KUR FRIKA MBIZOTËRON, KU SHKON DASHURIA?
–
GRESA NUREDINI ARKIVON ÇASTE GËZIMI NË KOHË TË ERRËTA.
Ilustrimi: Argjirë Kukaj
Nuk isha akoma i lindur kur gjyshjen time e kishin larguar dhunë nga puna veç pse ishte shqiptare e as nuk isha akoma i lindur kur lufta ndodhi apo kur u bombat fluturonin përmbi ne nga airoplanët ushtarak.
Megjithatë, ky kapitull historik i vendit që unë e quaj shtëpi është shumë i afërt për mua. Është shumë i afërt nga rrëfimet që kam dëgjuar duke u rritur dhe rrëfimet që vazhdoj t’i dëgjoj edhe sot e kësaj dite nga njerëzit me të cilët jam i rrethuar çdo natë e ditë. Nga njerëzit që ishin aty. Këto tregime kanë të bëjnë me mbledhitë në shtëpi si vende të shenjta gëzimi; për daljen fshehurazi gjatë orëve policoredhe guximin që duhej pasur, thjesht për të dalë nga shtëpia; për festimet e Vitit të Ri pa e ditur se çfarë mban e ardhmja. Sado të hidhura më duken këto histori, prapë, ka momente që më japin gëzim të veçantë, momente të tilla që mund të kapen vetëm në fotografi.
Ky kujtim kolektiv është përplot trishtim, vuajte dhe shtypje. Deri tani, kurrë nuk e kisha menduar që edhe në momentet më të trishta, njerëzit kanë gjetur copëza lumturie dhe dashurie, kanë gjetur vend për solidaritet të përbashkët në ditët e tyre më të zymta. Nuk kam menduar kurrë se si mund të bashkohen të gjitha këto ndjenja në një vend të vetëm dhe si dukeshin këto momente derisa hasa në punën e një artisteje të re të quajtur Gresa Nuredini.
Ajo aktualisht punon si hulumtuese për revistën britanike Business Reporter, derisa përgjatë jetës së sajka ushqyer një vlerësim artistik për fotografinë.
Njëkohësisht, ajo është duke punuar në një projekt për krijimin e një arkivi kolektiv të fotografive gjatë viteve të 90-ta, në Kosovë. Qëllimi i projektit të Gresës është që të na dërgojë në një udhëtim teksa e kaluara shpalos kapitujt e saj, sa të ndërlikuar aq edhe mallëngjyes, e vërteta qëndron e vendosur.
Gjatë transformimit të thellë të shoqërisë, nga lufta në paqe, dokumentimi i rrëfimeve historike të krijuara nga kujtesa kolektive është thelbësor. Kjo histori nuk duhet humbur.
Në vitet e ‘90-ta, frika ishte ndjenjë konstante, prandaj më erdhi një pyetje në mendje: “Kur frika mbizotëron, ku shkon dashuria?” Ky projekt shfaq një testament të shpirtit të njeriut si një katalizator i rezistencës gjatë periudhave të vështira. Dashuria ndërthuret me kujtesën dhe qëndron mes individëve në hapësira intime, duke formësuar kujtesën kolektive të dashurisë gjatë viteve të ‘90-ta në Kosovë.
Kjo periudhë dallohet me ‘nënrealitete’ të krijuara nga një komunitet, në një vend ku burimet e lajmeve ishin të kufizuara e shtypura dhe informacioni kontrollohej nga regjimi. Njerëzit nuk ishin dijeni se çfarë po ndodhte në distanca të vogla. Duke ndodhur kjo, u shfaq një “univers paralel” si një domosdoshmëri për të mbijetuar dhe për t’u përpjekur për të jetuar një jetë normale. Njerëzit mbështeshin tek njëri-tjetri. Individualizmi u zbeh, teksa kolektivja lulëzoi.
Kur jeta rinore ishte nën rrethim, gjithçka që të rinjt e të rejat kishin ishte njëri-tjetri. Gresa do na dërgojë në një udhëtim prekës, që zbulon një të vërtetë të hidhur. Edhe pse shëtitja në rrugë pas orës 22:00 ishte e ndaluar, njerëzit zbulonin udhë tjera drejt lumturisë, dashurisë, valles dhe të qeshurave, duke shmangur kështu krizën ekzistenciale.
Kur u takova për një kafe me Gresën, ajo më tha se këto fotografi asokohe ishin bërë nga njerëzit, jo që të arkivoheshin, por të krijonin kujtime për vetvetn. Dhe kur e pyeta se çfarë e shtyu të bënte këtë projekt ajo tha: “Çdo gjë nisi me kuriozitetin tim personal dhe dëshiren për të digjiitalizuar arkivin e fotografive të familjes sime. Një element i shpërndarë në fotografitë më kaploi me surprizë; njerëzit gjithmonë ndanë poza filmi, dhe asnjëhere nuk ishte vetëm një person në fotografi. Çdo gjë u nda mes vete në vitet e 90-ta edhe frika.” Ajo gjithashtu tha se “Dua të di çfarë ndodhi pas atyre fotografive, për të treguar historinë e dashurisë në kolektiv në atë kohë, dua që të gjithë ta dinë.”
Duke marrë parasysh bukurinë dhe rëndësinë e këtij projekti, Gresa dhe unë ju ftojmë të bëheni pjesë e tij, duke zbuluar shtegun që dashuria e ka gjetur në momente të errëta. Ju mund t’i dorëzoni fotografitë tuaja familjare që tregojnë dashurinë dhe përbashkimin, për t’u arkivuar në pikëpamje pamore, filozofike dhe etike. Një përmbledhje fotografish të zgjedhura me kujdes do të bëhen pjesë e një libri fotografish, që do jetë një album nga njerëzit për njerëzit.
Këto fotografi janë sende personale që njerëzit në mbarë Kosovën i mbajnë në shtëpi, për vete, por qëllimi i kësaj thirrjeje të hapur është që këto fotografi të mos mbahen më për vete, kushdo mund t’i dorëzojë ato që të digjitalizohen dhe ekspozohen.
Nëse keni fotografi për t’u arkivuar, më 27 shtator në Qendrën për Praktikë Rrëfyese, do jetë një punëtori ku mund t’i digjitalizoni fotot tuaja për të qenë pjesë thelbësore e këtij arkivimi. Po ashtu, ju mund t’i dërgoni fotot tuaja në internet në arkiva1990@gmail.com deri me datë 30 tetor.
Kjo përmbledhje shërben për shpërndarje publike dhe do vihet në dispozicion për të gjithë, falas.
Pas publikimit të librit fotografik, rreth 30 fotografi do përzgjedhen dhe do ekspozohen gjithashtu në një ekspozitë publike gjatë muajit shkurt të vitit 2024.
Autor: Nol Musa