në mënyrë aktive në ndërtimin e një komuniteti të angazhuar të aktivistëve feministë në Kosovë që ndryshuan në mënyrë domethënëse peizazhin.
QIKA qëndron për drejtësi, barazi dhe gjithëpërfshirje andaj edhe përpjekja jonë është të praktikojmë dhe zhvillojmë një feminizëm ndërsektorial, ku gratë e të gjitha zonave, moshave, etnive, klasave, orientimeve seksuale dhe religjioneve trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të jetojnë pa shtypje dhe diskriminim.
Ashtu si çdo lëvizje shoqërore edhe feminizmi ka nevojë për mobilizim në mënyrë që të shtyjë përpara idetë dhe bindjet për të cilat qëndron. Kjo gjë në shekullin e 21-të përkthehet në shumicën e kohës edhe si prani në hapësirat online. Duke vënë re rolin thelbësor të mediave sociale online në mobilizimin për aktivizëm, QIKA ka krijuar platformën mediale feministe www.qika.org; një hapësirë tërësisht e re informimi, diskutimi dhe leximi që tenton t’i jap vëmendje perspektivave të margjinalizuara të vajzave dhe grave në Kosovë. Përmes platformës, QIKA ofron analiza të temave, ngjarjeve dhe lajmeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në Kosovë, rajon dhe botë.
Kjo ka ardhur si një ndërhyrje e nevojshme dhe urgjente në industrinë e medias e cila ka përjashtuar prej kohësh zëra të ndryshëm. Të bësh gazetari feministe do të thotë të vendosësh gratë në qendër të raportimit dhe të drejtat e tyre në agjendë mediale. Një gazetari e tillë është një opsion politik, një alternativë e re e ngacmimit të mendimit dhe nevojës për angazhim.
Përveç platformës, ne kemi krijuar edhe programin “Bashkohu me QIKA” – program ky që mundëson përfshirjen e të gjithë personave që dëshirojnë të angazhohen dhe ndihmojnë nismën tonë feministe. Ne punojmë vazhdimisht me të reja e rinj në Kosovë të cilët kanë kureshtje dhe vullnet për tu thelluar në tema sociale që lidhen me gjininë e tyre, seksualitetin si dhe marrëdhëniet familjare e shoqërore. QIKA deri më tani ka bashkëpunuar me shumë aktivistë, tekstet, përkthimet dhe hulumtimet e të cilëve janë publikuar në platformë. Ne kemi takuar individualisht të gjithë aktivistët që ishin të interesuar për të shkruar apo përkthyer me QIKA dhe ofruam mentorim dhe mbështetje individuale. Ndër të tjera, ata u mbështetën në përzgjedhjen e artikujve, u informuan rreth metodave hulumtuese, si dhe iu ofrua redaktim për tekstet e tyre.
Njohuritë dhe informatat për feminizmin shpesh kanë qenë të qasshme dukshëm më shumë në vendet e zhvilluara. Përmes qasjes në shkrime, mendime e ide feministe, aktivistët e lëvizjeve feministe nëpër botë kanë pasur më shumë mundësi të zhvillojnë mendim kritik dhe të kenë një pasqyrë më të qartë mbi shtypjen e diskriminimin. Fatkeqësisht e njëjta nuk ka ndodhur edhe në vendet në zhvillim, ku mundësia për qasje në informata për barazi gjinore, ndër të tjera shpesh ngecë edhe si pasojë e barrierave gjuhësore. Shumë nga autoret e mendimtaret më të njohura feministe kanë përdorur anglishten si gjuhë kryesore për të formuluar konceptet e tyre. Në Kosovë, mungesa e teksteve në gjuhën shqipe shumëkënd e ka privuar nga ekspozimi në informatat dhe njohuritë për feminizmin. QIKA përgjatë punës së saj e ka plotësuar dukshëm këtë boshllëk, duke ofruar hulumtime e tekste të rëndësishme të përkthyera në gjuhën shqipe.
Ne e shohim platformën mediale por edhe aktivitetet tjera tona si hapësira të përbashkëta të diskutimit e mësimit. Andaj, ftojmë të gjithë që të bashkohen me neve në përpjekjen tonë për të shembur mite e vlera që pengojnë përparimin, e për të punuar për një të ardhme të barabartë për të gjithë. Bashkohu me QIKA!
Mbi autorin/en: Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion është organizatë që mbron dhe promovon të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.